Vdekja e 6 vjeçarit, reagon Spitali i Lushnjes: I mituri erdhi me nivel oksigjeni 70%! Në ambulancë pediatri bëri përpjekje për ta reanimuar me masazh kardiak por…
Spitali i Lushnjës ka reaguar lidhur me ngjarjen e trishtë të vdekjes së një 6 vjeçari pasditen e djeshme.
Përmes një njoftimi zyrtar, spitali shprehet se i mituri u paraqit në gjendje të rëndë, me nivelin e oksigjenit në 70%.
Pas disa analizave, pediatri e diagnozoi 6 vjeccarin me bronkopneumoni bilaterale difuze dhe insuficiencë respiratore akute.
Stafi mjekësor vendosi që të dërgonte të miturin në QSUT për trajtim më të specializuar, por përgjatë udhëtimit fëmija ka pësuar të vjella dhe ka humbur ndjenjat.
Pediatri që po shoqëronte fëmijën sipas spitalit ka bërë përpjekje për ta reanimuar duke bërë masazh kardiak. Fëmija është rikthyer në urgjencë në dhomën e shokut, ku ka vazhduar reanimimi nga mjekët gjatë gjithë kohës, por për shkak të gjendjes së rënduar, fëmija ka ndërruar jetë. Vdekja është konstatuar në orën 17:20.
Deklarata e plotë:
Fëmija Aleksandër Rustani, i lindur në vitin 2019, ka mbërritur në Spitalin e Lushnjes në orën 14:20, i shoqëruar nga ambulanca e Divjakës. Ai ka mbërritur në gjendje shumë të rëndë, me saturime 70%, sipas informacionit të dhënë nga familjarët, dhe është asistuar në repartin e pediatrisë nga mjeku i rojes dhe personeli infermier. U janë ofruar ndihmat e nevojshme, është kartelizuar, janë marrë analizat dhe janë marrë përgjigjet e analizave në orën 15:30 dhe 15:45. Pas kësaj, u thirr konsulta me dy mjekë, dhe në orën 16:00 u bë vlerësimi nga konsulta, e cila e diagnozoi me bronkopneumoni bilaterale difuze dhe insuficiencë respiratore akute.
Pasi u vendos që fëmija të nisej me urgjencë për në QSUT, u përgatit ambulanca. Pritja e kishte penguar nisjen, pasi mamaja dhe fëmija refuzonin të udhëtonin pa praninë e gjyshit. Gjatë gjithë kësaj kohe, fëmija ka qenë nën mbikëqyrjen dhe trajtimin e mjekëve.
Në orën 17:00, fëmija është transportuar për në ambulancë, e pajisur me oksigjen, dhe gjatë udhëtimit ka pësuar të vjella dhe ka humbur ndjenjat. Mjeku pediatër që do ta shoqëronte për në Tiranë ka bërë përpjekje për ta reanimuar duke bërë masazh kardiak. Fëmija është rikthyer në urgjencë në dhomën e shokut, ku ka vazhduar reanimimi nga mjekët gjatë gjithë kohës, por për shkak të gjendjes së rënduar, fëmija ka ndërruar jetë. Vdekja është konstatuar në orën 17:20.