“Basha një kufomë politike që bashkëpunon me Ramën”, Salianji: Opozita të rikonceptohet e riformatohet. PD s’është më një parti, por një grumbull interesash personale
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, duke komentuar situatën në Partinë Demokratike, ka deklaruar se kjo nuk është më një parti, por një grumbull interesash personale.
I ftuar në studion e “Frontline” në News24 me gazetaren Marsela Karapanço, ai u shpreh se ish- kreu i PD Lulzim Basha nuk është larguar kurrë nga PD, ndërsa e ka quajtur atë një kufomë politike.
Salianji shtoi se opozita duhet të riformatohet e të riorganizohet, ndërsa për PD tha se është një parti e konfiskuar nga qeveria.
“Nuk ka asnjë proces, nuk ka asnjë parti që funksionon por vetëm një grumbull interesash personale. S’mund të ngelemi peng i një konvencioni.
Qeveria ka konfiskuar vulën e siglën, këtu qeveria ka vjedhur edhe një parti politike. PD është e konfiskuar.
PD që nuk është sigla e vula dhe disa zyrtarë por demokratët që mbajnë koto e sakrifica për të mbajtur në këmbë PD e opozitën, janë ata që janë pronarët e vërtetë.
Opozita të rikonceptohet e riformatohet.
Sot PD e drejtuar nga praktikisht Lulzim Basha, sot është në koalicion me qeverinë. Opozita ka detyrimin tu mundësojë qytetarëve që të votojnë për një parti tjetër. Ai si i kthyer si jo është një kufomë politike. As nuk ka ikur as nuk është kthyer. Është aty nëpër këmbë”, tha ai.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–