“Stargate”
NGA LEONARD DEMI
Suksesi në krijimin e Inteligjencës Artificiale do të ishte ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit. Fatkeqësisht mund të jetë edhe e fundit, veç nëse mësojmë se si t’i shmangim rreziqet.
Në ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump njoftoi me bujë një projekt të ri të Inteligjencës Artificiale të quajtur “Stargate”. Ky projekt parashikon të investojë 500 miliardë dollarë për katër vjet dhe synon të ruajë lidershipin global të Shteteve të Bashkuara në Inteligjencën Artificiale (IA). “Stargate”, me qendër në Teksas, është një nismë e përbashkët, krejtësisht private, e tre gjigantëve të Inteligjencës Artificiale dhe investimeve: “SoftBank”, gjigandi japonez i investimeve; “OpenAI”, start-up-i gjenerues i IA; “Oracle”, siguruesi i “iCloud” dhe “MGX”. “SoftBank” merr përsipër përgjegjësitë financiare të projektit dhe miliarderi japonez Masayoshi Son, kryetar i “SoftBank”, do të jetë kryetar i “Stargate”, ndërsa Sam Altman, drejtori ekzekutiv i “OpenAI” dhe krijuesi i “ChatGPT”, do ta drejtojë atë. Partnerët kryesorë në projekt janë “Arm”, “Microsoft” dhe “NVIDIA”, prodhuese e qarqeve të integruar. Këta partnerë do të kontribuojnë në hartimin dhe funksionimin e sistemeve kompjuterike të nevojshme për të mirëmbajtur infrastrukturën e IA.
Projekti planifikon të ndërtojë infrastrukturën e IA në të gjithë SHBA, të krijojë mijëra vende të reja pune dhe të dyfishojë përparësinë amerikane në zhvillimin e IA. “Stargate” do të ndërtojë qendra gjigande të dhënash dhe një sistem energjetik të aftë për t’i ushqyer ato. Përpjekjet do të përqendrohen në zhvillimin e teknologjive transformuese të AI, së pari për të forcuar sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe kujdesin shëndetësor, ku teknologjia mund të revolucionarizojë diagnostikimin, zbulimin e hershëm të sëmundjeve, madje edhe vaksinimet kundër kancerit. Presidenti Trump, si dhe drejtuesit e “Stargate”-it e konsiderojnë këtë projekt si gjëja më e rëndësishme e kësaj epoke në të mirë të të gjithë njerëzimit, që dëshmon besim në potencialin e Amerikës për të siguruar të ardhmen e teknologjisë të IA dhe, veçanërisht, të AGI-së (Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale). Tani më, kompanitë e “Stargate”-it kanë siguruar 100 miliardë dollarë me synim që projekti, përfundimisht, të arrijë të shpenzojë të 500 miliardë dollarët e parashikuara për katër vitet e ardhshëm. Tetorin e kaluar, kompania e menaxhimit të investimeve, “Blackstone”, arriti në përfundimin se gjatë pesë viteve të ardhshëm, SHBAtë do të investojnë 1 trilion dollarë në qendrat e të dhënave, ndërsa investimet e Bashkimi Europian për zhvillimin e IA, sot janë shumë të kufizuara: ato arrijnë në rreth 1.5 miliardë euro.
NJË PROJEKT I HERSHËM
“Stargate” e ka zanafillën në administratën Bajden. Drejtori ekzekutiv i “OpenAI”, Altman, ka diskutuar planet për një sipërmarrje prej 100 miliardë dollarë, të quajtur “Stargate”, të paktën, që nga marsi 2024. Në qershor 2024, “OpenAI” dhe “Oracle” ranë dakord për të ndërtuar në Abilene, Teksas, një nga qendrat e të dhënave të “Stargate”-it. Po kështu, vjeshtën e kaluar, në një letër drejtuar Departamentit të Tregtisë, “OpenAI” shkruan se planifikimi dhe lejimi i projekteve të tilla “mund të jetë i gjatë dhe kompleks, veçanërisht për infrastrukturën energjetike”.
ZHVLEFTËSIMI I VENDIMEVE TË PRESIDENTIT BAJDEN PËR MBIKËQYRJEN E IA
Po ditën e deklarimit të “Stargate”-it, Presidenti Trump vendosi të zhvleftësonte urdhrin ekzekutiv të Presidentit Bajden, që u kërkonte kompanive të IA të merrnin masa për të parandaluar përhapjen e të pavërtetave të gjeneruara nga algoritmet dhe mundësitë që IA u ofron terroristëve të ndërtojnë armë biologjike. Drejtuesit dhe investitorët e mirënjohur të Silicon Valley-it, përfshirë ata që kontribuuan në rizgjedhjen e z. Trump, i kishin kundërshtuar prej kohësh këto rregulla. “Net Choice”, një grup lobimi i kompanive “Google”, “Meta” dhe “Amazon”, mirëpriti anulimin e shtrëngesave Bajden, duke e konsideruar si hapin e duhur për forcimin e lidershipit global të Amerikës në zhvillimin teknologjik. Nga ana tjetër, ngritja e një numri të madh qendrash të të dhënave ka rritur, gjithashtu, kërkesën për energji elektrike dmth., që administrata do të ruajë edhe ato termocentrale me qymyr, që më parë ishin planifikuar të mbylleshin. Përkrahësit e rregullave mbikëqyrëse argumentojnë se ato janë të nevojshme jo vetëm për të shmangur rreziqet dhe dëmet e mundshme, por edhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik, pasi ato bindin dhe u krijojnë njerëzve besimin se IA është një dukuri e sigurt për t’u përdorur.
“Shfuqizimi i motivuar politikisht pa u zëvendësuar me një gjetje efikase është vetëshkatërrues për vendin tonë dhe i rrezikshëm për popullin tonë dhe botën”, – deklaroi Alondra Nelson, anëtare e Grupit Këshillimor të Nivelit të Lartë të OKB-së për Inteligjencën Artificiale dhe ishanëtare e lartë në Qendrën për Progresin Amerikan. “Kjo do ta lërë publikun amerikan të pambrojtur nga rreziqet dhe dëmet e IA dhe për rrjedhojë, të paaftë për të marrë përfitimet që mund të sjellë IA”, – përfundon ajo. Po kështu, Deborah Raji, studiuese e Inteligjencës artificiale dhe bashkëpunëtore e “Mozilla”-s që Revista Teknologjike e MIT (Massachusetts Institute of Technology) dhe “Forbes” e konsiderojnë si një nga inovatoret e reja më të mira të botës, vëren se anulimi i urdhrit ekzekutiv të zotit Bajden si ambicie e zotit Trump për të fuqizuar liderët e biznesit risjell “epokën e Perëndimit të Egër” për produktet e AI. “Ata do të fuqizohen të ndërtojnë modele dhe t’i hedhin ato kudo, pa marrë shumë parasysh sigurinë”, – thotë ajo. Në një shkrim të së përditshmes “New York Times”, Cecilia Kang and Cade Metz, reporterë për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, venë në dukje se për favore ekonomike dhe për të mbrojtur veten nga rregullat Bajden, në muajt e fundit të fushatës elektorale presidenciale, si dhe për ceremoninë e betimit, drejtuesit e mëdhenj të IA i dhuruan zotit Trump miliona dollarë. Kësisoj, ditën e betimit, z. Altman, si dhe shefat e “Google”, “Apple” dhe “Meta” zunë vende kryesore në Capitol Rotunda.
DYSHIME
Elon Musk, themeluesi i “SpaceX”, drejtor ekzekutiv dhe pronar i produkteve të “Tesla”, i “X” (dikur “Twitter”), i “The Boring Company”, “X Corp” dhe “xAI”, si dhe kryetar i Departamentit për Efikasitetin e Qeverisë (Department of Government Efficiency), pas zgjedhjeve presidenciale, hodhi dyshime mbi njoftimin e parë të bujshëm të Presidenti Trump për investime në teknologjinë e IA, kur tha se sipërmarrja e quajtur “Stargate” nuk kishte financimin e duhur për të arritur nivelet e premtuara të investimeve. Kësisoj, prezantuesi i njohur i podkastit MAGA dhe strategu i Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së parë Trump, Stephen K. Bannon, vëren se asnjë këshilltar nuk duhet të lejohet të vendosë interesat e veta personale përpara atyre të Presidentit të SHBA. Më tej, ai i bën thirrje drejtoreshës të Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, t’i tërheqë vërejtjen Muskut që t’i përmbahet detyrës së vet dhe të gjejë brenda afatit kohor 2 trilionë dollarët që do t’i shkurtohen buxhetit federal. “Ju keni një mandat të madh për të shkurtuar shpenzimet e qeverisë”, – i drejtohet ai Elon Muskut. “Nuk e di nëse mandati juaj u jep të drejtën të gjykoni investimet për të cilat presidenti është krenar që po kryhen në kohën e tij. Nuk është e pranueshme. Kjo ka të bëjë me funksionin e Shtëpisë së Bardhë”, -vazhdon më tej Bannon.
RETROSPEKTIVË
Kritikët e Presidentit Trump vërejnë se ai trumbeton si fitoren e vet politike historinë e investimeve teknologjike në sektorin privat. Por, përfitimet që ai premton nuk janë realizuar gjithmonë dhe disa nga iniciativat që ai ka ngritur lart kanë qenë planifikuar para betimit të tij. Në mandatin e vet të parë, vijojnë ata, Trump e quajti “Mrekullia e Tetë e Botës” një plan prej 10 miliardë dollarësh për të krijuar një kampus prodhimi të Foxconn në Wisconsin. Por, ky plan, që synonte të krijonte 13,000 vende të reja pune nuk u realizua. Në nëntor 2016, ai përuroi një projekt për të ruajtur vendet e punës në një fabrikë ajri të kondicionuar në Indiana, por më pas fabrika shkurtoi edhe 500 vende pune të tjera, pavarësisht se mori stimuj nga guvernatori i atëhershëm i shtetit, Zëvendëspresidenti Mike Pence.
BASHKIMI EUROPIAN
Analistë të ndryshëm dëshmojnë se atë që ëndërronte Mario Draghi, ish-Presidenti i Bankës Qendrore Europiane dhe ish-Kryeministër i Italisë, e shpalli Presidenti Trump. Ky është një mesazh i thjeshtë dhe efektiv që Bashkimi Europian ende nuk është në gjendje ta japë. Është mesazhi i një fuqie, që i vendos vetes objektivin për të qenë në krye të një kufiri të ri të zhvillimit teknologjik, kurse BE-ja është ende duke u marrë me diagnozën e rënies së saj ekonomike. Raporti i Draghi-t i 9 shtatorit 2024, që trajton konkurrencën evropiane dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian thekson se hendeku midis Europës dhe SHBA kërcënon të zgjerohet edhe më tej në dobi të Shteteve të Bashkuara, që më 21 janar dhanë një shfaqje force kur deklaruan projektin e vet politik, përparimin teknologjik dhe kapacitet investuese.
Europianët gjithmonë mund të kundërpërgjigjen dhe të thonë se këto janë investime, që janë bërë të njohura qysh më herët, se aktorët e këtij sektori nuk kanë pritur zotin Trump të paralajmëronte revolucionin në zhvillim të IA, se ky financim ende nuk është siguruar përfundimisht dhe se krijimi “i menjëhershëm” i 100 000 vendeve të reja pune është më shumë një slogan sesa realitet ekonomik. Megjithatë, është më se e qartë që Europa, edhe një herë, do të përballet me të gjitha vështirësitë e mundshme për t’u përgjigjur. Aftësitë e veta, vijojnë ekspertët e BE-së, janë të fragmentuara, proceset e saj të vendimmarrjes janë ende të mundimshme dhe mundësia e BE-së për të tërhequr investime për projekte 500 miliardë dollarësh në Inteligjencën Artificiale nuk mund të konkurrojë me atë të Shteteve të Bashkuara. Ajo mbetet ende e strukur në pozicione mbrojtëse përballë sulmeve të rivalëve të vet.
Iniciativat i ka të kufizuara në standarde dhe për të dhënë iluzionin e veprimit lëshon një tym investimesh. Ngathtësia e Komisionit të ri Europian për të marrë vendime, edhe gati pas një viti nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare, nuk u përgjigjet dot zhvillimeve të sotme botërore. Për të zbutur këtë kontrast të ngurtë, gjithçka duhet rishikuar, mbi të gjitha, qeverisja, dmth.,: mënyra për të mobilizuar kapitalin dhe iniciativat. Të njëzet e shtatë anëtarët e BE-së duhet të përqendrohen në fushat ku BE është efektive. Kësisoj, do të jenë në gjendje të përballojnë kërcënimet ndaj sovranitetit europian dhe të pengojnë rreziqet, që e kthejnë BE-në në një vasal që zvarritet. Po, kush është në gjendje ta bëjë këtë? Pyesin këta ekspertë. Të dy ekstremet e Parlamentit të BEsë besojnë se Europa është problemi dhe jo zgjidhja. Pjesa tjetër e klasës politike europiane, çuditërisht, është e kënaqur. Por, tani është koha për të vepruar. Historia nuk përsëritet kurrë.
/Gazeta Panorama