Feyenoord trondit Bayern, “G8” në dyshim të fortë, Kompany: Nuk kemi frikë nga play-off
E besoni apo jo, por Feyenoord trondit Bayern Munich, i shkakton një humbje të rëndë 3-0 duke vendosur në pikëpyetje të fortë prezencën e gjigandëve gjerman në G8, mes tetë ekipeve të para. Më saktë, ky objektiv nuk është më në dorën e tyre edhe nëse fitojnë sfidën e fundit, atë kundër Slovan Bratislava. Santiago Gimenez, sulmuesi meksikan, ishte protagonisti absolut i këtij takimi duke realizuar një “dopietë” golash, i parë në minutën e 21-të. Në limitet e pjesës së parë, Feyenoord fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë e penalltisë, Gimenez u tregua i saktë duke dyfishuar shifrat.
Në fraksionin e dytë, Kompany hodhi në fushë, Sane, Gnabry etj, por pa mundur të rihapin ndeshjen, ishin dhe të pafat në disa momente. Bayern jo vetëm që nuk u rikthye në lojë, por holandezët i kanë sërish “mat” me një zbritje të shpejt në sulm, me Ueda që trefishoi shifrat.
Me 12 pikë në 7 ndeshje, Bayern Munich ka siguruar fazën “play-off” në Champions, por ky nuk është një objektiv që ngroh Kompany dhe një klub të madh si Bayern:
“Ne nuk kemi frikë nga “play-off”. Nëse do të duhet të luajmë do të luajmë. Duhet ta meritosh të jesh pjesë e tetë ekipeve të para. Në këtë ndeshje ishim larg nivelit të kërkuar dhe kjo ishte e qartë, gjithsesi, kemi dhe një ndeshje tjetër në dispozicion. Alphonso Davies? Nga jashtë dukej si një e çarë e fibrave të muskulit, por nuk kam folur ende me stafin mjekësor”, u shpreh Kompany pas ndeshjes.
()