Pezullimi i ndihmave ushtarake për Kievin, kryeministri ukrainas: Jemi të vendosur të vazhdojmë bashkëpunimin me SHBA-të
“Ukraina është absolutisht e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin e saj me Shtetet e Bashkuara,” tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, sot, pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë për ndërprerjen e ndihmës ushtarake amerikane, e cila është vendimtare për Kievin dhe ushtrinë e saj kundër Rusisë.
“SHBA është një partner i rëndësishëm dhe ne duhet ta mbajmë atë,” tha ai në një konferencë shtypi në Kiev.
Ukraina tha gjithashtu sot se po diskuton me evropianët mundësinë e zëvendësimit të ndihmës ushtarake amerikane, ndërkohë që u deklarua e hapur për negociatat me Uashingtonin, pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë për ndërprerjen e mbështetjes për Kievin dhe ushtrinë e tij.
“Ne po diskutojmë opsionet me partnerët evropianë,” tha në platformën X Mykhailo Podoliak, një këshilltar i presidencës ukrainase.
“Dhe ne sigurisht nuk e përjashtojmë mundësinë e negociatave me homologët tanë amerikanë”, u shpreh ai.
Presidenti Donald Trump urdhëroi një ndërprerje në dërgesat e ndihmave ushtarake amerikane në Ukrainë pas debatit të tij të ashpër në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky javën e kaluar, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN të hënën.
Ndërprerja e ndihmës, e cila erdhi pasi Trump mbajti një seri takimesh me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, mund të ketë efekt të madh në aftësitë luftarake të Ukrainës, thanë zyrtarët dhe analistët.