INTERVISTA/ “Arena e Demave” zgjedhje taktike e Partizanit”, Muça: Fiton Tirana (VIDEO)
Gentian Muça, ish-kapiteni i Tiranës, mendon se vendimi për të çuar derbin në “Arenën e Demve”, ishte një strategji e menduar nga klubi i kuq.
Në intervistën e dhënë për “Sport News” në “News 24”, Muça theksoi se kjo ishte një strategji e klubit pasi kështu Tirana për herë të parë do ta shihte veten duke luajtur një derbi në fushë kundërshtare, pasi më parë në stadiumet e kryeqytetit tifozeritë janë ndjerë të barabarta.
Në bashkëbisedimin e tij me moderatoren Trevisa Tufa, Muça u shpreh optimist se Tirana mund të merrte një rezultat pozitiv nga kjo sfidë, duke kujtuar se Partizani ka qenë nën nivel në dy sfidat e luajtura në këtë sezon përballë bardhebluve.
Gent, do shkosh në stadium, ke siguruar biletë? Të duket e drejtë që kjo sfidë të luhet në “Arenën e Demave”?
Ndeshjet derbi padiskutim që mezi i prisnim dhe interesi ishte i madh nga sportdashësit, jo vetëm tifozeritë respektive. Por në një stadium me 4 mijë vetë padyshim do të jetë shumë e vështirë që të sigurohet një biletë. Aq më tepër që jemi në një fazë të kampionatit ku është ndeshje shumë e rëndësishme për të dy skuadrat për objektivat që kanë. Kjo gjë mund të shmangej fare lehtë se jo pak fjalë dhe zëra ka pasur për sigurinë në atë stadium, duke pasur parasysh edhe problematikat e të dyja tifozerive, aq sa i japin bukuri, por gjithashtu mund të ketë edhe probleme mes tyre. Nuk do të dëshironim që kjo ndeshje të prishej nga diçka e tillë, Ashtu sikurse është bërë me ndeshje të tjera, në mungesë të “Arenës Kombëtare”, është gjetur zgjidhja në “Elbasan Arena”. Çdo gjë ka shkuar mirë, nuk e di arsyen e vërtetë të kësaj zgjidhje për të luajtur në “Arenën e Demave”. Por mendoj që është bërë një zgjedhje taktike nga ana e skuadrës së kuqe se për herë të parë do bie poshtë, ose më saktë, do shfrytëzohet faktori fushë në këtë rast. Nëse më parë në “Arenën Kombëtare” apo “Selman Stërmasi” kanë qenë të barabarte, kjo do të jetë hera e parë për skuadrën e Tiranës që luan në fushën e skuadrës së Partizanit.
Të shqetëson tabela Muça, është realisht kaq e madhe diferenca mes dy ekipeve?
Për hir të së vërtetës, nëse do të bënim krahasim të kampionatit, po, ka pasur diferenca në lojëra, në ulje-ngritje, më së tepërmi ajo e Tiranës. Por nëse do të bëjmë krahasim të dy ndeshjeve, e para me Shkëmbin dhe e dyta me Maganin, për fat skuadra e Partizanit nuk i ka humbur. Ka bërë ndeshje nën nivelin e saj. Tirana, nëse do të kishte pasur qetësinë e duhur, mund të kishte dalë me pikë të plota nga ato ndeshje
A e vendos ky derbi fatin e Tiranës, a mund të ndikojë ky takim për pjesën e mbetur të sezonit?
Padiskutim do të kishte impakt negativ shumë të madh nëse do të humbiste. Barazimi nuk them se nuk i bën punë, por fitorja i jep një tjetër marsh e entuziazëm dhe do ishte i treti rezultat pozitiv për trajnerin Shkëmbi. Sigurisht do i nxirrte nga një ngërç psikologjik që i ka shkaktuar jo pak gjendja në tabelën e klasifikimit.
Nëntë ndeshje pa fitore në derbi, a mund të jetë ky momenti për t’u rikthyer, a beson te ky ekip?
Nëse do ta merrnim kështu, duke shtuar edhe aspektin psikologjik të 9 ndeshjeve pa fitore, padiskutim do të ishte e vështirë dhe do të kishte pak nota optimiste. Por duke parë krahasimin edhe një herë si janë përballur, e shoh skuadrën e Tiranës më të avantazhuar. Por siç e thashë, agresiviteti është shumë i rëndësishëm për këtë skuadër se e kam thënë që harxhon shumë mund për të shënuar ato gola dhe më pas i pëson me shumë lehtësi. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, aq më tepër në një ndeshje derbi.
A mund të më japësh një parashikim?
0-1 do të mjaftonte për një gëzim te bardheblutë.
Në pritje të derbit dhe për të kuptuar më shumë për fatin e Tiranës, kë sheh ekipin favorit për të fituar titullin këtë sezon? Cili është ekipi më i kompletuar në këndvështrimin tënd?
Favorite kryesore mendoj se është Egnatia. Përveçse ka ruajtur boshtin e saj është përforcuar, ka bërë merkato. Por nuk me vjen mirë për faktin se të katër skuadrat janë shkëputur dhe kanë vendosur “Final Four”, kanë zbehur disi luftën me pjesën tjetër. Egnatian e shoh të avantazhuar, më pas vjen Dinamo. Vllaznia është e vërtetë që është brenda katërshes, por ka pasur ulje-ngritje, pa stofin e kampionit. Partizanin jo se e shoh më pak favorit, por ka zhvilluar ndeshje më të dobëta se tre skuadrat e tjera.
(/News)