P*rdhunoi dhe rrahu partneren e tij, arrestohet shqiptari në Itali! 40-vjeçari i zhvati 20 mijë euro dhe e detyroi të bënte video intime për t’i shitur
Një 40- vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia e Rimini, në Itali, nën akuzat për dhunë, përdhunim, përndjekje, rrëmbim dhe zhvatje, të kryera ndaj të dashurës së tij.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, mësohet se shqiptari është denoncuar nga partnerja tij, pasi ai e kishte dhunuar dhe i kishte shkaktuar shenja të rënda në trup.
Ajo është paraqitur në komisariat me shenja mavijosjeje në fytyrë, si dhe një frakturë në gojë, që sipas saj, i ishin shkaktuar nga partneri i saj.
Gruaja ka treguar se edhe pse synonte të largohej nga partneri për shkak të dhunës së mëparshme që kishte pësuar, e acaruar nga konsumimi i tepërt i lëndëve narkotike nga burri, pas disa ditësh diskutime, kishte pranuar ta takonte në një hotel ku ndodhej ai, i cili më pas e ka sulmuar.
Mësohet se për disa orë ai e mbylli duke e penguar të largohej apo të kërkonte ndihmë dhe e detyroi të kryente marrëdhënie seksuale.
Gjatë hetimeve rezultoi se viktima ishte nënshtruar totalisht prej disa kohësh nga partneri i saj dhe se ishte zhvatur për 20 mijë euro.
Po ashtu, ai e kishte detyruar të bënte video seksuale, të cilat më pas ia shiste të tjerëve.