Sun, Nov 24, 2024

Zbulohet baza e falsifikimin të dokumenteve të identitetit, 3 persona të arrestuar në Tiranë, porositë bëheshin në “Tik-Tok”

  • PublishedJune 13, 2023

Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një bazë për falsifikimin të dokumenteve të identitetit që përdoren për kalim të paligjshëm të kufirit në shtete të ndryshme, tre të arrestuar.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u bë me dije se zyra kombëtare Europol Tirana, ka dërguar informacion se Policia Federale Gjermane, Inspektoriati i Aeroportit Frankfurt po kryen analiza operacionale në kuadër të operacionit ‘WATERMARK’.

Operacioni mbulon një numër të madh zbulimesh të shtetasve shqiptarë që tentuan të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar nëpërmjet aeroporteve të ndryshme në Gjermani duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara.

Në datën 09.11.2022 në aeroportin e Hanoverit është arrestuar një çift shqiptar të cilët po tentonin të fluturonin për në Londër duke përdorur dokumenta greke të falsifikuara. Pasaportat përmbanin një përzjerje të filigranteve S të dyfishtë dhe gjysmëhënë, gjithashtu përmbanin një çip të lexueshëm. Shtetasit e arrestuar janë O.N. dhe K.L., dhe gjatë hetimeve u konstatua se një i afërm i tyre kontaktoi me një falsifikues në Shqipëri nëpërmjet rrjetit ‘Tik-Tok’, profili “passaporaeurope”.

Në vijim të hetimeve nga ana e Prokurorisë Tiranë, të kryera me metoda speciale të hetimit si blerje e simuluar, vëzhgime, etj, u zbulua mekanizmi ku shtetas të ndryshëm porosisnin dokumente të falsifikuara duke përfshirë pasaporta tek shtetasi M.H., dhe ky i dërgonte porositë në laboratorin në Kosovë ku dhe kryheshin falsifikimet. Këto dokumente më pas dërgoheshin në destinacion nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre që kamuflonin këtë veprimtari të kundraligjshme duke u marrë me transportin e udhëtarëve nga Kosova në Shqipëri dhe më gjerë. Pas një veprimtarie të gjatë hetimore u arrit të dokumentoheshin shkeljet dhe të arrestoheshin shtetasit M.H., Sh. H dhe I.H.

Prokuroria është në komunikim edhe me organet ligjzbatuese të Kosovës duke transmetuar gjithë informacionin e duhur me qëllim dokumentimin dhe goditjen e bazës ku prodhohen dokumentet e falsifikuara të cilat përdoren në shtete të ndryshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.