Fri, Feb 21, 2025

Zhvendosja e strategjisë amerikane

  • PublishedFebruary 19, 2025

Zhvendosja e strategjisë amerikane

NGA DR. DAEL DERVISHI 

Në një devijim të dukshëm nga diplomacia tradicionale transatlantike, Shtetet e Bashkuara kanë përjashtuar Bashkimin Evropian nga bisedimet, kyçe për paqen në Ukrainë, të planifikuara në Arabinë Saudite me pjesëmarrjen vetëm të Rusisë. Ky veprim ka ndezur debate mbi thellësinë e çarjeve mes Uashingtonit dhe Brukselit, duke zbuluar tensione dhe ndryshime strategjike, që po riformatojnë aleancat globale. Nëse dikur Perëndimi operonte mbi bazën e një bashkëpunimi të ngushtë midis dy poleve kryesore të tij, SHBA-ve dhe BEsë, sot dinamika duket se po evoluon në një kahje më unilaterale, ku Uashingtoni kërkon të vendosë për fatin e Evropës, por pa Evropën në tavolinë. Në sfondin e kësaj lëvizjeje gjendet një transformim i thellë i ekuilibrave të fuqive globale.

Në zemër të këtij ndryshimi është rritja e Kinës, e cila nuk është më thjesht një gjigant ekonomik, por një sfidues i drejtpërdrejtë i dominimit amerikan në teknologji, tregti dhe gjeopolitikë. SHBA, e cila historikisht ka funksionuar nëpërmjet aleancave të saj perëndimore, duket se po përpiqet të ridimensionojë këto marrëdhënie, duke kërkuar një qasje më selektive dhe më të drejtpërdrejtë ndaj sfidave globale. Në këtë kontekst, përjashtimi i BE-së nga një çështje me peshë të madhe si lufta në Ukrainë është një sinjal i qartë se Uashingtoni kërkon të mbajë kontrollin e narrativës dhe të vendimeve strategjike, pa ndërlikimet burokratike të Brukselit. Kjo lëvizje nuk është e izoluar, por pjesë e një strategjie më të gjerë amerikane për të diktuar drejtimin e politikave evropiane në disa fusha kyçe, si më poshtë: Në aspektin ekonomik dhe tregtar, BE-ja ka vendosur një regjim rregullator gjithnjë e më të pavarur nga SHBA-të, i cili sfidon dominimin amerikan në sektorë të rëndësishëm. Rregullore si ato të GDPR, Akti i Tregjeve Dixhitale (DMA) dhe Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA) kanë krijuar barriera për gjigantët amerikanë të teknologjisë, duke vendosur standarde të reja për privatësinë dhe konkurrencën. Po çfarë janë këto tri akte?

-GDPR (General Data Protection Regulation) është rregullorja e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë e qytetarëve brenda BE-së dhe të dhënave të individëve të BE-së jashtë saj. Ajo vendos disa standarde të rrepta mbi mënyrën se si kompanitë mbledhin, ruajnë dhe përdorin të dhënat personale, duke përfshirë të drejtën e individëve për të kontrolluar informacionin e tyre.

-DMA (Digital Markets Act) është një akt i BE-së që synon të rregullojë tregjet digjitale, duke frenuar fuqinë e platformave të mëdha teknologjike, si “Google”, “Apple”, “Amazon”, “Meta”, “X” dhe “Microsoft”. Ai parandalon sjelljet monopolistike dhe detyron këto kompani të hapin ekosistemet e tyre për konkurrencën.

-DSA (Digital Services Act) është një rregullore e BE-së, që synon të krijojë një hapësirë digjitale më të sigurt dhe të drejtë. Ai vendos detyrime mbi rrjetet sociale për të luftuar përmbajtjen e paligjshme, dezinformimin dhe abuzimet në internet. Gjithashtu, detyron kompanitë të jenë më transparente për algoritmet e tyre dhe mënyrën se si funksionon reklamimi digjital.

Uashingtoni, i cili e sheh këtë si një pengesë për kompanitë e tij, po përdor presionin diplomatik dhe ekonomik për të orientuar rregulloret evropiane drejt një qasjeje më të favorshme për interesat amerikane. Nga ana tjetër, në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, retorika e Uashingtonit në mbështetje të një mbrojtjeje më të fortë evropiane ka qenë e dyfishtë. Nga njëra anë, SHBA-të inkurajojnë Evropën të rrisë shpenzimet e saj për mbrojtjen. Nga ana tjetër, ka një shqetësim të thellë se një Evropë më autonome mund të veprojë ndonjëherë jashtë linjës amerikane, duke negociuar drejtpërdrejt me aktorë si Rusia apo Kina. Përjashtimi i BE-së nga bisedimet për Ukrainën mund të shihet si një mesazh për liderët evropianë që të mos zhvillojnë një politikë të jashtme të pavarur nga ombrella e NATO-s, e dominuar nga SHBA-të. Në fushën e teknologjisë dhe mbrojtjes së mjedisit, përplasja mes dy blloqeve është po aq evidente. BEja, me Paktin e Gjelbër Evropian (European Green Deal) dhe mekanizmat si CBAM (Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit) po imponon standarde të reja për tregtinë ndërkombëtare, të cilat mund të dëmtojnë eksportet amerikane. SHBA-të, ndërkohë kërkojnë të mbajë dominimin e saj teknologjik përballë Kinës, duke u përballur shpesh me politikat e rrepta të Brukselit kundër gjigantëve amerikanë të teknologjisë. Përjashtimi i BE-së nga bisedimet për Ukrainën nuk është një rastësi, por një lëvizje e llogaritur me disa objektiva të qarta.

Së pari, Uashingtoni kërkon një dialog më të drejtpërdrejtë me Moskën, duke shmangur ndërlikimet e politikave të brendshme të BE-së, ku çdo vend anëtar ka interesat dhe kalkulimet e tij. Duke hequr Brukselin nga tavolina e bisedimeve, SHBA-të mund të negociojë mbi kushte që u përshtaten më shumë interesave të saj strategjike, qoftë për një marrëveshje të përkohshme paqeje, qoftë për menaxhimin e konfliktit në një periudhë më të gjatë.

Së dyti, ky veprim është një sinjal i qartë për Evropën që duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj. Narrativa e SHBA-ve ka qenë e qëndrueshme: nëse BE-ja dëshiron një autonomi strategjike të vërtetë, atëherë duhet të ndërtojë një ushtri më të fortë, të rrisë investimet në mbrojtje dhe të marrë përgjegjësinë për stabilitetin rajonal, në vend që të mbështetet tek Uashingtoni.

Së fundmi, përjashtimi i BE-së është edhe një mjet presioni për të orientuar politikat evropiane në fusha më të gjera, nga tregtia te teknologjia. Duke mbajtur Evropën larg bisedimeve kyçe, SHBA-të sinjalizojnë se ka fuqinë për të diktuar ritmin dhe drejtimin e vendimmarrjes ndërkombëtare. Ky episod nuk është thjesht një ngjarje e izoluar, por jë reflektim i një ndryshimi më të thellë në marrëdhëniet SHBA-BE. Në një botë gjithnjë e më shumëpolare, Uashingtoni nuk e sheh më Brukselin si një partner të barabartë, por si një aktor që duhet menaxhuar. Në të njëjtën kohë, Evropa po përballet me një zgjedhje delikate: të ndjekë një rrugë më të pavarur në politikën e jashtme apo të vazhdojë të operojë nën hijen e Uashingtonit. Nëse ky trend vazhdon, BEja mund të detyrohet të përshpejtojë rrugën e saj drejt autonomisë strategjike dhe ekonomike, por me një vetëdije të qartë se çdo lëvizje e saj do të mbetet e ndërlidhur me lojën e madhe të fuqive botërore. Në një botë ku ekuilibrat e vjetër po zhbëhen dhe të rinjtë ende nuk janë konsoliduar, përjashtimi i BE-së nga bisedimet për Ukrainën është një sinjal i qartë se epoka e vjetër e marrëdhënieve transatlantike mund të ketë përfunduar. Tani jemi në një botë, ku çdo aleancë është fluide dhe asgjë nuk merret më si e mirëqenë.

Dr. Dael Dervishi është drejtues i Departamentit të së Drejtës Publike, Universiteti “Luarasi” dhe kontribuues pranë “Leadership, Diplomacy and National Security Lab”, Arizona State University, SHBA, si dhe pjesëtar i “Mccain Institute”, SHBA

/Gazeta Panorama