Rrëmbimi i policëve serbë, reagon Basha: Akt i ulët provokativ që synon destabilizim! Vuçiç të ndalë provokimet e të lirojë efektivët
Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me rrëmbimin e tre efektivëve të policisë së Kosovës nga Serbia.
Në një postim në rrjetet sociale, ai u shpreh se një akt i tillë është provokim nga ana e Serbisë që synon destabilizim.
Basha shtoi se veprime të tilla janë vetëm tentativa për përshkallëzim të tensioneve ndërsa tha se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç duhet të lirojë menjëherë efektivët.
Postimi i plotë:
Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës sot nga forcat speciale të Serbisë është një akt i ulët provokativ që synon destabilizim.
Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i garantuar nga faktori ndërkombëtar dhe akte të tilla janë thjesht dhe vetëm tentativa për përshkallëzim të tensioneve.
Aleksandër Vuçiç duhet t’i ndalojë menjëherë provokimet dhe të urdhërojë lirimin e punonjësve të Policisë së Kosovës!
Kosova dhe Serbia duhet pa humbur kohë të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe së bashku me partnerët tanë SHBA dhe BE të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar dhe për t’i dhënë fund më njohje reciproke mosmarrëveshjeve që po prodhojnë vazhdimisht tensione. Vetëm në këtë mënyrë do të ruhet paqja dhe stabiliteti rajonal dhe të dy vendet do të fokusohen drejt zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–