Mon, Jan 20, 2025

Papa bekon nismën e Ramës: Ky komunitet, urë pajtimi mes Lindjes dhe Perëndimit

  • PublishedJanuary 20, 2025

Papa bekon nismën e Ramës: Ky komunitet, urë pajtimi mes Lindjes dhe Perëndimit

FERDINAND SAMARXHI *NDERI I KOMBIT  

NË VEND TË PROLOGUT…

16 janar 2025. Një simfoni hyjnizuese, vegim që të shtie thellë në historinë e gjenezës së Galilesë së madhe të kombeve, gjenezës sonë të ndritur. Përballë nesh Vatikani, konturet e tij. Kështjellë ngazëllyese e historisë së njerëzimit. Ne do ta vizitonim atë, do të ecnim nëpër rrugët dhe do të hynim në zemrën e tij, në katedralen “Shën Pjetër”. Aty ku historia e krishterimit botëror do të përjetësohej dhe do t’i ngelej shekujve si histori e pagëzimit të gjithë popujve që besojnë në Hyun.

Tek ecnim të gjithë si delegacion, të udhëhequr nga Lideri Botëror i Bektashizmit, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, shoqëruar nga ambasadorja e Shqipërisë në selinë e shenjtë të vatikanit, shkëlqesia e saj, zonja Majlinda Frangaj, delegacioni ynë i prirë nga flamuri kombëtar me shqiponjën e zezë dykrenare, paraprinte përjetimin e kohëve, thërriste në histori, shumë… përfaqësues të një kombi të lashtë, ndjenim krenari legjitime që ishim pjesë e madhe e kësaj historie, e këtij tempulli, të historisë së krishtërimit botëror, ndër më të parët kombe, që përqafuam Hyun.

Në shenjë dashurie të veçantë, që Ati i Shenjtë, Papa Françesku ushqen për bektashizmin, kryegjyshi botëror i dhuron dhe i vendos një shall me ngjyrë jeshile, simbol i ngjyrës së bektashizmit

Apostull i kombeve, Shën Pavli, këmba e tij e të cilit shkeli në tokën e gjenezës sonë dhe goja e tij të fliste, për paraardhësit tanë në viset e Ilirisë, që Ptolomeu (100-168 pr. K) i quante “albanë”, të përhapte krishterimin, siç thotë në letrën drejtuar romakëve, nga Jerusalemi deri në Iliri. “U kam përhapur Ungjillin e Krishtit” (Romakëve 15:19). Të ndërtonte, si arkitekt, themelues i krishterimit, kishën Apostolike të Ilirisë, shek. I, viti 58 ps. K, ashtu siç thotë vetë: “Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin… sipas traditës, dorëzova Episkop Marinin, një nga shtatëdhjetë dishepujt e Krishtit, gjatë udhëtimit për në Iliri, në stacionin Romak Claudiana (Peqini i sotëm)- veprat 17:1. … siç besohet në traditën e krishterë, vendosi Peshkopin e parë të Durrësit, Shën Qezari, ku kishte një komunitet të përberë nga disa familje të krishtera, formuan kishën apostolike në këtë qytet. Sipas Farlatit, në veprën e tij “Illyrikum Sakrum”, ndodhet si dokument në një dorëshkrim të vjetër në kishën e Jerusalemit, nderoi si ndriçues i Durrësit, siç thotë përlëshorja e shenjtorit: “Predikues të kombeve dhe ndriçues të madh, mësues të Durrësit, mburrje të botës, gëzim të quajmë”.

Themeli i Kishës apostolike në Iliri, që vendosi Apostull Pavli së bashku me bashkëpunëtorët, mbetën të palëkundur, sepse u themelua mbi shkëmbin që është Krishti, ashtu si vetë Ai e tha: “Dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë”. (Matheu 16 -18)

Një foto historike e paharruar: Ati i Shenjtë, Papa Françesku, kryegjyshi botëror, shenjtëria e tij, Dede Edmond Brahimaj, ambasadorja e Shqipërisë në shtetin e Vatikanit, znj. Majlinda Frangaj dhe rabbi Yoel Kaplan, në pritjen që Ati i Shenjtë i rezervoi kryegjyshit botëror në Vatikan

Prejardhja e gjenezës sonë të ndritur ngacmonte më tej kujtesën tonë. Krishterimi, Vatikani, Papati, jetoi inkandeshencën, që rrezatoi gjeneza, pararendëse e kombit tonë, në Galilenë e madhe të popujve. Shën Pjetri dëgjoi omelitë e bukura të shtatë Papëve të gjenezës sonë, që ndezën krenari legjitime për ne si shqiptarë para gjithë popujve, para gjithë botës, si dëshmi e një kombi të lashtë, e më i parë i Hyut, që kur Jezusi u pagëzua në Jordan dhe shpërndau lajmin e mirë në gjithë botën, tek ne, në Iliri, erdhi apostulli më i rëndësishëm, shkëmbi i kishës, Apostull Pavlli… Kombi ynë do t’i jepte botës, krishtërimit, vatikanit, heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, që papati e quajti atlet të Krishtit, pararendës të historisë, që mbrojti civilizimin europian nga hordhitë osmane që kërkonin të kalonin përtej Adriatikut. Arbri, Skënderbeu u bë mburoja e qytetërimit të kohës. Ky akt i madh trimërie do të mbetej si lapidar i shenjtë në historinë e botës për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Kombi ynë i dha qytetërimit dhe botës simbolin e dashurisë dhe humanizmit njerëzor, i dha Nënë Terezën, që u bë simbol i nënës së gjithë botës. Nga ky komb, papati nderoi dy kardinaj të këtij trualli, eminencën Mikel Koliqi, si dhe kardinalin e sotëm, eminencën e tij Ernest Troshan Simonin, i cili është zgjedhur tashmë ndër më primatët e vatikanit, princ botëror i krishtërimit.

Shën Pjetri, tempulli botëror i krishtërimit Tempulli botëror i bektashizmit

HISTORIE E NDEZUR. LEGJITIME. LAVDIE. KRENAR

PËR ÇKA JEMI DHE MBARTIM SI SHQIPTAR

Me këtë kërshëri, veneracion dhe devocion të thellë do të takonim Atin e Shenjtë, Papa Françesku. Do të takonim zëdhënësit e Hyut në tokë. Para nesh do të shfaqej Papa si shenjt i Zotit. Përjetim emocionesh të mëdha kishin pushtuar delegacionin tonë, në veçanti Kryegjyshin Botëror, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Takimi i Tij, me Atin e Shenjtë do të shkruante histori botërore që do të mbetet në analet e historisë, të Selisë së Shenjtë të Vatikanit dhe Selisë së Shenjtë të Urdhrit Botëror Sovran Bektashi. Teksa shihnin Vatikanin, statujat, Shën Pjetrin, martirët e krishterimit përfytyrimi ynë çonte në historinë e kombit tonë, të martirëve të tij, të cilët për Hyun, për Zotin përjetuan kalvarin më të egër të rrugës së kryqit në historinë njerëzore, ashtu si vëllezërit e tyre të krishterë, në të cilën ne do të takoheshim, bashkëvëllazëroheshim me ta, në luftën dhe sfidën e përbashkët për një të ardhme të paqtë e të sigurt në rajon e më gjerë.

Papa Françesku pret në pallatin apostolik në bibliotekën private të tij kryegjyshin botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Delegacioni shoqërohet nga ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, znj.Majlinda Frangaj

Dy lider botëror, dy Shenjtë, dy vëllezër, simbol të paqes dhe dashurisë, do të bashkëbisedojnë, do të flasin në emër të Zotit dhe fesë, për të afruar fetë dhe besimet e tyre si një familje të vetme njerëzore. Përpjekja për vëllazëri njerëzore, shpresa për një botë më të mirë, më të drejtë do të kërkoj me shumë luftë, me shumë punë, me shumë përdëllim shpirtëror, për inkurajim, harmoni vëllazërore që duhet të përcjellin religjionet, besimet e ndryshme, që kjo frymë të jetë një dritë e pashuar gjithnjë në luftën kundër rrymave radikale regresive, kundër instrumentalizimit të fesë për të nxitur urrejtje ndaj dhunës, ndaj ekstremizmit, intolerancës fetare, që po çorodisin shoqërinë e sotme njerëzore dhe po nxisin e shkaktojnë, ndasi e jo bashkim, grindje raciale dhe jo vëllazëri, luftëra në vend të paqes e harmonisë vëllazërore botërore. Ecje në rrugën e paqes, dashurisë njerëzore mes popujve, kombeve. Kjo është koha që kërkon sot një vëllazëri njerëzore që nuk do të jetë një slogan retorik, as një ideologji, por një vëllazëri e vërtetë, që të gjithë të jetojnë së bashku si një familje e vetme e Zotit. Dy lider do të shenjonin përkufizimin e dashurisë hyjnore, të të dy komuniteteve, katolik dhe bektashi, që historia i ka parë në rrugëtimin e tyre si dy besime që kanë shenjtëruar, promovuar gjithnjë, në gjithë kohërat, sfidat e historisë, dashurinë e vëllazërisë botërore, për çështjen e ruajtjes së sigurisë dhe paqes për kohën, për shoqërinë e sotme njerëzore.

Një pikturë simbolike e Apostol Markut, martir i krishtërimit në ditën e takimit, pikërisht 16 janar, 805 vjet më parë të martirizimit të tij

Ora 08:00… Mëngjesi i artë kishte praruar, tek të gjithë ne, gëzim, rrahje fort me dashuri të zemrave, krenari. Do të shtrëngonim duart e Atit të Shenjtë, do të merrnim bekimin e tij të Zotit për gjithë jetën. Të dy liderët, ballë përballë shtrëngojnë duart, bashkojnë zemrat, përqafojnë dashurinë, i urojnë bekim njeri-tjetrit, për dy komunitet, për popujt, besimtarët e tyre. Edhe pse, siç njoftuan mediat, Ati i Shenjtë Papa Françesku kishte pësuar një aksident të vogël, jo vetëm që nuk anuloi takimin e tij me Kryegjyshin Botëror Bektashian, Baba Mondin, buzëqeshja e tij nuk mungoi, më shumë çeli dashuria e tij, më shumë u ndje ngrohtësia për vëllain e tij, të cilët ishin përqafuar si vëllai me vëllanë në Vatikan më 11 maj 2016, si vëlla në Zot, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, siç u drejtua dhe i tha ai në pritjen që rezervoi mes gjithë asaj audience tepër të veçantë: “Për vëllanë e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj”.

Ferdinand Samarxhi, “Nder i Kombit” interviston Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, më 11 maj 2016, me rastin e e takimit të kryegjyshit botëror me Atin e Shenjtë

Sapo shtrëngimi i duarve kishte përfunduar me shumë ngrohtësi shpirtërore, Ati i Shenjtë do të çelte takimin solemn duke u drejtuar:

“I dashur vëlla, Haxhi Baba Edmond Brahimaj,

Shkëlqesi,

Të dashur miq,

I uroj me përzemërsi mirëseardhjen këtij Delegacioni të shquar, që vjen nga Shqipëria dhe, në veçanti, nga Komuniteti Bektashi, si edhe falënderoj Dikasterin për Dialogun Ndërfetar, që e bëri të mundur këtë takim. Sa herë që liderët fetarë bashkohen në frymën e respektit të ndërsjellë dhe impenjohen në favor të kulturës së takimit, përmes dialogut, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit, ripërtërihet dhe konfirmohet shpresa jonë për një botë më të mirë e më të drejtë. Sa shumë ka nevojë koha jonë për një shpresë të tillë!

Marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kishës Katolike, Shqipërisë refuzojmë logjikën e dhunës dhe të mosmarrëveshjes, për të përqafuar atë të takimit, të miqësisë dhe të bashkëpunimit në kërkimin e së mirës së përbashkët. Në fakt, bindjet tona fetare na ndihmojnë t’i përqafojmë më qartë këto vlera themelore, tipike të humanizmit tonë të përbashkët, “duke i dhënë mundësi bashkësisë së zërave të ndryshëm të formojnë një këngë fisnike dhe harmonike” (Letra Enciklike Fratelli tutti, 283).

Në këtë drejtim, mendoj me mirënjohje çastet e shumta të takimit vëllazëror ndërmjet Komunitetit Bektashi dhe Kishës Katolike, si Lutja për Paqen në Ballkan, në vitin 1993 dhe Dita Botërore e Lutjes për Paqen në Asizi, më 2011. Përurimi i Tempullit të Bektashinjve në Tiranë, në vitin 2015, ishte një moment veçanërisht i frytshëm afrimi dhe miqësie. Jam i bindur se Komuniteti Bektashi, së bashku me myslimanët e tjerë, të krishterët dhe gjithë besimtarët e pranishëm në Shqipëri, mund të shërbejë si urë pajtimi dhe pasurimi reciprok, jo vetëm brenda vendit tuaj, por edhe ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Pavarësisht nga sfidat e së tashmes, dialogu ndërfetar ka një rol unik në ndërtimin e një ardhmërie në pajtim, drejtësi dhe paqe, që popujt e botës e, veçanërisht të rinjtë, e dëshirojnë me zjarr.

Të dashur miq, ju siguroj lutjet dhe bekimin tim për punën tuaj të rëndësishme dhe për gjithë popullin e dashur shqiptar. E ju kërkoj edhe juve favorin që të luteni për mua. Faleminderit!”.

Takim vëllezërish. Hyjnizim dashurie, Ati i Shenjtë Papa Françesku shtrëngon duart me dashuri me kryegjyshin botëror, shenjtërinë e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Falënderimi i Kryegjyshit Botëror, për Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, është pa kufi. “Po i drejtohem Atit të Shenjtë- tha Kryegjyshi- si vëllai ynë që dëshiroj të bashkëndaj dhe nënshkruaj me ju së bashku, të dy, dokumentin për vëllazërinë njerëzore, të cilën Shenjtëria juaj e ka nënshkruar në vitin 2019 në Abu Dhabi. Duke e vlerësuar si dokument bazë për harmoninë mes feve, religjioneve në shoqëri, që ne e shohim si vizion të kohës, të paqes dhe dashurisë për gjithë familjen e sotme njerëzore, propozoj të nënshkruajmë së bashku të njëjtin dokument si Kryegjysh Botëror i Urdhrit Sovran Botëror Bektashi, besim, i cili është i pranishëm në 33 shtete të ndryshme të botës. Duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm për ne, botën, realitetin ndërkombëtar, për kohën, për të ardhmen, shoqëritë e sotme njerëzore, më lejoni Shenjtëria juaj ta nënshkruaj këtë dokument sot para jush, dokument të cilin presim ta nënshkruani dhe ju më mirësinë tuaj të shenjtë. Firmosja nga ana juaj e këtij dokumenti është bekim i madh për të gjithë ne, për të gjithë vendet, për të gjithë popujt, për të gjithë shoqërinë e sotme, që do t’i shërbejë të mirës së përbashkët”.

Kryegjyshi botëror, shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj firmos dokumentin e Abu Dhabit mbi vllazërinë njerëzore në praninë e Atit të Shenjtë

“Më lejoni Ati Shenjtë, Papa Françesku- iu drejtua Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror, i Urdhrit Sovran Botëror Bektashi- që të ndaj me ju çështjen e krijimit të Shtetit të Urdhrit Sovran Bektashi. Paraprakisht dua t’ju njoftoj Shenjtëria juaj, që siç jeni në dijeni, qeveria e Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama, ka vendosur të ofrojë mundësinë e krijimit të një Shteti Sovran të Urdhrit Bektashi sipas modelit të Vatikanit. Kjo do të mundësojë që komuniteti ynë bektashi, të çojë përpara misionin tonë shpirtëror në shërbim të paqes ndërvëllazërore. Dëshiroj të njoftoj Shenjtërinë tuaj se procesi i krijimit dhe shpalljes së këtij shteti është në fazën përfundimtare. Ne do të dëshironim nga Shenjtëria juaj bekimin apostolik për këtë shtet të ri, që do të jetë më i vogël se Vatikani, por do të ketë të njëjtin mision të shenjtë! Më lejoni të kërkoj që kur të vij koha e shpalljes së tij, Selia e Shenjtë e Vatikanit të jetë ndër më të parët që ta njohë këtë shtet. Duke ju falënderuar dëshiroj t’ju siguroj, Ati i Shenjtë, bashkëpunimin tonë për të mirën e familjes njerëzore. Për këtë ju kërkoj bekimin tuaj apostolik dhe i lutem Zotit për misionin tuaj dhe tonin të përbashkët!”.

33APritje të gjykimit të tij, miratimi nga Ati i Shenjtë. Moment vendimtar historik. Ati i Shenjtë, i mirinformuar për bektashizmin, rolin historik që ka luajtur në çështjen kombëtare, rolin e tij si një faktor i rëndësishëm, promotor në harmoninë, tolerancën, bashkëjetesën fetare mes gjithë besimeve në Shqipëri, vizionin moderues brenda islamit, kontureve të shoqërisë së sotme perëndimore, misionin e shenjtë, paqedashës për të gjithë religjionet, vendet, popujt, deklaroi: “Unë e bekoj këtë nismë të bukur!”

25 prill 1993, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, mbërrin në Shqipëri. Kryegjyshi botëror, shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj pret në aeroportin e Rinasit vëllanë e tij, Papën

Ky ishte promovimi historik sinjifikativ, domethënës, që mori shenjtërinë e tij shteti i ri sovran i urdhrit botëror bektashi, nismë e shkëlqyer e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Një pritje ngrohtësie që parandjehej. Dashuria e Atit të Shenjtë, vizioni i tij largpamës, do na gëzonte pa masë për bekimin e tij të gjithë shqiptarët, të gjithë besimtarët e urdhrit botëror bektashi, kudo që jetojnë në botë. Fatlumë që mësuam të parët dashurinë e Atit të Shenjtë, bekimin e tij për shtetin e ri. Takimi historik do të përmbyllej me dhuratat që dy Liderët do të shkëmbenin me njeri-tjetrin. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj do t’i dhuronte në fillim medalionin me figurën e tempullit botëror të bektashizmit dhe me portretin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, hero i Krishtërimit, si dhe heroi ynë. Në shenjë mirënjohje për Atin e Shenjtë që gëzon për komunitetin bektashi, do t’i dhuronte dhe vendoste si shenjë dashurie, një shall të gjelbër, simbol të ngjyrës së bektashizmit. Me veneracion për vlerësimin dhe kontributin e palodhshëm e Atit të Shenjtë, për nxitjen e vlerave universale të paqes dhe dashurisë, i tha Kryegjyshi Botëror Papa Françekut, “takimi i ynë i sotëm, 16 janar, ka një simbolikë të veçantë, pikërisht 805 vjet më parë, ku Shën Bernardi dhe shokët e tij françeskanë u martirizuan në Marok, në luftën për përhapjen e krishterimit. Ju dhuroj këtë pikturë, ikonën e apostullit Mark. Marku, ungjilltari festohet si ai që solli krishterimin në Afrikë e si rrjedhojë në Marok. Shpresojmë që kjo dhuratë të shërbejë si një kujtesë e lidhjes së qëndrueshme, midis traditave tona të besimit dhe angazhimit tonë të ndërsjellët, për të nxitur mirëkuptimin, tolerancën dhe dashurinë midis gjithë popujve”.

21 shtator 2014, Ati i Shenjtë, Papa Françesku viziton për herë të parë një vend europian, Shqipërinë

Kryegjyshi Botëror Bektashian do t’i dhuronte në vijim Atit të Shenjtë, dy libra domethënës të bektashizmit “Bektashinjtë shqiptarë, historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan” nga Robert Elsie dhe librin filozofik të bektashizmit “Misticizma Islame dhe Bektashizma” të Baba Rexhepit. Kryegjyshi Botëror do t’i dorëzonte një qiri si dritë e Krishtit të pashuar me aromë të agrumeve të natyrës shqiptare, përgatitur nga besimtari i krishterë ortodoks shqiptar Arsen Haliti si dhuratë të fundit për Atin e Shenjtë.

11 maj 2016, Papa Frnçesku: Prita një mik të mirë nga Shqipëria në shtëpinë e Zotit, Vatikan, kryegjyshin botëror, shenjtërinë e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Bashkë si dy vëllezër pa protokoll shumë pranë afër njëri-tjetrit

Si një dashuri përmbyllëse të këtij takimi të madh, të rëndësishëm historik, Kryegjyshi Botëror do t’i kërkonte Atit të Shenjtë Papa Françeskut një lutje, bekimi, për popullin, kombin shqiptar, për të cilin Ati i Shenjtë e përmbushi me shumë hyjnizim.

Medalioni që kryegjyshi botëror, shenjtëria e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj i dhuroi Atit të Shenjtë, Papa Françesku: Medalioni Tempulli botëror i bektashinjëve dhe Medalioni me figurën e Skënderbeut, heroit kombëtar

Tashmë fotografitë ishin ato që do të fiksonin këtë ngjarje të madhe historike, çka kishim marrë me vete historinë, bekimin e shteti të ri sovran të urdhrit bektashi nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, nga “Shën Pjetri”, shteti i Vatikanit, nismë tashmë e shkëlqyer, e ideuar e ndërmarrë nga Kryeministri i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Zoti Edi Rama.

PANTEON I RRALLË NA RIZGJON HISTORINË…

Papë me origjinë Ilire: Papa Shën Eleuteri (171:185 Prej një Nikopolit të Epirit, Prevës që renditet i 14 në listën e Papëve, Shën Urbanit të parë 222-230 prej Ilirie që renditet i 18 në listën e Papëve Shën Kai Papë 283-296 prej Salone Dalmaci Papa Gjoni IV Dalmat 640-642, Papa Pali i IV Karafa 1555-1559 që renditet i 45 në listën e Papëve.

Gjatë kohës dhe nën drejtimin e Tij botohet libri i parë në gjuhën shqipe Meshari i Gjon Buzukut. Papa Sisti i V Pereti 1585-1590 familja e tij emigroi nga Kotori, që renditet i 229 në listë. Papa Klementi XI Albani 1700-1721 që renditet i 245.

Me urdhër të Tij u mbajt Kuvendi i Arbrit në 10 korrik të vitit 1703, ku u mor vendimi për hapjen e shkollës së parë shqipe. Nga ky vend shqiponjash do të lindë Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që mbrojti civilizimin europian përtej Adriatikut nga sulmet e hordhive Osmane, që Papati e nderoi dhe vlerësoi duke e quajtur atlet i Krishtit, pararendës i historisë europiane.

21 shtator 2014. Pritje madhështore nga populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, që kanë dalë të gjithë myslimanë dhe të krishterë, për të pritur me shumë dashuri, Atin e Shenjtë, Papa Françesku

TOKA E ARBRIT, ZEMËR E KRISHTERIMIT…

Tek ecim nëpër “Shën Pjetër”, kujtesa na shfleton më tej histori…Toka e Arbri, gjithmonë mbruajtje e krishterimit. Gjatë papnimit të Piut të II, humanistit të madh Enea Silvio Piçolimini, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u ngrit në kulmin e karrierës së tij luftarake, bashkë me arbërorët e tij. Në projektin e kryqëzatës, për të çliruar popujt, që pësonin nga agresioni osman, Piu i II më 1464 e emëroi Gjergj Kastriotin, Skënderbeun kryekomandant të ushtrive tokësore dhe po të mos e kishte penguar vdekja e papritur në Ankonë, Piu i II do të kishte zbritur në Durrës për të kurorëzuar Skënderbeun mbret për të shuguruar Pal Engjëllin kardinal, siç na tregon Barleti.

LUTJE PËR POPULLIN DHE TOKËN TONË…

5 tetor 1980, Papa Shën Gjon Pali II do të lutet dhe dënoi ato vite të së premtes së zezë, viteve të asaj simfonie të një zie të egër ateiste, ku shumë shpirtra të etur dëshironin të luteshin në altar. Dënoi çdo krim, çdo shpresë të vrarë.

Papa Gjon Pali i II, 1984 në Bari të Italisë, do të lutej: Prej këtij qyteti, mendimi im është drejtuar nga vëllezërit e motrat e Shqipërisë, që s’kanë mundësi të tregojnë fenë e tyre botërisht, që është një e drejtë e tyre themelore e njeriut. U porosis të luteni për ta. Dëshiroj t’ju them se ata janë posaçërisht të pranishëm në zemrën time.

“E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit… të vëllezërve tjerë të krishterë e te të gjithë besimtarët në Zotin, të cilët pësojnë të njëjtin fat të heqjes në atë komb”.

Kërkoi që kambanat të thërrisnin magjinë e bukur të së dielës, të ngjalljes, pambarim të jetës.

TOKA ARBËRORE, BEKIM ZOTI

25 prill 1993. Tokën tonë arbërore, për të cilën ishte lutur dy herë do ta vizitonte Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali i II. Ëndërr e pabesueshme, ëndërrimi për lirinë, përqafonte më në fund tokën tonë.

08:30. Orë e një lavdie historike. Avioni në qiell, u shfaq si një yll, që siç udhëhoqi magët drejt Betlehemit, si një dritë që ndriçoi Galilenë, ndriçoi tokën tonë, ndriçoi Rinasin. Puthje toke të nëmur. Të djegur. Lutje për popullin tonë. Prolog i madh i një lirie të ëndërruar. Shpresë që do na ndriçonte.

“Historia e Shqipërisë shkëlqen dhe me emrat e martirëve që morën pjesë në një mënyrë të veçantë në kryqëzimin, ringjalljen e Krishtit. “Kjo është dita e falur prej Zotit. … Rri, o Zot, tani që nata mbaroi e kjo natë historike e Shqipërisë, dhe ja përsëri lindi dita.! Amen.”

Papa Gjon Pali II lutet për bijën e madhe të kombit tonë, Nënë Terezën

LUTJE PËR BIJËN E MADHE TË KOMBIT TË VOGËL…

hëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dinë se cili është Atdheu i saj. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo shërbëtore e përvuajtur, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj”!

“Nga tradita e kësaj kishe, e këtij vendi, doli modeli madhështor i besimit, sakrificës, mirësisë, dashurisë e humanizmit, që modifikoi fytyrën e një shekulli, të mbarsur me luftëra të nxehta, e të ftohta. Ajo është, bija e madhe e këtij kombi, të vogël, e Lumja Nënë Terezë. Ne jemi, populli i Nëne e Terezës.”

VAZHDIMËSI, KËRSHËRI HISTORIE…

Plot 21 vjet pasi i Shenjti: Gjon Palit II puthi tokën shqiptare, Papa Françesku vendos të ndjekë rrugën e tij. Shtegtimin e parë në një vend evropian e ballkanik: ndërmjet sa e sa vendeve, që e kanë ftuar e vijojnë ta ftojnë, Papa Françesku zgjedh pikërisht trojet shqiptare, sepse, siç e thekson ai vetë, “është ndër më të vuajturat e edhe ndër më të mbruajturat me gjak martirësh, që dhanë jetën për fe, për liri, për demokraci, për bashkëjetesë shembullore paqësore.”

Takim i përzemërt që përfundon në përqafim mes vëllezërish të Zotit, mes liderësh botëror të besimeve, katolikë dhe bektashianë

“Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat të vizitoj atdheun tuaj, “tokën e shqiponjave”, si edhe për pritjen tuaj kremtore.

Ka kaluar tashmë gati një çerek shekulli që kur Shqipëria e gjeti përsëri udhën e mundimshme, por edhe joshëse të lirisë. Kjo udhë i krijoi mundësitë shoqërisë shqiptare të niste ecjen e rindërtimit material e shpirtëror, të vinte në lëvizje shumë energji e nisma, të ishte e gatshme për bashkëpunim e shkëmbim me vendet afërta të Ballkanit e të Mesdheut, të Evropës e të mbarë botës… Shqiponja që gjendet në flamurin tuaj, në krahë të saj, me vizionin e saj, shkoi lart e më lart me besimin tek Hyu, që kurrë nuk gënjen, por ngjall shpresë me flamurin e saj”.

“PRITA NË SHTËPINË E ZOTIT, MIKUN TIM NGA SHQIPËRIA, KRYEGJYSHIN BOTËROR, BABA MONDIN…”

10-11 maj 2016. Një ftesë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, një dashuri që do të përcillet gjithnjë në kohëra. Vatikani obelisk i madh shenjtërie. Statujat e apostujve të shenjtë, Pjetrit të Madh, paraardhësve të papëve tanë të shenjtë, të gjenezës sonë, zgjojnë lavdi. Omelitë e tyre të bukura ushtuan si dikur simofinitë e tyre të bukura hyjnore pambarim.

“Pres mikun tim në shtëpinë e Zotit” – ky urim plot ngrohtësi e dashuri u përcoll si një sinjal mirëseardhës dashurie. Porsa bëri ballë në sallën e mbledhjeve të paqes Ati i Shenjtë nuk u ul në fronin e tij papnor shekullor, por mori vetë poltronin e tij, edhe pse roja personale kërkoi ta ndihmonte, me dashurinë e zjarrtë për mikun e tij, mbarti vetë karrigen e tij, për t’u ulur pranë mikut të tij, si vëllai me vëllanë, në shtëpinë e Zotit. Skenografi që joshi emocion dhe elektrizoi atmosferën.

Përjetimi i një vëllazërie të veçantë. “Mendjen dhe zemrën e kam në Shqipëri te ju, që kur erdha ju takova te populli juaj, kujtoj rininë”,-tha Ati i Shenjtë, si një vlerë e madhe e një kombi për të sotmen dhe të ardhmen.

“Në të kaluarën kemi bërë luftëra mes besimeve, duhet të pendohemi për to, nuk është lufta në të cilën duhet të ecim. Rruga që duhet të përshkojmë është ajo e dashurisë, paqes, dialogut, mirëkuptimit midis feve, vendeve, popujve e shoqërisë së sotme njerëzore.

Kombi juaj është një shembull i paçmuar në vlerat e bashkëjetesës vëllazërore ndërmjet besimeve që jetojnë në Shqipëri. Thesari i çmuar i kombit tuaj, duhet kultivuar të çoj përpara shoqërinë e sotme”.

“Ne- tha Ati i Shenjtë- si Seli e Shenjtë e krishterimit në Perëndim, së bashku me qendrën tuaj të Selisë së Shenjtë të Bektashizmit, duhet të jemi në një flamur, në luftën e përbashkët për paqe dhe sigurinë në rajon. Në luftën kundër rrymave radikale që po çorientojnë shoqërinë e sotme. Roli i Selisë tuaj dhe komunitetit tuaj Bektashi, sot është një faktor i madh, i rëndësishëm në këtë luftë për paqe”.

“Ne-tha Kryegjyshi Botëror Atit Të Shenjtë- ju shohim juve si flamurtar të paqes dhe dashurisë për gjithë shoqërinë e sotme njerëzore. Ne jemi bashkuar të gjithë vëllezër mysliman, në Ballkan e më gjerë dhe do të jemi gjithnjë në krahun tuaj, në krah të vizionit dhe mesazheve tuaja të mëdha të paqes”.

/Gazeta Panorama