Sun, Feb 2, 2025

AMP arreston punonjësin e policisë së Këlcyrës! Nën ndikimin e alkoolit, shkaktoi aksident duke u përplasur me një makinë tjetër, akuzat që rëndojnë ndaj oficerit

  • PublishedJanuary 28, 2025

AMP arreston punonjësin e policisë së Këlcyrës! Nën ndikimin e alkoolit, shkaktoi aksident duke u përplasur me një makinë tjetër, akuzat që rëndojnë ndaj oficerit

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të rajonit Vlorë-Gjirokastër, ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie të Këlcyrës, pasi në gjendje të dehur, shkaktoi aksident duke u përplasur me një automjet tjetër.

Në pranga ka rënë inspektori D.C., me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Postën e Policisë Këlcyrë, i cili akuzohet për dy vepra penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, pranë fshatit Ribaj, ku inspektori u përplas me automjetin tjetër. Si pasojë e këtij aksidenti janë dëmtuar dy pasagjerët e automjetit të përplasur, shtetasit D.H., 57 vjeç dhe R.S., 59 vjeç, të cilët ndodhën jashtë rrezikut për jetën.

Nga testi matës i alkoolit, punonjësi i policisë rezultoi pozitiv në masën 1.19 mg/l në testin e parë dhe 1.21 mg/l në testin e dytë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor D. C., me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Postën e Policisë Këlcyrë, DVP Gjirokastër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Punonjësi i policisë gjatë drejtimit të mjetit tip “Citroen” në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në vendin e quajtur fshati Ribaj është përplasur me mjetin tip “Nisan”, ku si pasojë kanë ngelur të dëmtuar pasagjerët e mjetit tjetër, shtetasit D. H., 57 vjeç dhe shtetasi R. S., 59 vjeç, të cilët pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Përmetit, janë larguar për në banesë.

 

 

Nga verifikimi me testin matës të alkoolit ai rezultoi pozitiv në masën 1.19 mg/l në testin e parë dhe 1.21 mg/l në testin e dytë.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].