Rikthehet në Gjirokastër Festivali Folklorik Kombëtar, këngëtarja Paro Ziflaj: Nuk paguhemi fare! Organizimin e bëjnë sa për të kaluar radhën
Pas 8 vitesh, rikthehet në Gjirokastër Festivali Folklorik Kombëtar. Festivali do të zhvillohet nga data 24 qershor deri më 1 korrik në Kalanë e Gjirokastrës. Ka qenë kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti që kanë ndarë lajmin për rikthimin e këtij festivali me motivet, ritmet, këngët e vallet e të gjithë krahinave shqiptare.
Këngëtarja e njohur e polifonisë dhe muzikës popullore me zë të magjishëm, Paro Ziflaj ka zbuluar detaje në emisionin “Fitstation” për pjesëmarrjen e saj në këtë festival, duke u shprehur e pakënaqur për organizimin! Paro tregoi për moderatoren Çenkuela Hasa se për pjesëmarrësit nuk do të ketë pagesa, madje as çmime nuk do të ndahen!
“Unë kam 55 vite në skenë, kemi tani afër dhe “Festivalin Folklorik Kombëtar”, kam vajtur 2-3 herë vetëm nga pasioni se sot nuk paguan njeri që të shkosh. Mendova meqenëse jemi akoma aktiv në skenë pse të mos shkojmë, kam bërë prova me shokët, kam bërë një tekst të bukur për Gjirokastrën”- tha këngëtarja për News24!
Kur thua nuk paguhesh çfarë nënkupton, janë pagesa minimale apo fare?
Paro Ziflaj: Sot nuk paguhesh fare, edhe këtë festival e bëjnë sa për të kaluar radhën, dëgjova që thanë nga Komisioni që nuk do të ketë as çmime, nuk ka organizim të mirfilltë dhe nuk e di kush është përgjegjës për këtë, ministria se apo dikush tjetër. Më parë ka patur pagesa dhe pse minimale se ashtu ka qenë dhe koha!
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–