Tenderat publike, Rama: Po punojmë me Microsoft për ndërtimin e një AI që do përmirësojë sistemet e prokurimit! Qeveria shqiptare do ketë të drejtën e autorit
Kryeministri Edi Rama, përgjatë fjalimit të tij në prezantimin e raportit të OCDE/SIGMA, foli dhe për çështjen e prokurorimeve publike, ku ndau lajmin e bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me kompaninë teknologjike Microsoft.
Sipas Ramës, Shqipëria do të ketë një sistem të saj për përmirësimin e tenderave, dhe e drejta e autorit për këtë sistem i mbetet qeverisë shqiptare.
Kreu i qeverisë bën me dije se ky model i inteligjencës artificiale, do të përmirësojë sistemet e prokurorimit në vend, teksa shton se “në një periudhë kohe të arsyeshme do mund të bëjmë një hap të jashtëzakonshëm përpara. Po punojmë me Microsoft në mënyrë intensive”
Sakaq, Rama shprehet se Shqipëria do të mund të shesë këtë sistem operimi edhe vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat do të shfaqin interes për përmirësimin e sistemeve të prokurimit.
Edi Rama: Kjo do të bëjë që prokurimet të jenë shumë herë më tepër transparente, të jenë shumë më të shpejta, të krijojnë shumë më tepër mundësi për punonjësit e administratës që të merren me çështjet e tjera sepse vetëm të numërosh sa komisione prokurimesh ngrihen në Shqipëri dhe sa punonjës në të gjitha nivelet futen nëpër komisione prokurimi, janë një ushtri e tërë, me dhjetëra e mijëra njerëz, që normalisht nuk janë as të detyruar e as mund t’ia kërkosh që të dinë çdo gjë për sesi bëhet një proces prokurimi. Ndërkohë që me sistemin që po ndërtojmë, në një periudhë kohe të arsyeshme do mund të bëjmë një hap të jashtëzakonshëm përpara. Po punojmë me Microsoft në mënyrë intensive. Kemi siguruar që të drejtën e autorit do ta ketë qeveria shqiptare. Kështu që, pasi ta mbarojmë edhe do ia shesim atyre që duan të përmirësojnë sistemet e prokurimit edhe ndonjë vendi të Bashkimit Europian po ta kërkojë , do ia japim me shumë kënaqësi.