Nga mbyllja e “Klanifornisë” te rikthimi në “Portokalli”, Jul Deda flet në “Dola te Ola” për jetën artistike
Aktori i njohur Julian Deda ishte i ftuari i parë në programin “Dola te Ola” këtë të dielë, ku ndër të tjera foli për jetën e tij profesionale.
Aktori prej disa vitesh është pjesë e “Klanifornisë”, dhe gjatë bisedës ai konfirmoi lajmet që kanë qarkulluar për mbylljen e këtij spektakli humori. “Klanifornia është drejt fundit”, tha Juli, teksa u shpreh i keqardhur që me aktorët Albano Bogdo, Visjan Ukcenaj dhe Eglein Laknori, përfshi edhe Turjan Hyskon që bashkëpunon prej 2009-s, nuk do të jenë më bashkë. “Jemi bërë si një gjymtyrë. Janë njerëz në zemrën dhe në mendjen time. Jam ndjerë shumë rehat në punë me ta”.
Gjatë bisedës aktori u ndal edhe te largimi i tij i shumëpërfolur nga “Portokallia” disa vite më parë. Edhe një herë aktori theksoi se nuk u largua nga dëshira prej aty. Aktori u shpreh se pas largimit nga jeta të pronarit të Top Medias asgjë nuk ishte më si më parë. “Çdo person, përfshi ish-regjisorin e ‘Portokallisë’ mori kompetencat e pronarit të madh. Në një hark kohor shumë të shkurtër ikën shumë emra të njohur. Arsyeja pse u zumë ishte diçka banale, por ajo që ishte e vërtetë ishte që nuk ika nga dëshira”.
I pyetur nëse do të rikthehet në “Portokalli”, ai tha se për momentin nuk ka asgjë konkrete, por që theksoi se edhe nëse ndodh nuk ka asgjë të keqe. “Megjithatë Portokallia ka nevojë për një riformatim dhe duhet të funksionojë si një e vetme”. Aktori e cilësoi “Portokallinë” si dashurinë e tij të parë, “I dedikohet gjithë suksesi”. Ndërkohë që për 2XL tha që e ka shijuar më shumë si aktor.
Kur në studio u shfaq një foto e grupit “The SHBLSH”, ai tha, “Ky grup ka bërë histori në humorin shqiptar. I falënderoj nga zemra. Jam i lumtur që kam punuar me çunat”.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–