Policia përplaset me banorët e Tragjasit për ujësjellësin e resorteve të jugut

Banorët e fshatit Tragjas dhe forca të shumta të Policisë u përplasën të martën për 5 orë, pasi këto të fundit shkuan në fshat në mbështetje të kompanisë “Gjoka Konstruksion”, e cila po punon për ndërtimin e një ujësjellësi të kundërshtuar prej tyre.
Ujësjellësi është parashikuar që të furnizojë me ujë investimet e ashtuquajtura strategjike në bregdetin e Himarës, por banorët e kundërshtojnë atë me argumentet se po u merret uji dhe po i detyrojnë që të shpërngulen.
“Kam investuar gjithë jetën time këtu, tani po na marrin ujin. Kjo është shpërngulje,” tha në një bisedë telefonike Xhuliano Kabello, një 30-vjeçar nga Tragjasi.
Banorët shpërndanë në internet video të përplasjes me policinë. Ata përdorën gurë kundër mjeteve të rënda dhe pas prishjes së një ish-stacioni pompash, policia dhe mjetet e kompanisë së ndërtimit u tërhoqën. Banorët i thanë BIRN se policia ndaloi disa prej të rinjve, por asnjë nga protestuesit nuk u shoqërua. E pyetur nga BIRN, Drejtoria e Policisë në Vlorë tha se do të informonte pas përfundimit të të gjitha veprimeve.
Përplasja për ujin

Banorët e Tragjasit me të cilët BIRN foli thonë se deri para një jave, ata ishin në pritje të një takimi informues dhe sqarues me kryebashkiakun Ermal Dredha dhe përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, AKUK, siç u qe premtuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak në Vlorë, ku ata ishin të pranishëm.
Por takimi i planifikuar i datës 27 shkurt nuk u zhvillua. Ndërkohë, të martën fshati u zgjua në prani të një numri të madh forcash police, përfshi Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë të pajisur me skafandra. Policia u filmua teksa shoqëronte mjete të rënda të kompanisë që kishte për qëllim të kryente punime në zonë, përfshi prishjen e godinës së një ish-stacioni pompash.
Banorët e fshatit Tragjas i thanë BIRN se prania e forcave të shumta të policisë i bëri ata që të ndjeheshin të kërcënuar.
“Më morën në telefon në mëngjes, më thanë: “Hajde se na ka rrethuar policia”, tregon Xhuliano Kabello, një 30-vjeçar dhe pjesmarrës në protestë.
Policia nuk është polici private e kompanisë, lexonte Policia e Shtetit aty, që paguhet edhe me taksat tona. Është për të na mbrojtur edhe neve, por ishin arrogantë dhe kur unë tentova t’i filmoja me telefon, më shtrinë në tokë dhe më vendosën këmbën në qafë,” tha Kabello i revoltuar.
Salibe Daupi, banore e fshatit, i tha BIRN se përplasja filloi në 7 të mëngjesit dhe zgjati deri rreth orës 12.00 të mesditës, kur policia dhe kompania u tërhoqën për shkak të rezistencës, pasi prishën godinën e ish-stacionit të pompave. Daupi thotë se para kësaj, fshati u la pa drita dhe pa internet, ndërsa një grusht banorësh u përballën me policinë më të shumtë në numër.
“Nuk është aspak e mirë dhe aspak njerëzore dhe aspak humane. Duke ardhur në 7 të mëngjesit e duke i hyrë fshatit në 7 pa 10. Ishin tetë makina policie, ishte mbush me policë,” tha Daupi. Gruaja shtoi se aksioni ishte i planifikuar gjatë dhe se policia ngriti postoblloqe për të ndaluar banorët që të merrnin pjesë në protestë.
Banorët nuk u konsultuan

Ujësjellësi që merr uji në lumin Izvor dhe e dërgon atë në komplekset luksoze turistike në Dhraleo, Drimadhes dhe Dhërmi, u njoftua nga Ministria e Infrastrukturës në korrik të vitit që shkoi. Në një vizitë në zonë të ministres Belinda Balluku dhe drejtorit të AKUK, Klevis Jahja, u tha se ujësjellësi do i shërbente zonës bregdetare në Palasë, Dhërmi, Gjilekë për investimet aktuale aty dhe se uji prej këtu ishte parashikuar edhe për investimet që priteshin të ndërtoheshin në të ardhmen.
Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë në korrik 2024, përfitues të investimit do të ishin “2300 banorë, 3200 punonjës që shërbejnë në njësitë hoteliere të zonës si dhe më shumë se 65 mijë turistë”.
Ujësjellësi në fjalë u kushton taksapaguesve 8 milionë euro dhe është pjesë e një serie investimesh me para publike, prej dhjetra miliona eurosh, në shërbim të komplekseve luksoze të vilave dhe hoteleve të ndërtuara në bregdetin e Himarës nën petkun e investimeve strategjike.
Por si shumë projekte të ngjashme që prekin burimet natyrore, punimet për ujësjellësin kanë hasur në kundërshtim të banorëve të zonës. Këta të fundit thonë se punimet kanë nisur në kundërshtim me ligjin, pa u konsultuar me ta dhe se ndërhyrja u sjell atyre pasoja të rënda.
Salibe Daupi thotë se fshati ka qenë në errësirë sa i përket projektit dhe ka mësuar për të vetëm kur punimet avancuan. “Me projektin nuk jam njohur fare, nuk kemi patur asnjë informacion. Për një kohë kanë punuar natën”, thotë ajo. Daupi thotë se banorët panë makineritë rastësisht dhe se prej atij momenti janë në protestë.
Ajo thotë se autoritetet i kanë gënjyer kur pretendojnë se do marrin 200 litra ujë për sekondë nga burimi, pasi tubat e vendosura në vend janë 500 litërshe. Daupi thotë se marrja e ujit e shkatërron zonën.
Edhe Kabello i tha BIRN se ata nuk kishin pasur asnjë informacion mbi projektin. Ai madje thotë se takimi me kryetarin e bashkisë, Ermal Dredha, i premtuar pas një takimi në Këshillin Bashkiak të Vlorës, nuk u realizua pasi askush nuk erdhi. “Kemi video dhe foto që takimi nuk u bë”, tha ai.
Kabello dhe Daupi akuzojnë qeverinë se po synon t’i shpërngulë.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha i tha BIRN përmes një bisede telefonike se takimi nuk u zhvillua për shkak se u kërkuar të bëhej në prani të 200 banorëve. Ai tha se kishte kërkuar një takim me një përfaqësi të fshatit që ishte refuzuar.
“Nuk do shkonim atje për të prishur punë, por për të zgjidhur punë,” tha Dredha, duke pretenduar se takimi në fshat do përdorej politikisht dhe se për shkak të numrit nuk do arrinin të sqaroheshin.
I pyetur se pse banorët nuk ishin konsultuar dhe informuar para nisjes së punimeve, Dredha nuk u përgjigj drejtpërdrejt. Ai tha se nuk merrte përsipër të bënte avokatin e AKUK, që është në këtë rast investitor, por parashtroi se projekti ishte studiuar prej kohësh.
“Nuk jam eskpert hidrik, por ekspertët thonë se 60% e ujit derdhet në det”, tha Dredha. Ai pretendoi gjithashtu se ishte në krah të komunitetit dhe donte të shërbente si ndërmjetës që palët të uleshin e të bisedonin. Kryebashkiaku tha se banorëve u ishte premtuar nga AKUK ndërhyrje dhe përmirësim i sistemit të furnizimit me ujë për fshatin, por pranoi se kjo nuk ishte në projekt, por premtim.
Monika Spahivogli, aktiviste e mjedisit dhe gazetare e Mjedisi Tv, e cila banon në Orikum dhe ka ndjekur nga afër çështjen, tha se banorët nuk i besnonin premtimet e marra dhe ndjeheshin të gënjyer, pasi më herët u ishte premtuar që uji nuk do të merrej në burim, por në rrjedhën e poshtme të lumit. Ajo thotë se projekti aktual e lë të gjithë zonën pa ujë dhe dëmton qindra biznese.
“I gjithë lumi futet në tuba e mbetet pa ujë dhe gjithë bizneset dhe banorët që kanë ndërtuar jetën e tyre rreth lumit mbeten pa ujë,” tha Spahivogli. “Uji është gjëja më e shtrenjtë,” shtoi ajo, duke theksuar se banorët ishin të vendosur të kundërshtonin deri në fund.