U vetëdorëzuan në polici për dhunën ndaj 62-vjeçarit, Gjykata merr vendimin për Izmir Sakicën dhe Samuel Troshanin
Gjykata e Shkodrës ka lënë pas hekurave dy të rinjtë Izmir Sakicia dhe Samuel Troshani, që u vetëdorëzuan në polici më 23 Janar për dhunën e ushtruar ndaj 62-vjeçarit Vladimir Bruçi.
Togat e zeza caktuan masën e sigurisë arrest me burg ndaj tyre. Pas seancës, avokati Sokol Tahiraj deklaroi se klientët e tij deri më tani janë të dyshuar vetëm për ngjarjen e ndodhur në lagjen Rus më 3 qershor të vitit të kaluar ku u dhunua shtetasi Vladimir Bruçi.
Përfaqësuesi i tyre ligjor deklaroi se lidhur me ngjarje të tjera deri më tani nuk ka asnjë lloj komunikimi, referuar dyshimeve se dy të rinjtë mund të jenë përfshirë në masakrën e Dobraçit me 4 viktima.
Avokati deklaroi deri më tani nuk ka asnjë lloj vepre penale të ngritur ndaj tyre përveç rastit në lagjen Rus.
Pas vetëdorëzimit në Policinë e Shkodrës, Sakica dhe Troshani kanë deklaruar se morën vendimin për të dhënë sqarimet dhe pretendimet e tyre. Ata kanë deklaruar se janë pajtuar me Vladimir Bruçin për konfliktin dhe për këtë arsye janë paraqitur edhe në polici.
Sakica dhe Troshani ishin në masën e arrest me burg për ngjarjen e 3 qershorit 2024 ku 5 persona me sende të forta dhunuan Vladimir Bruçin për një vendparkim. Dy të rinjtë janë me masë sigurie nga gjykata vetëm për këtë ngjarje.
Për dy të rinjët ka dyshime për pëfshirjen në masakrën e Dobraçit, ku u vra Arlind Bushati, Hamza Lici dhe çifti Flutura dhe Bashkim Basha.