Zgjedhjet parlamentare/ Nis votimi i diasporës në përfaqësitë diplomatike të Kosovës!
Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë kanë nisur votimin në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas kohës lokale në Kosovë.
Votimi më 8 shkurt zhvillohet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.
Kjo është hera e parë që pjesëtarët e mërgatës mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha në një konferencë për media se për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues.