Valsi i largimit të trajnerëve në Superiore, presidentë të paduruar apo mentalitet i gabuar? Ja të vetmit që kanë “shpëtuar” ende
Puna e trajnerit matet me rezultate thonë dhe padyshim kjo është e vërtetë në lojën e futbollit. Por të bësh trajnerin në Shqipëri sigurisht që është edhe më e vështirë, kjo pasi ata duhet të jenë gjithmonë gati me valixhe në duar. Presidentë që nuk presin, apo një mentalitet i formuar fatkeqësisht prej vitesh, me klubet tona që nuk priren të ndërtojnë projekte afatgjata, por kërkojnë t’i marrin frytet e punës menjëherë?
Faktet janë kokëfortë, teksa pas 21 javësh të zhvilluara në kategorinë elitare të futbollit tonë nga 10 skuadra, vetëm dy kanë arritur ende të kenë në krye të drejtimit të njëjtin trajner që në nisje të sezonit. Bëhet fjalë për kampionët në fuqi të Egnatias, që vijojnë t’i besojnë drejtimin e skuadrës teknikut Edlir Tetova, i cili sezonin e shkuar arriti ta dërgojë skuadrën rrogozhinase në majën e futbollit shqiptar, pas fitores së titullit kampion dhe të Kupës së Shqipërisë, duke shkruar historinë. Skuadra tjetër është Vllaznia. Shkodranët vijojnë t’i besojnë teknikut kroat Thomas Brdariç, që në fakt që po e jeton këtë aventurë për të dytën here, në krye të kuqebluve.
Ndërkohë “gangrene” e kalvarit të lëvizjeve të trajnerëve tek skuadrat e tjera vijon fatkeqësisht të jetë prezent edhe këtë sezon. Tirana dhe Teuta ishin dy skuadrat e fundit që çuan në gijotinë trajnerët e tyre, me bardheblutë që rikthyen në stol Bledi Shkëmbin, i cili ishte në krye të skuadrës kur sezoni nisi, duke pranuar dorëheqjen e Gugash Maganit, ndërsa Teuta ndërpreu bashkëpunimin të marten me trajnerin Edi Martini dhe është në pritje të zyrtarizojë teknikun gjirokastrit Bledar Devolli.
Edhe skuadrat e tjera të kryeqytetit Partizani e Dinamo, kanë ulur në stol teknikët e tyre respektivisht Veselinoviç dhe Dajën, pas nisjes së sezonit, duke mos i dhënë mundësinë atyre të drejtojnë merkaton në ndërtimin e skuadrës për përballimin e sezonit. Edhe skuadrat e tjera kanë ndryshuar stafin teknik gjatë sezonit. Një “gangrenë” që rëndon ende mbi futbollin shqiptar, që shtyn teknikët të punojnë gjatë gjithë kohës nën presion, duke mos i dhënë atyre kohën e mjaftueshme në dispozicion për të shpalosur idetë në funksion të krijimit të një skuadre me mentalitet fitues.