FOTO/ “Kolo Mania”, “bomberi” francez “zgjon” Juven, “Zonja e Vjetër” kap zonën Champions (VIDEO)
Juve “ringjallet” me Kolo Muanin. “Zonja e Vjetër” shijon afrimin e bujshëm të janarit, me “bomberin” francez që është kthyer në lider absolut ku në tre ndeshjet e fundit ka realizuar 5 gola, ka bërë më mirë edhe se legjenda Roberto Baggio. Juve doli me tre pikë nga transferta përballë Como-s pas suksesit 2-1, por vuajtën jashtëzakonisht shumë, me ekipin e Fabregas që zhvilloi një futboll cilësorë, një futboll ofensivë duke filtruar me golin e avantazhit, por Di Gregorio ishte në një mbrëmje fantastike.
Pikërisht në momentin më të mirë të Como-s, Kolo Muani me një “predhë” të vërtetë brenda në zonë në minutën e 35-të gjeti golin e parë. Pavarësisht golit të pësuar, Como nuk hoqi dorë nga faza ofensive dhe në limitet e pjesës së parë, Diao me kokë barazoi shifrat në 1-1.
Në fraksionin e dytë, Como i shkoi sërish shumë pranë golit të avantazhit, por Di Gregorio me këmbë mbajti Juven në lojë. Ekipi i Thiago Motta-s pësoi një rënie të ndjeshme, krijuan pak ose aspak, por për t’i dhënë ndeshjes një tjetër rrjedhë mendoi gjyqtari i takimit i cili akordoi penallti për faull ndaj Gatti-t në zonë në minutën e 87-të. Nga pika e bardhë, Kolo Muani u tregua i saktë duke i dhuruar Juves fitoren.
Suksesi i Juves përballë Comos, mori faqet e para të mediave italiane: “Kolo Mania”, shkruan La Gazzetta në faqen e parë.