Vuçiç komenton ngjarjen ku opozita hodhi flakadanë dhe gaz lotsjellës në Kuvendin e Serbisë: Kërkojmë përgjegjësi ligjore
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka komentuar trazirat që shpërthyen sot në seancën e Kuvendit të Serbisë, ku u përplas opozita dhe qeveria, dhe ku u hodhën flakadanë, gaz lotsjellës, vezë, e stende të tjera.
Vuçiç u ka cilësuar këtë si një ditë të vështirë për Serbinë, dhe se për të gjithë ngjarjen kërkon përgjegjësi ligjore.
“Sot është një ditë e vështirë për Serbinë, për çdo qytetar të vendit. Jemi dëshmitarë të diçkaje që nuk e kemi parë që nga themelimi i sistemit partiak, domethënë në 35 vitet e fundit. Kjo nuk ka ndodhur që nga sistemi shumëpartiak. Bëhet fjalë për bullizëm, sjellje huligane. Kërkoj përgjegjësi penale dhe ligjore, presim prokurorinë. Nuk do të pushojmë derisa ata që e thanë të japin llogari”, ka thënë Vuçiç.
Presidenti i Serbisë më pas ka komentuar gjendjen e deputetëve të plagosur, mes të cilave ishte dhe një ligjvënëse në muajin e 8 të shtatzënisë, Sonja Ilić.
“Sanja Iliq është mirë. Pavarësisht të gjithëve dhe gjithçkaje fëmija i saj do të lindë dhe do të jetë mirë ”, ka thënë Vuçiç.
Kujtojmë se gjatë seancës së sotme plenare në Kuvendin e Serbisë, deputetët e opozitës u ngritën nga ulëset dhe aktivizuan mjete piroteknike në sallë, me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.
Qeveria miratoi paraprakisht rendin e ditës ku përfshiheshin edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Këto të fundit janë kërkesë e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.