Sun, Nov 24, 2024

Gati gjysma e popullsisë në prag të varfërisë në Shqipëri, niveli më i lartë në Europë më 2022

  • PublishedJune 14, 2023

Në vitin 2022, mbi 95.3 milionë njerëz në BE (22% e popullsisë) ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social, që do të thotë se përjetonin të paktën një nga tre rreziqet e varfërisë dhe përjashtimit social: varfëri, privim i rëndë material dhe social, ose jetesa në një familje me të ardhura shumë të ulëta nga puna, njoftoi sot Eurostat.

Në Shqipëri, ky tregues është dyfish më i lartë, pasi sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT, në vitin 2021 rreth 44% e popullsisë së Shqipërisë ishte në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social, përqindja më e lartë në BE dhe në rajon.

  • foto galeri

Përqindja e njerëzve të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social ndryshon në varësi të vende të BE-së. Shqipëria kryeson Europën për këtë tregues, pasi gati gjysma e popullsisë së saj është e rrezikuar nga varfëria.

Treguesi mund të jetë përkeqësuar më tej në vitin 2022 për shkak të efekteve negative që pati lufta në Ukrainë në rritjen e çmimeve. Vlerat më të larta të popullsisë në rrezik të varfërisë u raportuan në Rumani (34%), Bullgari (32%), Greqi dhe Spanjë (të dyja 26%). Nga ana tjetër, përqindjet më të ulëta u regjistruan në Çeki (12%), Slloveni (13%) dhe Poloni (16%).

Rreziku i varfërisë dhe i përjashtimit social nuk varet krejtësisht nga niveli i të ardhurave të një familjeje, pasi mund të pasqyrojë gjithashtu papunësinë, punën më të ardhura të pakta etj.

Personat që janë në rrezik të varfërisë kanë të ardhura janë nën pragun e rrezikut të varfërisë. Ndërsa personat që vuajnë nga privimi i rëndë material dhe social nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga trembëdhjetë artikuj (gjashtë të lidhura me individin dhe shtatë të lidhura me familjen) që sigurojnë një cilësi të përshtatshme jetese.

Mbi një e pesta e popullsisë së BE-së që jetonte në familje me fëmijë në ngarkim ishte në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social në vitin 2022, ndërsa në Shqipëri gjysma, duke u rritur me tej në vitin 2021 në 43,9%, kundrejt 43,4% vlerësuar në vitin 2020.

INSTAT ka sqaruar se përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshirë në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër.

Nëse në nivelin e të ardhurave nuk do të përfshiheshin të gjitha llojet e përfitimeve sociale, rreziku për të qenë i varfër në vitin 2021 është vlerësuar 39,0% kundrejt 25,2% që është vlerësuar nëse do të përfshiheshin në nivelin e të ardhurave përfitimet sociale vetëm nga pensionet e pleqërisë dhe ato familjare.

Në Shqipëri rreziku i varfërisë dhe përjashtimit social në familjet pa fëmijë në varësi, vlerësohet të jetë më e ulët krahasuar me familjet me fëmijë në varësi, përkatësisht 12,8% dhe 25,9% e individëve.

Familje me fëmijë në varësi konsiderohen ato familje që kanë fëmijë të moshës nën 18 vjeç si dhe persona të moshës 18 deri 24 vjeç që jetojnë të paktën me një prind dhe janë ekonomikisht inaktiv./Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.