Fri, Jan 31, 2025

Libraritë përballë harresës

  • PublishedJanuary 31, 2025

Libraritë përballë harresës

DR. ALBERT GJOKA

Kur flasim për libraritë, ato nuk janë thjesht vende ku shiten libra, por konsiderohen si agora të botës së madhe të ideve, si qendra ku marketohen dhe “trafikohen” pasuritë e mëdha shpirtërore dhe mendore të një shoqërie, prandaj me të drejtë, librarët konsiderohen si “tregtarë shpirtrash”. Libraritë përfshihen në listën e hapësirave të quajtura si “vende të treta” (third places) në çdo shoqëri, ashtu si edhe kafenetë, institucionet e kultit, teatrot, bibliotekat, kinematë, e kështu me radhë. Sigurisht, në një vend si i yni, kafenetë kanë uzurpuar çdo qoshe, teksa libraritë zvetënohen dhe zhbëhen dita-ditës. Shqipëria renditet mes vendeve me numrin më të madh të “mejhaneve” në Europë dhe numrin më të vogël të librarive. Për shembull, Londra ka mbi 1600 librari.

Pra, qyteti 9 milionë banorësh ka për çdo 6000 banorë një pikë të tregtimit të botimeve, ndërsa kryeqyteti ynë prej gati 1 milionësh ka aq të tilla sa nuk i tejkalojnë gishtat e dy duarve. Fatkeqësisht, ne nuk jemi konkurrues as me Kosovën, e cila gjatë viteve të fundit ka bërë investime domethënëse për rritjen e industrisë së librit dhe tregtimin e tij. Pjesa më e madhe e librarive tona janë në zgrip të mbijetesës për shkak se ato nuk trajtohen si biznese sociale, por taksohen si çdo biznes tjetër. Deri më sot në Shqipëri janë bërë politika (sigurisht, të vobekta) vetëm për botuesit, për autorët apo përkthyesit, por asnjëherë për librarët, sipërmarrja e të cilëve është lënë në mëshirën e tregut. Institucionet që bëjnë politikat e librit nuk kanë dëshmuar konkretisht qoftë edhe një akt të vetëm për të fuqizuar rrjetin e librarive.

Kur hedh sytë pas në këto tri dekada dhe kupton se kush dhe si është menaxhuar produkti më i përzgjedhur mendor dhe shpirtëror, i gjen të gjitha arsyet se përse tregu i librit lëngon kaq shumë në kohën tonë. Në botën tonë të librit konstatohet një anormalitet, sepse ka shumë më shumë ente botuese nëse e krahasojmë me kërkesën që vjen nga tregu, të cilat shtohen përditë dhe që hedhin në qarkullim tituj të rinj më shumë sesa ka kapacitet absorbues konsumtari/lexues. Botuesit, të cilët në thelb janë edukatorët e së tashmes dhe të ardhmes së shoqërisë, mund të sjellin botime tejet cilësore, por nëse rrjeti i librarive nuk e bën punën e tij ashtu siç duhet, përmes mirëmenaxhimit dhe marketingut profesional të librit, kjo do të çojë në kolapsimin e këtij tregu në një të ardhme të afërt.

Me përjashtimin e 2-3 librarive, të cilat kanë traditën me vete apo mbështetje nga burime të tjera, thuajse shumica dërrmuese e këtyre sipërmarrjeve kulturore janë të ekspozuara ndaj falimentit. Sistemi i shkallëzuar i TVSHsë së librit, taksat e larta të këtij lloj biznesi, rritja e kostos të qirave, zvogëlimi i tregut të lexuesve për shkak të emigrimit dhe faktorë të tjerë i kanë vendosur në gjendjen e mbijetesës operatorët e tregtimit të librit. E kam thënë shumë herë se librat nuk e bëjnë pis qytetin, prandaj taksimi për tabelën e reklamës, për gjelbërimin apo pastrimin për një pikë të tregtimit të librit nuk duhet të aplikohen kurrsesi, në pamundësinë për të subvencionuar qiratë e larta ku gjenden bizneset apo format e tjera të mbështetjes financiare.

Rishikimi i TVSH-së së përshkallëzuar që nga lënda e parë, shtypshkronja, botuesi, rrjeti i librarive deri në pikën fundore, te lexuesi, në mënyrë të barabartë do ta lehtësonte disi situatën. Është provuar se kur ka lehtësira fiskale në të gjitha segmentet e tregut, kjo ndikon jo vetëm në fuqizimin e të gjithëve aktorëve të këtij tregu, por ndikon drejtpërdrejt në uljen e çmimit edhe për lexuesit, për të cilin të gjithë duhet të bëjnë shumë më tepër. Ligjërisht institucionet e qeverisjes vendore duhet të shpenzojnë çdo vit një buxhet të caktuar për librin që të pasurojnë bibliotekat e qyteteve dhe shkollave, por vetëm 10% e tyre e bëjnë një gjë të tillë. Shumica dërrmuese i tjetërsojnë këto fonde, duke i shpenzuar për drekat dhe darkat e fundvitit, apo duke i djegur. Edhe institucionet arsimore prej vitesh i kanë shmangur qëllimisht rrjetet e librarive në vend, duke i prokuruar drejtpërdrejt librat tek entet botuese.

Një gjë e tillë është në shkelje flagrante e ligjit të prokurimeve dhe cenon rëndë garën, duke u kthyer në një praktikë të hapur korruptive. Tenderimet mund të ishin një mundësi e mirë që libraritë të ishin operatorët e vetëm në garë dhe në këtë mënyrë të mund të siguronin të ardhura për të garantuar mbijetesën dhe për të investuar në ecurinë e tyre. Së fundi, libri ka fatmirësinë që mund të shkojë në të gjithë tregun shqipfolës, por eksportet e librit drejt Kosovës, Maqedonisë apo Malit të Zi përballen me barriera nga më absurdet dhe me kosto tejet të larta. Libri shpërndahet në çdo vend të Komunitetit Europian me më pak se tre euro, ndërsa kostoja e transportit të librit drejt Kosovës është po aq e madhe sa për ta dërguar në Francë, Angli apo Gjermani. Duke iu rikthyer idesë së librarive si vende të treta që kanë një rol të rëndësishëm në jetën komunitare të një shoqërie; një nga përfitimet më të mëdha të të lexuarit është ndërtimi i lidhjeve sociale. Presidenti Barack Obama thotë me të drejtë se: librari i ndihmon njerëzit që të bëhen më të informuar, dhe qytetarë më aktivë, i aftëson që ta bëjnë vendin që ata duan që të jetë. Nëse autor e sjell në jetë një libër, nëse një botues riskon duke e hedhur në qarkullim, vlerën e vërtetë të tij tek lexuesi e përcjell vetëm librashitësi.

Ndërsa në botë libraritë dhe bibliotekat janë agorat e ideve, promovuesit e kujtesës dhe njohurisë njerëzore dhe vatrat më të gjalla të edukimit të përherësh të komuniteteve, këtu jemi ende larg këtyre qëllimeve dhe funksioneve; edhe kur i kemi, ato janë të brishta, pa identitet dhe e zhbëjnë peshën e tyre që të garantojnë mbijetesën e tyre. Në tregun tonë e ke të vështirë t’i identifikosh për nga natyra ashtu siç i gjen kudo nëpër botë libraritë konservatore, radikale apo progresiste. Gjendja e këtij tregu është larg strukturimit të librarive në shërbim të komuniteteve, larg promovimit të ideve dhe në pamundësi për të mbështetur, siç duhet misionin edukues që luan botuesi. Para disa vitesh, një fëmijë në Shëngjin vrau një oficer policie, por ai nuk do ta tërhiqte këmbëzën e pisqollës nëse do ta kishte lexuar një libër në jetën e tij. Një djalë në kryeqytet masakroi me thikë shokun e tij përpara shkollës, por nuk do ta bënte këtë makrabitet nëse mjedisi i bibliotekës do ta bënte për vete më tepër sesa joshja që iu jep të rinjve “shkolla e rrugës” dhe konfliktit; ne përballemi me shifra alarmante të dhunës në shkollë apo familje, por nëse indeksi i leximit do të ishte më i lartë, nuk do ta kishim këtë realitet kaq dramatik.

Tashmë, është e provuar se vendet që kanë shkallën më të lartë të leximit kanë edhe nivelin më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe social në të gjithë botën dhe kanë ruajtur dhe forcuar identitetin e shoqërisë së tyre. Ne po i humbasim përditë të rinjtë si lexues sepse në shkolla bibliotekat janë kthyer në magazine letrash dhe nuk ka politika publike leximi, nuk ka promovim modelesh dhe nuk ka mbështetje me fonde për pasurimin me libra që frymëzojnë dhe përmbushin nevojat dhe dëshirat e fëmijëve tanë.

Ne i kemi humbur komunitetet sepse mes vendeve të treta, librin e kemi përzënë nga hapësira publike, ia kemi vënë lakun në fyt librarisë me taksa dhe me harresë, e kemi djegur apo përmbytur bibliotekën, e kemi zhbërë rolin e institucioneve që menaxhojnë dhe marketojnë librin në jetën tonë publike dhe komunitare nuk kemi bërë asnjë herë politika mbështetëse për këtë segment të industrisë së librit, nuk e kemi vlerësuar asnjëherë rolin e librarit, si ndërmjetësi kyç mes librit dhe lexuesit, si hallka që nuk ka thjeshtë rolin për të shitur, por për t’i dhënë vlerën që i takon; ka misionin e madh që krahas përmbushjes së dëshirave dhe nevojave të lexuesit, të qarkullojë idetë që përmirësojnë rrënjësisht jetën e individëve dhe komuniteteve tona.

Ne rrezikojmë që të kthehemi në një shoqëri pa identitet edhe për faktin se libraritë tona janë larg të qenit vatra komunitare në shërbim të botës së madhe të ideve dhe kujtesës kolektive. Libri e ka të pamundur të mbijetojë i vetëm, nëse nuk vendoset në një ekosistem dinamik dhe në partneritet me institucionet, organizatat dhe biznesin në vend. Nëse secili prej tyre do të bëhet pjesë e një ekosistemi të tillë, do ta mbështesë në format dhe mjetet e mundshme, – libri ua kthen këtë investim secilit prej tyre dhe shoqërisë në përgjithësi me edukim dhe rritje. Libri mbetet sot mjeti më i besueshëm për të sistematizuar njohuritë njerëzore dhe për të rritur empatinë, si mënyra më e mirë për të kuptuar tjetrin dhe për të rritur ndërveprimin mes nesh. Nëse duam që tek të ashtuquajturat vende të treta, t’i japim vendin që i takon librarisë dhe librarit, jo thjesht si vend ku shitet mall prej letre, por ku rriten komitete dhe promovohen kauza, ku qarkullojnë ide dhe kontribuohet për edukim, – ka ardhur koha që të mendojmë seriozisht për këtë segment të tregut të librit; të bëjmë politika e mbështetëse, të lehtësojmë fiskalisht libraritë dhe ta mbështesim librarin dhe sipërmarrësit e librit.

Sepse e ardhmja e librit është librashitësi profesionist. Në një perspektivë të tillë, do të jenë të fituar të gjithë; që nga botuesit, autorët, përkthyesit dhe lexuesit në fund. Mbi të gjitha, një bashkësi do të bëhet më e mirë kur të kemi më shumë librarë dhe më pak kamerierë; kur të kemi më shumë librari dhe më pak kafene, kur të kemi më shumë lexues dhe më pak njerëz të paangazhuar, pra do të kemi më shumë qytetarë të mirë. Në këtë mënyrë, do të kemi një shoqëri dhe një Shqipëri më të mirë, më të edukuar dhe më të zhvilluar./Gazeta Panorama