Kongresi amerikan dhe rezoluta rreth komunizmit
NGA BESIM NDREGJONI
Një lajm i gëzuar në fundvitit 2024 erdhi nga shteti i lirisë dhe demokracisë nga Amerika. Para pak ditësh Kongresi Amerikan me shumicë votash miratoi Rezolutën H.R. 5349, akti vendimtar për mësimin e së vërtetës rreth komunizmit në shkollat amerikane. Në shkollat shqiptare diktatori që vrau elitën shqiptare njihet si udhëheqës i Luftës së Dytë Botërore. Akti vendimtar kaloi me shumicë vote në numrin 327 po dhe 62 jo. Në këtë kurikulum mendohet se do të përfshihet edhe tragjedia shqiptare e rreth 46 vjet të diktaturës komuniste. Kjo rezolutë u përgatit nga kongresistja Maria Elvira Salazar, republikane e Floridës dhe u përkrah nga 27 kolegë e saj”. Komunizmi është një nga ideologjitë politike më shkatërruese që bota ka parë ndonjëherë, – tha kongresistja Salazar duke folur në Kapitol Hill – mësimi rreth së vërtetës së komunizmit – tha ajo – është e rëndësishme, sepse të rinjtë tanë duhet të kujtojnë krimet e komunistëve, përfshirë ato që u janë shkaktuar zgjedhësve të mi dhe familjarëve të tyre në diskritin 27 të Floridës (kubanez, kinez, shqiptar, rusë, venezulianë e të tjerë) projektrezoluta thotë se mbi 100.000.000 njerëz kanë vdekur për shkak të trashëgimisë tragjike të komunizmit. Studentët amerikanë meritojnë të dinë të vërtetën.
Po studentët shqiptarë, kur do ta mësojnë të vërteten e komunizmit. Akti vendimtar i mësimdhënies së komunizmit do të ndihmojë për të korrigjuar këtë gabim, ndërsa ne punojmë për ta fshirë këtë ideologji të ligë në heqjen e saj prej hirit të historisë. Së bashku, ne mund të kujtojmë viktimat dhe të qëndrojmë në anën e duhur të historisë. Të dy përfaqësuesit e Kongresit, si demokratët edhe republikanët u shprehën: “Të sigurohemi që të rinjtë e Amerikës dhe gjeneratat e ardhshme e udhëheqësve të kuptojnë plotësisht rëndësinë e lirisë dhe demokracisë në Shtetet e Bashkuara, është jetike”. Po Shqipëria, kur do ta bëjë një gjë të tillë? Kur do t’i kujtojë viktimat e komunizmit enverist zyrtarisht dhe kur do t’i dënojë krimet e komunizmit?! Shembulli nga Shtetet e Bashkuara të iniciatores kongresistes Maria Elvira Salazar është një mësim për deputetet shqiptarë që të bëjnë ligje për votuesit dhe jo ligje për të rritur rrogat e tyre, politika dhe institucionet shqiptare përpara kësaj rezolute duhet të turpërohen për sjelljen e tyre 35-vjeçare ndaj antikomunistëve shqiptarë. Të turpëroheni ju, politikanë dhe drejtues të shtetit shqiptar, se keni 35 vite që s’keni kërkuar falje për këto krime makabre që iu kanë ndodhur antikomunistëve shqiptarë.
Në emër të 6000 familjarëve të të zhdukurve shqiptarë nga Partia Komuniste, të 917 mijë viteve burg të 34.000 të burgosurve politikë, të 100.000 familje të internuarve e dëbuar politikë, falënderojmë përzemërsisht kongresisten Maria Elvira Salazar, republikane e Floridës për këtë ligj sa njerëzor, edhe ndërkombëtar. Falënderojmë e solidarizohemi me Kongresin amerikan, duke i shprehur mirënjohjen tonë për këtë rezolutë që i shërben paqes dhe dënimit të krimeve të komunizmit. Nisur nga ky lajm i gëzuar për mbarë komunitetin antikomunist shqiptar, që përballoi vuajtjet dhe torturat çnjerëzore të xhelatëve komuniste, Unioni Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë duke luftuar heshtjen vrastare të politikanëve shqiptarë ndaj krimeve të komunizmit dhe glorifikimit e ideologjisë komuniste në ndërtimin e sistemit demokratik nga politika 35-vjeçare ndaj këtij krimi më 20 janar i bëri një thirrje kombëtare parlamentit shqiptar, duke ua dorëzuar të gjithë deputeteve të këtij parlamenti thirrjen tonë në fillimin e sesionit të ri parlamentar që t’i bashkohen kësaj rezolute të Kongresit Amerikan dhe të dënojnë krimet e komunizmit, t’ju kërkojnë falje për heshtjen e tri dekadave që kanë bërë ndaj bashkëkombësve të vet, duke mos i dënuar këto krime.
Thirrjen tonë kombëtare po e bëjmë publike para shqiptarëve dhe të dënojmë heshtjen makabre të këtyre politikanëve të paskrupullt, që e kanë kthyer demokracinë në një sistem korrupsioni e shkatërrimin e institucioneve të shtetit shqiptar. Thirrja e jonë është një kambanë alarmi që këta politikanë ligjvënës të luftojnë e të dënojnë krimet e komunizmit që të mos kemi prishje të ekuilibrave të shoqërisë, se prishja e ekuilibrave në një shoqëri e çon popullin drejt konfliktit e urrejtjes. Detyrimi ligjor për t’i dënuar krimet është kushtetues dhe kombëtar. Çdo heshtje ndaj krimit komunist, siç keni bërë gjatë këtyre tri dekadave, iu ngarkon dhe iu bën bashkëfajtorë me krimin e kriminelin. Ne presim që Kuvendi i Shqipërisë si organi ma i lartë i shtetit shqiptar si republikë parlamentare t’i bashkohet rezolutës së Kongresit amerikan për t’i edukuar brezat e ardhshëm me paqe e me urrejtje ndaj krimit.
/Gazeta Panorama