Tue, Nov 26, 2024

EMRI/ Arrestimi në Itali i njërit prej autorëve të masakrës së Velipojës, policia jep detajet, si u vu në pranga i riu

  • PublishedJune 12, 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit, prej disa ditësh, kishin siguruar informacion se në zonën e Riminit fshihej Elmilind Dyli, 19-vjeç, i kërkuar për masakrën e Velipojës, me 4 viktima. Interpol Tirana në bashkëpunim me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me homologët e Interpol Romës, për shkëmbimin në kohë reale të këtij informacioni, organizuan operacionin policor të koduar “Rimini”

Në kuadër të të cilit u arrestua Dyli. Pas verifikimeve të thelluara të kryera ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, mëngjesin e sotëm është bërë identifikimi i shtetasit të shoqëruar Elmilind Dyli, i cili u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Elmilind Dyli, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tirana, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021, në Velipojë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, 4 shtetas.

Si ndodhi masakra e Velipojës:

Në orët e para të 27 qershorit 2021, një konflikt për vendosjen e çadrave të plazhit në Velipojë shkaktoi 4 të vrarë dhe 2 të plagosur.

Ngjarja ndodhi mes dy fiseve Gocaj dhe Verracaku. Viktimë mbetën vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj, kamarieri i hotelit të tyre Myzerim Zeneli dhe Kujtim Verracaku.

Krimi ndodhi në oborrin e hotelit të familjes Gocaj në Velipojë. Anëtarë të familjes Verracaku bashkë me kushërinjtë e tyre kishin shkuar për t’u sqaruar në lidhje me vendosjen e çadrave në plazh, por të dyja palët debatuan. Debati degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit dhe përplasja solli edhe bilancin e rëndë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.