Wed, Feb 5, 2025

Kurbinasit dhe çerekfinalet, Partizani përballë dy “maktheve” në Laç

  • PublishedFebruary 4, 2025

Kurbinasit dhe çerekfinalet, Partizani përballë dy “maktheve” në Laç

Partizanit i janë bërë plot 21 vite që nuk arrin të fitojë Kupën e Shqipërisë. Të kuqtë dështuan të dilnin fitimtarë në dy betejat e vjetshme çerekfinale ndaj Kukësit dhe rrumbullakosën plot dy dekada pa prekur finalen, njëkohësisht edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë, të cilin për herë të fundit e kanë ngritur fituar në sezonin 2003-2004, kur triumfonin në finale ndaj Dinamos.

Më pas gjithçka ka ngjarë me një mallkim të madh për të kuqtë, që kanë parë të eliminohen në ndeshje të çuditshme ndaj kundërshtarëve si Sukthi, Kamza apo Besëlidhja (dy herë). Çerekfinalet, turi ku ndodhen aktualisht, janë tersi më i madh, pasi janë eliminuar plot 10 herë në këtë fazë.

Gjithashtu, Laçi është një nga rivalët më të vështirë dhe të sikletshëm në Kupë, pasi kurbinasit e kanë eliminuar plot tri herë në vitet 2015, 2016 dhe 2021, të tria në çerekfinale. Të kuqtë do të duhet të mposhtin edhe “makthet” e së shkuarës.

Kjo e së mërkurës është beteja e dytë me Laçin në harkun e pak ditëve. Të shtunën dy ekipet u ndeshën për kampionat dhe barazuan pa gola në një sfidë ku kurbinasit ishin më dominues. Partizani do të kërkojë “autokritikën”.


AlbaniaWeb.net