Aktiviteti i lartë sizmik në Santorini/ Qytetarët të shqetësuar për tërmetet, mbyllen shkollat edhe në ishujt përreth
Pas mbylljes së shkollave për pesë ditë në Santorini, mësohet se institucionet arsimore do të mbyllen edhe në ishujt përreth siç janë Mykonos, Paros dhe Tinos.
Ky zhvillim vjen si pasojë e aktivitetit të lartë sizmik në Santorini në shtatë ditët e fundit, ku sipas EMSC janë regjistruar mbi 555 tërmete të magnitudave nga 2 Rihter deri në 5.1 Rihter.
“Për shkak të aktivitetit intensiv sizmik në Santorini, shkollat, kopshtet publike dhe çerdhet në Paros do të mbyllen për arsye parandalimi ditën e martë, 4 shkurt dhe të mërkurën, 5 shkurt”, njoftuan autoritete në Paros dhe Tinos.
Ndërkohë që në Mykonos mbyllja e shkollave është vetëm për nesër 4 shkurt.
Banorë të shumtë të ishullit të Santorinit dhe turistë që kishin shkuar atje për pushime janë dyndur drejt aeroportit për t’u larguar nga ishulli për shkak të aktivitetit të lartë sizmik që është regjistruar në vend ditët e fundit.
Komiteti i Sizmologëve u mblodh mesditën e sotme në prani të ministrit të krizës klimatike, Vasilis Kikilias dhe zv.ministrit Evangelos Tournas.
U vendos që shkollat të qëndrojnë të mbyllura deri të premten, më 7 shkurt, në Thira , Anafi , Ios dhe Amorgos , ndërsa qytetarëve iu dhanë një sërë rekomandimesh për të shmangur pasojat e mundshme nga një tërmet.
Qytetarët këshillohen të mos banojnë në ndërtesa të vjetra, në rast lëkundjesh të forta, të mos i afrohen bregdetit, të mos bëjnë panik dhe t’u binden autoriteteve.