Sat, Feb 22, 2025

Gjenocidi ndaj shqiptarëve, refleksionet e publicistit të njohur nga SHBA: Ushtaret grekë i lidhnin me zinxhirë e litar burrat dhe në sytë e tyre u çnderonin nënat, nuset si edhe vajzat e mitura, të cilat…

  • PublishedFebruary 21, 2025

Gjenocidi ndaj shqiptarëve, refleksionet e publicistit të njohur nga SHBA: Ushtaret grekë i lidhnin me zinxhirë e litar burrat dhe në sytë e tyre u çnderonin nënat, nuset si edhe vajzat e mitura, të cilat…

Detyrimi që unë po shkruaj rreth këtyre krimeve të planifikuara antinjerëzore, të kryera në ato vite nga ushtria e rregullt e shtetit grek, nuk vjen për faktin se unë jam nga ajo zonë, as për faktin se në mes të 375 personave të masakruar, nga data 2 deri në 10 korrik të vitit 1914 në fshatin Panarit të Korçës, 25 persona i përkasin të parëve të familjes sime, të cilët janë djegur të gjallë nga ushtria greke në shtëpinë e Rrape Vilës në lagjen “Vilë”, por më shumë jam i shqetësuar për qëndrimin antikombëtar dhe antinjerëzor të vetë shtetit shqiptar dhe të gjitha qeverive të tij të mëparshme, qysh nga kryerja e gjenocidit grek dhe deri më sot.

Gjenocidi ndaj shqiptarëve, refleksionet e publicistit të njohur nga SHBA: Ushtaret grekë i lidhnin me zinxhirë e litar burrat dhe në sytë e tyre u çnderonin nënat, nuset si edhe vajzat e mitura, të cilat…

Megjithëse ka kaluar më shumë se një shekull, jo vetëm që nuk e kanë denoncuar në organizmat ndërkombëtare gjenocidin e shtetit grek, jo vetëm që nuk e kanë pasqyruar saktësisht në historinë e Shqipërisë, jo vetëm që nuk kanë një statistike të saktë ose, të përafërt të popullsisë të masakruar nga ushtria greke në fshatrat dhe qytetet ku është kryer ky gjenocid, jo vetëm që nuk kanë një datë përkujtimore, një vend për të vendosur lule, për të ndezur një qiri e, për t’i qarë, mungojnë varret dhe gurët e varreve në tokën tonë plotë gurë, e kështu s’ka shenjë respekti për shpirtrat e të pareve tanë të masakruar!

Ja këto janë arsyet që unë kam shkruar, po shkruaj dhe do të shkruaj deri sa shteti im i shenjtë, të çoj në vend nderin, dinjitetin, dhe të drejtën e paraardhësve tanë të masakruar barbarisht në tokën tonë, në shtëpitë e vatrat tona. Gjenocidi që shteti grek ka kryer ndaj popullit tonë në vitet 1913-1914 e, në vazhdim, ndonëse është historia më e dhimbshme e popullit tonë, ka ngelur jetime nga shteti, por që është ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi nga kujtesa e individëve, familjeve e fiseve dhe e zonave që kanë përjetuar këto krime antinjerëzore të grekeve.

Po ashtu duhen vlerësuar dhe respektuar në maksimum shkrimet e autoreve në gazetat shqiptare dhe të huaja të asaj kohe, si dhe librat që kanë pasqyruar këtë periudhë, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe në Evropë, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme, duke shkruar deri në intimitet ngjarjet makabre të kryera nga shteti grek. Informacione dhe statistika që fatmirësisht janë dëshmi të vetme, por është një fatkeqësi e madhe për kombin shqiptar që nuk janë studiuar, hulumtuar, saktësuar dhe pasqyruar me hapësirën e nevojshme dhe me vërtetësi në ‘Historinë e Popullit Shqiptar’ dhe në statistikat e gjenocidit botëror.

Masakrimi i popullsisë civile nga ushtria greke në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë jug-lindore, në vitet 1913-1914, në Përmet, Leskovik, Kolonjë, Korçë, Tepelenë, Memaliaj, Skrapar, Berat, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë etj., pa dallim fetar, myslimanë dhe të krishterë, të moshuar, burra dhe gra, të rinj, fëmijë e të mitur, është bërë në mënyrën më maka bre, me antinjerëzore që ka parë e dëgjuar historia botërore ndonjëherë.

U kanë çare barkun me kama dhe thika nënave shtatzëna dhe janë tallur para tyre me fëmijën e gjallë, të pa lindur…! Me sëpata u kanë prerë kokat fëmijëve e të rriturve, me thika e hanxharë u kanë çarë barkun për së gjalli duke u thëne se me zorrët e tyre do t’i varin, u kanë prerë për së gjalli gjymtyrët, i kanë djegur e i kanë hedhur në pus të gjallë duke vazhduar edhe me torturime psikikë. Ushtaret greke i lidhnin me zinxhirë e litar burrat dhe në sytë e tyre u çnderonin nënat, nuset dhe vajzat e mitura ku edhe vdisnin.

Dogjën me mijëra e mijëra shtëpi, në fshatra e qytete, vodhën barbarisht të gjithë pasurinë që kishte kjo zonë në shtëpitë e tyre, grabitën bagëtitë e shumta dhe prodhimet bujqësore, dëme dhe vjedhje që i kalojnë me qindra miliona dollarë. Të gjitha këto dëbime e masakrime të kryera nëpër fshatrat e qytetet juglindore të Shqipërisë, bazuar në Rezoluta e Asamblesë të Përgjithshme të OKB-260-A, që hyri në fuqi më 12 janar 1915, klasifikohen gjenocid për pastrim etnik.

Megjithëse popullsia e Shqipërisë Juglindore në ato vite pësoi dëme të pallogaritshme, rreth 50.000 njërës të vrarë e të dëbuar, dëme materiale, si: shtëpi të djegura, pasuri të grabitura që shkojnë me qindra miliona dollarë, të kryera nga masakrat dhe vjedhjet e ushtrisë greke, si dhe nga largimet e detyruara të individëve familjeve dhe fshatrave, në vende të tjera të Shqipërisë, por edhe jashtë vendit, si në Bullgari, Rumani etj., mbijetoi në këto zona për shumë dekada duke përjetuar në vazhdimësi dhimbjet e tmerrit e fukarallëkun që këto krime u shkaktuan, por mbi të gjitha ata vuajnë indiferentizmin e pazakontë të shtetit shqiptar.

Është e pabesueshme, por ka fshatra të këtyre zonave që edhe në ditët tona, siç është fshati Panarit i Korçës, te lënë plotësisht në harresë, që asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë pasur dhe nuk kanë edhe sot e kësaj dite, rrugë automobilistike. Ka kaluar një shekull e megjithëse jetojmë në kohën e globalizimit, ngjarjet kriminale të atyre viteve ende edhe sot populli shqiptar i kësaj zone, i administron dhe i ruan brez pas brezi në kujtesën e tij, ndërsa Shteti shqiptar vazhdon të heshtë duke vrarë çdo ditë kujtesën kombëtare.

Të gjitha regjimet jetëgjata shqiptare, mbas kryerjes të krimeve greke në Shqipërinë Juglindore në vitit 1913-1914, si zogistët edhe enveristet dhe çuditërisht edhe mbas viteve 1990-të, çështjen për të cilën unë po shkruaj, nuk e kane marre asnjëherë në konsideratë dhe nuk është pasqyruar plotësisht dhe drejt në Historinë e Shqipërisë së regjimit komunist, por edhe ribotimi i tekstit të ‘Historisë së Popullit Shqiptar’ në ditët e demokracisë, është fotokopje e faqeve të pakta të shkruara në tekstin e historisë ekzistuese të ribotuar.

Historianët shqiptare brez pas brezi, kur shkruajnë apo flasin për situatën e brendshme të Shqipërisë për ato vite, vërtiten e përpëliten rreth Princ Vidit, Haxhi Qamilit, Esat Pashës e pinjollëve të tyre. Edhe ata historian shqiptarë që kanë studiuar e pasqyruar qëndrimin e ndërkombëtareve të asaj periudhe, kanë shkruar mijëra faqe në libra, në broshura dhe në gazeta, situatën e vështirë që Shqipëria po kalonte në ato vite mes ndarjes dhe ekzistencës, veçanërisht nga fqinjët tanë!

Por është i çuditshëm fakti që asnjë historian shqiptar që ka studiuar atë periudhë, situatën e brendshme ashtu dhe atë të jashtme, nuk kanë shkruar fare për gjenocidin e ushtrisë greke, që donte të realizonte pastrimin etnik ndaj popullsisë shqiptare, duke dëbuar e vrarë barbarisht popullsinë civile të Shqipërisë Juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim.

I vetmi ka qenë shkrimtari dhe gazetari i talentuar Bledi Fevziu, i cili me rastin e 100 vjetorit te masakrave greke te kryera në Panarit të Korçës, me guxim e profesionalizëm, në respekt të gjithë shpirtrave të vrarëve, iu kushtoi një emision “Opinion”. Ndaj e meriton një falënderim publik: Faleminderit z. Fevziu. Në ketë emision ishte i ftuar edhe një nga historianët më të suksesshëm shqiptarë, profesor Pëllumb Xhufi, i cili gjatë bisedës deklaroi se edhe ai nuk i dinte arsyet përse shteti shqiptar, hesht për këto krime dhe bëri autokritikë që edhe ai vetë, nuk ka shkruar për këtë periudhë. Ky deklarim i historianit të shquar shqiptar, Xhufi, flet shumë.

Ka historianë, profesorë në universitetet shqiptare që mbas viteve 2000, kanë gërmuar në arkivat angleze, franceze etj., kanë shkruar më saktë (kopjuar libra), për Vorio Epirin, duke fituar ndonjë kacidhe dhe nuk kanë shkruar asnjë fjalë për gjenocidin grek që është kryer në ato vite në Shqipëri. Duke shkruar për Vorio Epirin, me dashje kanë manipuluar gjenocidin që ushtria greke ka bërë në këto zona, pasi begraundi i këtyre historianeve intelektualë, ka qene i mjaftueshëm për t’i klasifikuar këto masakra të paktën, si krime kundër njerëzimit.

Kohët e fundit kështu si unë kanë shkruar artikuj e libra edhe shumë të tjerë ku pasqyrojnë historinë e fshatrave të origjinës nga zona e Shqipërisë Juglindore, gjë që është për t’u falënderuar. Por duhet të theksoj se; klasifikimi i trajtimit të krimeve që ushtria e rregullt greke, ka kryer në Shqipërinë juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim, nuk është masakër siç trajtohet nga autorët e shkrimeve dhe të librave të ditëve tona, si p.sh.; nuk mund të shkruash; “Masakra e Panaritit”.

Emërtimi në këtë formë shmang paraqitjen e aparencës të subjektit të krimit që janë grekët. Jo gjithmonë duhet t’i përmbahesh tradicionales, rregullat e ligjet e shkruajtjes së historisë janë dhe ju përkasin historianëve për t’i zbatuar, por çështja për të cilën unë po shkruaj, edhe pse është lënë nga historia shqiptare për 100 vjet në harresë, ajo tashmë është “temperuar” në memorien e popullit tonë. Për t’jua bërë me të kuptueshme këtë, unë po i referohem fshatit tim Panarit të Korçës, ku për fat të keq në të gjithë Shqipërinë Juglindore, gjenocidi grek në këtë fshat, ka qenë në përmasa më të mëdha se çdo zonë apo fshat tjetër.

Kur shkruhen artikuj në gazeta apo libra nga historianë dhe njërës me potencial intelektualë, influencë shoqërore dhe atdhedashës, me tituj “Masakra e Panaritit”, “Masakra e Hormovës”, ”Masakra e Përmetit” etj., kuptohen si masakër mes shqiptarëve dhe pa dashur, bie pre e propagandës djallëzore që kane mbjellë grekët në këto njëqind vjet, se shqiptaret janë vrarë midis tyre. Ne nuk duhet të kursejmë fjalët që plotësojnë përmbajtjen, por duhet t’i shkruajmë korrekt ato: Masakra e grekëve në Panarit, ose masakra që grekët bënë në Hormovë, masakrat e grekëve në Frashër, masakrat e grekëve në Kolonjë etj.

Nga ana tjetër është e vërtetë se forma e realizimit të krimit kryesisht, është bërë nëpërmjet dëbimit dhe masakrimit, por të gjitha këto raste të veçanta në fshatra apo zona të ndryshme, plotësojnë qëllimin e figurën e krimit që është kryer nga grekët në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914, ku siç e përmendem edhe më lart, klasifikohet “Gjenocid”, për pastrim etnik nëpërmjet dëbimit dhe masakrimit të popullsisë civile.

Pasqyrimi i krimeve greke ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore, deri në vitet 1920, nga autorë shqiptarë dhe të huaj në të gjitha titujt e artikujve, në gazeta e libra të botuara që bënin fjalë për këto krime, gjithmonë në titujt e përmbajtjen e tyre kanë dënuar dhe cituar dukshëm krimet e Greqisë, si p. sh.; libri i Kosta Papës “Barbaritë Greke në Shqipëri”, artikujt e autoreve të ndryshëm që mund t’i gjeni në internet, si; “Masakrat e andartëve grekë në Këlcyrë dhe Hormove”, “100 vjetori i masakrave greke në Toskëri”, etj.

Në këto kushte qeveria greke bënte shumë kujdes për krimet që bëri në vitet 1913-1914 e në vazhdim, veçanërisht mbas punimeve të Konferencës të Paqes në Paris, kur ëndrra greke për Vorio Epirin, mori fund. Ata për të mos u përballur me ligjet ndërkombëtare, filluan të manipulonin krimet e kryera ndaj shqiptarëve dhe të falsifikonin historinë, të cilën e realizuan duke intensifikuar punët agjenturore në mesin e shqiptarëve, veçanërisht me historianë me pagesë, me kërcënime etj.

Dhe formoi rrjetet informative që ekzistojnë edhe sot në arteriet e Shtetit shqiptar e për rrjedhojë, shteti shqiptar jo vetëm që nuk është marrë deri tani me dokumentimin e krimeve që grekët kanë kryer në këtë periudhë në Shqipëri, por është dorëzuar para manipulimeve që kanë bërë historianët shqiptarë, të cilët kanë pasur lidhje me autorët e këtyre krimeve dhe shtetin grek, emrat e të cilëve tashmë dihen.

Kjo vërtetohet edhe nga fakti se asnjë institucion shtetëror, asnjë historian shqiptar apo individ deri me sot, nuk ka marrë në analizë të shkruaj, të studiojë e hulumtojë dhe të krijojë dosjen përkatëse për gjenocidin grek të kësaj periudhe në Shqipërinë Juglindore, që ne po flasim, qoftë edhe për të mbrojtur ndonjë temë apo diplomë. Këta historianë “shqiptarë” filo-grek,ja arritën qëllimit! Në kohën e regjimit komunist, të flisje për këto krime, ishte e ndaluar e pa mundur, një tabu që e krijoi vetë regjimi i Enver Hoxhës.

Madje kur binte fjala me pushtetarët e regjimit komunist për krimet e asaj periudhe, popullsisë të kësaj zone ju thoshin si nën vesh, të mbyllnin gojën, të harronin këto krime dhe si me urdhër, përdornin shprehjen: “atyre krimeve u është vënë kapak”, “të mos ja heqim petën lakrorit”. E pra këtu është filli i lëmshit që ngatërruan spiunët historianë.

Vitet kalojnë dhe bëjnë të vetën, harrohen emrat e shpirtrat e mbi 50.000 shqiptarëve të masakruar nga ushtria greke, vazhdojnë të vuajnë e të rënkojnë, edhe nga vrasjet seriale të nipërve e stërnipërve të tyre, që kanë qenë dhe janë në pushtet në Shqipëri. Demokracia menduam se do t’i çonte gjërat në vendin e vetë, por kjo nuk u realizua! Kështu edhe pse kemi një çerek shekulli në demokraci, një ditë “kapaku” i regjimit të Enver Hoxhës, gjeti poçen këtë herë; “Poçen Rama”, që po ta hapësh, bie erë tradhti.

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës të Shqipërisë z. Ditmir Bushati, gjatë vizitës në Greqi, në takimet që pati më datën 21 mars 2016 me Presidentin e Greqisë, Prokopios Pavlopoulos, Kryetarin e Parlamentit, Nikos Voutsis dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias, me deklarimin e tij se shqiptarët dhe grekët duhet t’i zgjidhin problemet dhe mosmarrëveshjet duke filluar që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ju referua në thelb çështjes Çame.

Detyrën bëri që foli për Çamët, por ishte jo korrekt kur ai si Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës të Shqipërisë, që përcaktoi si dysheme kohore të përmirësimit të marrëdhënieve Shqipëri- Greqi vitet e Luftës së Dytë Botërore. Kjo ishte një deklaratë e papërgjegjshme, më e rrezikshme se heshtja e ministrave të mëparshëm të shtetit shqiptar, pasi deklarime të pamenduara shtetërore, dëmtojnë interesat e popullit tonë.

Por çfarë ndodhi, në kohën kur të gjithë shqiptarët prisnim reagimin e Qeverisë Shqiptare ndaj deklaratës së papërgjegjshme të z. Bushati që bëri në Athinë dhe korrigjimin e saj, vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Kongresin e PDIU-së që u zhvillua më datën 4 Qershor 2016, me fjalimin e tij, i etur për vota elektorale, u paraqit si shpëtimtari i Çamëve dhe po në atë Kongres, ne “shtëpinë” e Çamëve, tradhtoi Çamët dhe gjithë shqiptaret, kur përsëriti deklaratën e ministrit të tij Bushati, se problemet me grekët duhet të shikohen që nga viti 1945, duke vulosur tradhtinë dhe turpin e radhës të qeverisë të Shqipërisë, e cila shkel mbi gjakun e të parëve tanë.

Çamët vërtet duhet të kërkojnë përgjegjësinë që shteti grek duhet të mbajë për gjenocidin që ka ushtruar ndaj kësaj popullsie dhe t’ju kthej pronat e tyre, që ja u ka grabitur. Ata janë shtetas shqiptarë e veçanërisht kur kemi të bëjmë me krime të rënda si ato të gjenocidit, shteti shqiptar duhet të përgatitë vetë dosjen dhe të përfaqësojë popullin e tij në organizmat përkatëse ndërkombëtare. Përse ju duhet partia Çameve? Ata janë njëlloj si panaritasit, si dardharët, si dukagjinasit, si hotianët, si frashëllinjtë, si lebërit, si mitrovicasit, si preshevasit, si malësorët, si presparët, etj, pra janë shqiptarë e shteti ka detyrimet e veta kushtetuese, për të mbrojtur interesat e popullit të vet.

Por kur të zë halli, thotë një fjalë e urtë popullore, hapi derën, pasi Çamëve nuk u ka mjaftuar halli që i ka zënë me grekët, por po paguajnë për 72 vjet me radhë e më shumë, haraçin e qeverive shqiptare të cilat, këtë popullsi shqiptare gjatë regjimit komunist, e shikonin si të dorës së dytë. I burgosen, i internuan, i vranë dhe i mbanin nën kontroll.

Mbas viteve 1990, në sistemin demokratik, Çamët besuan shumë por ranë përsëri në “kurthin”, e Partive . Këtë herë në kurthin elektoral të pluralizmit për interesat e votave. I gënjyen Çamet për çka ata kërkonin dhe i futen “aksionarë” në Industrinë e Partive që në këto tre dekada, fatkeqësisht partitë janë kthyer në industrinë më të madhe ekonomike fitimprurëse e pronarëve të tyre në Shqipëri.

Si ranë Çamët në kurthin elektoral të partive, kur ata janë njëlloj si gjithë populli ynë shqiptarë?! Kujt i intereson vlerësimi ndryshe i çameve nga popullsia shqiptare, askujt veç grekeve. Boll kanë vuajtur çamet, le të aderojnë në partitë shqiptare të majta, të djathta e të qendrës, ku ata kanë dëshirë dhe të gjithë si shqiptarët të punojmë të bashkuar, për të vënë në punë shtetin shqiptar, pasi “Çështja Çame” është çështje mbarë kombëtare shqiptare. Gjenocidi që shteti Grek ka bërë ndaj popullsisë civile Çame, duhet të ndiqet nga shteti shqiptar e, jo nga Partia Çame. Shteti shqiptar duhet të jetë autor i përgatitjes të dosjes dhe avokat i çështjes Çame në Hagë, përndryshe shteti quhet “Rrumpalle”! Memorie.al  Nga Gani Vila