E gjen Partizanin në ngërç, Egnatia do “mrekullinë e nëntë”
Egnatia luan të shtunën për “mrekullinë e nëntë”, ku do të presë në shtëpi skuadrën e Partizanit. Duket se rrogozhinasit po i marrin maksimumin këtij fillimi të vitit, duke avancuar në Kupë, ku kanë prekur gjysmëfinalen dhe njëkohësisht mbajtur vendin e parë në kampionat.
Më shumë sesa kaq nuk mund t’i kërkosh ekipit të Edlir Tetovës, që ka thyer madje edhe rekordet e ekipit të sezonit të kaluar, ku arriti të fitojë gjithçka të mundshme në futbollin shqiptar. Megjithatë, rrogozhinasit kanë ende punë përpara dhe aktualisht drejtuesit po përpiqen që të mbajnë me këmbë në tokë skuadrën dhe lojtarët.
PARTIZANI – Kundërshtari i kësaj jave është një rival i drejtpërdrejtë i Egnatias, teksa me Partizanin diskutoi sezonin e kaluar edhe finalen për titullin kampion. Ndeshje të tilla kanë vlerë të dyfishtë, sepse mund ta dërgojnë diferencën në +8 dhe ta nxjerrin ekipin e kuq në njëfarë mënyre nga gara për vendin e parë. Me këtë synim pritet që Tetova të fusë në fushë lojtarët e tij, i vetëdijshëm që nga ana tjetër një tri pikësh ndaj rivalëve do të vlente shumë edhe në aspektin moral.
Ndaj të kuqve është pikërisht momenti ku kampionët duhet të tregojnë “dhëmbët” dhe të konfirmojnë momentin e mirë që po kalon. Në fakt, me ekipin e Veselinoviç nuk i kanë aspak në favor bilancet e këtij sezoni. Thuhet kështu, pasi është i vetmi nga rivalët e “Final 4” që nuk i kanë mundur dot, por kanë koleksionuar një barazim dhe një humbje. Dinamon dhe Vllazninë i ka mundur nga një herë, ndaj tani i mbetet të mposhtë edhe Partizanin për të kompletuar fitoret me të gjitha rivalët direkt.
HUMBJA E VETME – Në bilancin e kampit rrogozhinas sa i përket ndeshjeve në shtëpi është edhe një humbje e vetme. Ajo i ka ardhur pikërisht nga Partizani, pikërisht më 27 shtator në shifrat 0-2. Ai rezultat e futi edhe në një minikrizë në atë periudhë, por që gjithsesi kampionët e kapën sërish ritmin në javët në vazhdim.
Në njëfarë mënyre Egnatia ka edhe “hesape” për të larë me kryeqytetasit, të cilët janë dobësuar paksa krahasuar me ekipin që nisi sezonin. Kjo është një arsye më shumë për të pretenduar dhe besuar tek fitorja këtë të shtunë përballë tifozëve të saj.