“Berisha është pasiv për përplasjet në PD”, Mustafaj: Basha nxiton të bëhet kryetar, shfaqja e tij e thellon përçarjen në parti
Ish-ministri i jashtëm demokrat, Besnik Mustafaj ka komentuar sot në News 24, përplasjet brenda Partisë Demokratike që nga mbledhja e fundit e kryesisë ku u vendos mbajtja e zgjedhjeve në 29 korrik.
Sipas tij Basha po nxiton të bëhet kryetar, teksa tha se shfaqja e tij vetëm sa e thellon përçarjen në PD.
Si i komentoni emrat e rinj të ambasadorëve?
Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të ketë ambasadorë në detyrë 8-9 vjet, ndërkohë që sipas ligjit duhet të jenë 5 vjet maksimumi. Fakti që qeveria “Rama” i la kaq gjatë në detyrë ambasadorët, tregon një mospërfillje të madhe ndaj ambasadorët. Unë mbroj idenë që një ambasador maksimumin e mundshëm duhet ta ketë 5 vjet sepse vjen një moment që ti do më shumë vendin ku je akredituar sesa vendin që përfaqëson. E keqja e dytë që është bërë me këtë kohëzgjatje, është që ne kemi standarde që duhet të ndjekë një diplomat për të arritur deri te ambasadori. Është e njëjta karrierë si në ushtri. Ne kemi diplomatë shumë të mirë që duhet të jenë ambasadorë. Duke i lënë kaq gjatë, u shkatërruan disa breza ambasadorësh. Vendet ishin të zëna dhe ata po dalin në pension njeri pas tjetrit. Ne kemi pasur ligjin deri në 2014 që vetëm 30% e ambasadorëve mund të vinin nga jashtë shërbimit, ndërsa 70% ishin diplomatë karriere. Ky ligj u prish në atë kohë. Diplomatët e karrierës sot futen në një tenxhere me presion që nuk i lë të dalin mbi ujë. Kjo është e dëmshme. Duke parë emrat në shqyrtim, kriteri që është përdorur është shpërblimi për ish deputetët, njerëz që nuk fituan ose nuk kandiduan. Nuk ka një kriter profesional për ata që vijnë nga trupi diplomatik. Kriteri është që ti pëlqesh kryeministrit.
Si e komentoni mbledhjen e kryesisë?
Për mua është një turp i madh që nuk i bën nder as Bashës dhe as Alibeajt. Unë besoj se platforma që paraqiti Gazment Bardhi në emër të grupit parlamentar, që u hartua para një viti e gjysmë, ishte zgjedhja më e drejtë. Kjo nuk i bie ndesh nevojës që ka strukturë politike për të zgjedhur kryetarin. Kjo përcaktonte disa kritere që do ta bënin më të shëndetshme zgjedhjen e kryetarit të ri. Kjo do të kërkonte kohë. U kundërshtua duke i lënë kohë një emergjence që lë qartë të kuptohet se është e imponuar nga Basha. Kështu ka bërë edhe në 2017 dhe 2021 për zgjedhjet në parti, pa lënë kohë që strukturat të bëjnë analizën e tyre. Shfaqja e Bashës vetëm sa e thëllon partinë, nga dy grupe kushedi sa do shkojnë.
A mund të bëhet edhe analiza dhe zgjedhja e kryetarit?
Koha është shumë e shkurtër për të bërë edhe analizën edhe zgjedhjen e kryetarit. Këta që mbështesin 29 korrikun, duan që t’ia lënë Bashës analizën që ta drejtojë. Drejtimi i një analize të tillë nga Basha për mua nuk është e shëndetshme.
Në kushtet që ndodhet PD mund të ketë një garë të vërtetë?
Jo, e pengon hija e Lulzim Bashës. Kjo bëhet për të formalizuar rikthimin e tij. KQZ nuk e regjistronte PD-në se duhet të firmoste Basha. Kishte dhënë dorëheqjen, por nuk ishte parashikuar në gjykatë për legjitimuar dorëheqjen.
Gazment Bardhi deklaroi se nuk mund të anashkalohet Këshilli Kombëtar…
Gazmend Bardhi ka të drejtë, ai është një jurist shumë serioz. Ai ka dhënë prova që është një jurist që beson te ligji. Statuti është ligji themeltar i partisë dhe e di shumë mirë që nuk duhet kapërcyer statuti.
Po rolin e Berishës si e shikoni?
Ka një farë pasiviteti, nuk përzihet shumë dhe mirë bën. Ka bërë një deklaratë dhe ka thënë që është gati të ulet me të gjithë deputetët e PD-së, përjashtuar dy. Ashtu siç ka thënë edhe Basha që është gati të ulet, përjashtuar Berishën.
Çfarë e bashkon PD-në?
Vullneti i të dyja palëve. Të dyja palët duhet të kërkojnë mekanizma teknikë që çojnë te realizimi i këtij vullneti. Por që demokratët nuk duhet të shkojnë të përçarë në zgjedhjet e vitit 2025 kjo është e qartë. Berisha nëse përfshihet sinqerisht me mendjen e tij inventive do ti gjejë.
Kjo është e qëllimtë prej tij?
Nuk e di, nuk dua të bëj hamendësime.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–