Sat, Mar 15, 2025

Maignan ndëshkon Milan, “djalli” bie në Roterdam, por Conceiçao beson: Është vetëm akti i parë

  • PublishedFebruary 13, 2025

Maignan ndëshkon Milan, “djalli” bie në Roterdam, por Conceiçao beson: Është vetëm akti i parë

Një gafë e Maignan ndërlikon aventurën e Milan në Champions League, me “djallin” që zhgënjeu në “De Kuip” të Roterdamit, teksa pësuan një humbje 1-0 përballë Feyenoord. Më 18 shkurt, në “San Siro”, në ndeshjen e kthimit, kërkohet një Milan perfekt për të mos e kthyer në dështim këtë aventurë në Champions.

Sergio Conceiçao hodhi një formacion ndryshe, ku për herë të parë, dy afrimet e bujshme të janarit, Joao Felix-Gimenez e nis sfidën si titullar, por në mënyrë të papritur, pas vetëm 3 minutash lojë, Igor Paixao me një goditje nga distanca kapi të papërgatitur Maignan duke bërë që Feyenoord të kalonte në avantazh. Pak minuta më vonë, Paixao flirtoi edhe më golin e dytë, por goditja e sulmuesin brazilian u përplas në traversë.

Në fraksionin e dytë, Feyenoord uli ritmin, ndërsa Milan filloi të shihte më shumë drejt sulmit. Fillimisht ishte Reijnders që provoi me një kthesë të bukur, ndërsa pak minuta më pas ishte radha e Chukwueze-s, me këtë të fundit që tentoi me një goditje nga distanca, por qendrore. Në fund, provoi edhe Joao Felix, por goditja e sulmuesit portugez ishte e lehtë, duke bërë që rezultati të mbetej i pandryshuar, me Feyenoord që shkon në Milano me një bonus të rëndësishëm për të synuar kualifikimin.

Nuk e priti mirë këtë humbje Sergio Conceiço, por trajneri i Milan beson, fundja ky ishte vetëm akti i parë: “Jemi në mes të një eliminatoreje, ka ende edhe 90 minuta të tjera. Ne e dinim që do të ishte e vështirë. Ata ishin agresiv, fituan shumë duele duke na e bërë më të vështirë. Kishim disa raste, të paktën për të barazuar, por nuk u treguam efikas. Ishim dhe të pafat në golin e pësuar”, u shpreh Conceiçao në konferencë për shtyp.

  • foto galeri
  • foto galeri

Gafa e Maignan dhe disfata në Roterdam mori vëmendjen e mediave italiane.

()


AlbaniaWeb.net