Sun, Nov 24, 2024

“Gabim që në themel”, aktivistët kritikojnë parlamentin britanik për klasifikimin e Shqipërisë si “vend i sigurt”

  • PublishedJune 14, 2023

Disa dhjetëra organizata të të drejtave të njeriut në Mbretërinë e Bashkuar i bënë thirrje Parlamentit Britanik të mos miratojë një ndryshim ligjor të propozuar nga qeveria britanike që synon të zgjidhë problemin e azilkërkuesve shqiptarë dhe t’i hapë rrugën riatdhesimit të shpejtë të tyre duke e klasifikuar Shqipërinë si “vend i sigurt” origjine, një kategorizim në të cilin Britania vendos vendet e zhvilluara anëtare të Bashkimit Evropian dhe Zonës Ekonomike Evropiane si dhe Zvicrën. Organizatat vërejnë se një klasifikim i tillë është “gabim që në themel”.

“Emërtimi i një shteti si ‘vend i sigurt’ duhet të paraprihet nga konfirmimi se atje ‘në gjendjen e zakonshme nuk ka rrezik të persekutimit të shtetasve të atij shteti.’ Për fat të keq, Shqipëria nuk e përmbush këtë kriter,” lexohet në letër.

“Vendi vuan nga probleme shumë të rënda si korrupsioni, trafiku i qenieve njerëzore, dhuna e bandave dhe diskriminimi kundër bashkësive të ndryshme, përfshirë LGBTQI, Romët dhe egjiptianët,” theksohet në letër

“Dështimi i vazhdueshëm i qeverisë së Shqipërisë për të trajtuar në mënyrë efikase këto probleme është shqetësues,” vijon më tej letra.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar hasi vështirësi vitin e kaluar në trajtimin e problemit të dhjetëramijëra emigrantëve që kapërcyen kanalin La Manche, i cili ndan Francën me Mbretërinë e Bashkuar, me varka të vogla. Rreth një në tre prej tyre ishin shqiptarë. Një hetim i parlamentit britanik, raporti i së cilës u publikua këtë javë, vuri në dukje se shumica e shqiptarëve duket se janë thjeshtë emigrantë ekonomikë në kërkim të një jete më të mirë në Mbretërinë e Bashkuar por nuk përballen me një nga kriteret që mund t’i japë mbrojtje si azilkërkues, të tilla si persekutimi politik apo fetar apo rreziku i të qenit viktimë trafikimi qeniesh njerëzore.

Ndërkohë, dy anëtarë të qeverisë kanë propozuar një amendim që synon të riatdhesojë shqiptarët pa shumë procedura duke e klasifikuar Shqipërinë thjeshtë si “vend i sigurt”, gjë që do të thotë që pretendimet për azil do të klasifikohen në vend si të papranueshme.

Organizatat e të drejtave vërejnë se fakti që ka aplikime të suksesshme për azil nga shtetas shqiptarë në gjykatat britanike përbën provë që Shqipëria nuk mund të përfshihet në listën e Vendeve të Sigurta.

“Në vitin 2022, Mbretëria e Bashkuar ofroi status mbrojtjeje për më shumë se 650 shtetas shqiptarë, përfshirë mbi 60 fëmijë të pashoqëruar,” shkruhet në letër.

“Ata prej nesh që ofrojnë mbështetje profesionale për shqiptarë dhe viktima të trafikut dëshmojnë drejtpërsëdrejti frikën dhe vuajtjet e bashkësisë së azilkërkuesve shqiptarë,” shkruhet në letër, në të cilën, vendimi për riklasifikimin e Shqipërisë si vend i sigurt cilësohet si “për nga themelet, gabim.”