Tue, Mar 4, 2025

EMRAT/ Arrestohen dy shqiptarë në Gjermani, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vjedhje dhe shitje kokaine! Po punohet për ekstradimin e tyre në Shqipëri

  • PublishedMarch 4, 2025

EMRAT/ Arrestohen dy shqiptarë në Gjermani, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vjedhje dhe shitje kokaine! Po punohet për ekstradimin e tyre në Shqipëri

Dy shtetas shqiptarë në Gjermani janë arrestuar, me qëllim ekstradimin e tyre në vendin tonë, për shkak se ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.

Në pranga janë vënë shtetasit:

  • Brian Syzo, 44 vjeç, i akuzuar për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, për të cilin Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai dyshohet se në mënyrë të përsëritur ka shitur kokainë në lokalin e tij në Pogradec.
  • Klevis Gjonkolaj, 20 vjeç, i cili është dënuar në 2024 nga Gjykata e Tiranës me 6 muaj heqje lirie për veprën penale vjedhje.

Sakaq, Interpol Tirana dhe homologët e saj në Gjermani po bashkëpunojnë për ekstradimin e dy shqiptarëve në vendin tonë.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit/Vijon bashkëpunimi me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet në bashkëpunim me partnerët gjermanë, operacioni policor i koduar “Exchange 2”.

Arrestohet në Gjermani, një shtetas që akuzohet se në vitin 2022, ka shitur kokainë në mënyrë të përsëritur në  lokalin e tij, në Pogradec.

Gjatë operacionit u kap dhe një shtetas tjetër, i dënuar si bashkëpunëtor për vjedhje të kryer në Paskuqan, në vitin 2023.

Si rezultat i sigurimit të  informacioneve dhe shkëmbimit të tyre, nëpërmjet Interpol Tiranës, me Interpol Ëiesbaden, u finalizua operacioni policor i koduar “Exchange 2”. Në kuadër të operacionit, Policia gjermane lokalizoi dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit B. S., 44 vjeç dhe K. Gj., 20 vjeç.

  • Në vitin 2022, Gjykata e Korçës i ka caktuar 44-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi dyshohet se në mënyrë të përsëritur, ka shitur lëndë narkotike Kokainë, në lokalin e tij, në Pogradec.
  • Në vitin 2024, Gjykata e Tiranës e ka dënuar 20-vjeçarin, me 6 muaj burgim, për vjedhje.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e 2 shtetasve, në Shqipëri.