Tragjedia ajrore në SHBA me asnjë të mbijetuar, Trump: Helikopteri po fluturonte më lart se kufiri i lejuar!
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka bërë një postim të ri në rrjete sociale lidhur me tragjedinë ajrore që u shënua në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit “Ronald Reagan” ku mbetën të vrarë 67 persona.
“Helikopteri Blackhawk po fluturonte shumë më lart se kufiri i lejuar, ka shkruar presidenti amerikan në rrjete sociale.
Trump iu referua rregullores që përcakton lartësinë maksimale të lejuar të fluturimit në zonë.
Sipas të dhënave të regjistruesit të fluturimit, helikopteri ushtarak kishte bërë një ngjitje të shpejtë ku kishte kaluar normat e lejuara të lartësisë
Sipas FAA, avioni Bombardier i American Airlines u përplas me helikopterin Sikorsky H-60 teksa po afrohej për të ulur në aeroportin Ronald Reagan.
Përplasja mund të ishte shmangur, tha Sean Duffy, Sekretari i ri i Transportit në administratën Trump.
Ekuipazhi i helikopterit ishte “relativisht me përvojë” dhe po kryente një “fluturim rutinë stërvitor natën”, tha ministri i ri i Mbrojtjes Pete Hegseth.
Tre ushtarët ishin të pajisur me syze për shikimin në errësirë.
Ka të ngjarë që ky të jetë aksidenti ajror më vdekjeprurës në SHBA në thuajse çerek shekulli.
Të paktën 28 trupa u nxorën dje nga ujërat e akullta të lumit Potomak pasi helikopteri mesa duket fluturoi në trajektoren e avionit të mërkurën vonë, ndërsa aeroplani po bënte uljen pranë aeroportit “Ronald Reagan” në Uashington, thanë zyrtarët.
Në avion gjendeshin 60 pasagjerë dhe 4 anëtarë ekuipazhi. Në helikopter gjendeshin tre pjesëtarë të Forcave të Armatosura.
“Nuk besojmë se ka ndonjë të mbijetuar”, tha John Donnelly, shefi i Departamentit të Zjarrëfikëses. “Tani jemi në pikën ku po kalojmë nga një operacion shpëtimi në një operacion kërkimi”, shtoi ai.
Avioni u gjet me kokë poshtë i ndarë në tre pjesë në thellësi të lumit dhe ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet në një pjesë të lumit Potomak, deri tek ura “Ëoodroë Ëilson”, rreth 4,8 kilometra në jug të aeroportit, tha zoti Donnelly. Po ashtu u gjetën edhe rrënojat e helikopterit.
Nuk ka ende ndonjë të dhënë për shkakun e përplasjes, por zyrtarët thanë se kushtet e fluturimit ishin të qarta, kur mbërriti nga qyteti Wichita i Kensasit avioni me të cilin udhëtonin patinatorë amerikanë dhe rusë.
“Deri tani ne nuk e dimë pse avioni ushtarak hyri në kursin e … avionit”, tha drejtori ekzekutiv i kompanisë American Airlines Robert Isom.
Pamje të regjistruara nga kamera e vendosur në qendrën “Kennedy” në Uashington, kanë kapur një shpërthim në ajër përgjatë lumit Potomak rreth orës 21:47 të mbrëmjes me orën lokale dhe avionin në flakë që bie me shpejtësi.
Të dhënat nga avioni tregojnë se ai ishte në një lartësi prej rreth 120 metrash në çastin e përplasjes.