Tenderat korruptive te “Bujqësori”, dalin përgjimet e pedagogut me biznesmenin Zoga: Na duhen ca kite…Do çoj Dhuratën t’i shohë një për një! Na duhen 5 mln blerje!
Emisioni në Shënjestër/Një tjetër skandal që këtë herë ka goditur botën universitare, dhe që në thelb nuk na tregoi asgjë tjetër vetëm se si korrupsioni është përhapur tashmë në formë e vet më të egër metastatike, edhe në kultet më të larta të dijes. Ky duket se është rasti i Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Biznesmeni Piro Zoga duket se kishte shtrirë tentakulat e tij në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Tenderi për Laboratorin e Vlerësimit të Ujërave, nuk ishte i vetmi që kompania e tij ‘Krijon’ shpk kishte fituar pranë këtij Universiteti, nëpërmjet një gare të paracaktuar.
I tillë duket se është edhe tenderi për ‘blerjen e reagentëve’ me fond limit 54 milionë lekë.
Ku komunikimet midis dekanit të UBT, Ilir Kristo dhe Piro Zogaj, administrator i kompanisë ‘Krijon’ shpk, që më pas rezulton të jetë fituese e këtij tenderi, kanë nxjerrë në pah edhe mënyrën sesi veprohej për favorizimin e subjektit në fjalë.
Si edhe midis drejtuesit të lartë të UBT dhe Endri Zogaj, punonjës në këtë kompani. Tender që siç thamë, data e fundit për dorëzimin e hapjen e ofertave do të ishte 10 Janar 2023. Autoritet Kontraktor do të ishte Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Dosja Hetimore
Sipas shkresës nr. 3596 Prot., datë 2 Dhjetor 2022, ‘Kërkesë për miratimin e vazhdimit të procedurës me objektin e prokurimit blerje reagentë dhe materiale laboratorike të shërbimit publik’, shtetasi Altin Murto, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Fondeve dhe Investimeve i ka dërguar këtë kërkesë
Administratorit të UBT-së, Edmond Tërthorja, me qëllim vazhdimin e procedurës së këtij prokurimi, sipas kërkesave të ardhura nga fakultetet dhe drejtoritë përkatëse të UBT- së.
Por ndërsa deri këtu, duket se gjithçka shkon konform kornizës ligjore të shpalljes së një tenderi dhe hapjes së tij, në fakt ajo që përgjimet nxjerrin në dukje, është se fituesi i tenderit del të jetë i paracaktuar.
Kjo bazuar në komunikimet e vazhdueshme që administrator i kompanisë ‘Krijon’ shpk Piro Zoga dhe një nga punonjësit e shoqërisë së tij ka me dekanin, Ilir Kristo.
Komunikime telefonike, apo edhe nëpërmjet shkëmbimit të mesazheve që datojnë pothuaj 7 muaj para se UBT të shpallte hapjen e thjeshtuar të procedurave të tenderit për reagentët.
Përgjimet
Nga përgjimi i bisedave telefonike të Administratorit të shoqërisë ‘Krijon’ sh.p.k., Piro Zoga dhe punonjësit të kësaj shoqërie, Endri Zoga, rezulton se më datë 9 Maj 2022, ky i fundit ka komunikuar me shtetasin Ilir Kristo, dekan i Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Ku drejtuesi i UBT i thotë se: ‘Laboratori i ri që jemi duke bërë për mbrojtjen e bimëve, ka nevojë për një konsultë të vogël me ju, mund ta bëjmë në telefon’.
Në krahun tjetër të telefonit Endri Zoga i përgjigjet: ‘Laboratori poshtë?’ Komunikimi midis të dyve që vazhdon edhe më tej me interesimin që dekani tregon deri edhe për termometra.
Ku pavarësisht se Zogaj nuk i ka të certifikuar ato që ka në dispozicion, është i gatshëm t’i gjejë këto pajisje laboratorike.
Përgjimet
Ilir Kristo: ‘Termometra dixhital keni ju, të kalibruar?’
Endri Zoga: ‘Po kemi të ndryshme’,
Ilir Kristo: ‘Keni gjendje?’
Endri Zoga: ‘Të kalibruar nuk kemi gjendje. Se si me thënë ato që janë të kalibruar, porositen me certifikatë kalibrimi që në fillim. Puna është se i skadon dhe s’ mbahen kot, se si me të thënë, një herë në vit ato duhen çuar për rikalibrime pastaj”
‘Çfarë lloj termometri, doni të kontrolloni psh, inkubatorët, apo ambientin’
Ilir Kristo: ‘Jo për inkubatorët, për pajisjen’,
Endri Zoga: ‘Nxirri po ashtu, mi çoni me nji kshu si me thënë, mi shkruaj në në email, ose me çfarë do lloj gjëje dmth’.
Pasi ka folur me dekanin e UBT, Ilir Kristo, punonjësi i kompanisë ‘Krijon’ Shpk, që duket se ka një rol të rëndësishëm mirëbesimi në këtë shoqëri, kapet në përgjime me një nga pedagogët e këtij Universiteti. Ai mesa duket është thirrur në këtë mision për të kryer rolin e koordinatorit të tenderit midis dekanit në njërën anë dhe kompanisë që disa muaj më pas do të shpallet fituese.
Ky pedagog del të jetë Shpend Shahini, i cili më 17 Qershor 2022, në orët e vona të mbrëmjes, kapet në përgjim me shtetasin Endri Zoga, teksa i thotë që ka folur me punonjësit e kompanisë ‘Krijon’ Shpk për ato reagentët që i duhen UBT-së
Përgjime
17 Qershor 2022, ora 22.32.
Shpend Shahini komunikon me Endri Zogan
Shpendi: ‘Hiç me mirë. Ja sot fola me ato punonjësit tuj që keni atje. Çova dhe kërkesën e atyre reagentëve.’
‘Do çoj Dhuratën ditën e hanë që ti shofi nji për nji ajo vet’
‘Për nja pesë milion blerje. Kte, kte, kte. E ke parasysh?,
Endri: ‘Okej, dakord, mirë. Mir, t’honën, jemi’.
Të njëjtat biseda pedagogu Shahini i bën në vazhdim edhe me administratorin e kompanisë ‘Krijon’ Shpk, Piro Zoga.
Komunikime që kryhen brenda intervalit kohor të një muaji, dhe që qartësisht flasin për një parapërgatitje të tenderit, që do të hapet në fundin e vitit 2022.
Përgjime nga ku pedagogu i kërkon me insistim që t’i sjellë disa kite, për të cilat ka folur me rektorin. Fatbardh Sallaku.
Ose lë të kuptohet se ky i fundit ka folur me vetë Piro Zogaj.
Përgjime
Shpend Shahini komunikon me Piro Zogan
Shpendi: ‘Do na duhen ca kite, nuk e di nëse të ka thënë gjë, ke fol gjë me rektorin?’
Piro: ‘Jo’
Shpendi: ‘Ka pru nji listë?’,
Piro: ‘Jo, jo, s’kam gjë, ça janë ato?’
Shpendi: ‘Jane kite për katër patogjenë të bimëve, jane dy baktere’
Piro: ‘S’di gjë me thanë të drejtën, thuj atyre ta nisin listën edhe ta shofim’
Shpendi: ‘Ndoshta është fut në një mbledhje, maksimumi ka për të ngel për të nesermen në mëngjes, pastaj’.
Piro: ‘Po, s’ka problem, kur të ashu nise listën’
Shpendi: ‘Për sa mund të na vijnë Piro, se më datë 14 kemi trupën’
Piro: ‘Kur 14, tani e? Jo, s’bohet fjalë’
Shpendi: ‘Kemi çu që e kemi çu atje’
Piro: ‘Po data 6 sot, o burrë, po ça të them unë tani’
Shpendi: ‘Ne kemi kohë qe e kemi çu atje ke ju’
Piro: ‘Ke neve, ka ardh lista ke neve?
Shpendi: ‘Po, pra e kemi çu nji listë ne, që na duhet kjo’
Piro: ‘Ore ska listë ke ne, problemi është ça vendosin ato shefat.
Se pa dhënë ato urdhër, ne s’mund të bëjmë blerjen, pa bo ata veprimet financiare, e kupto. Kështu që duhet me e zgjidh me administratën aty me i fjalë, kan procedurat e veta ata, se ne nuk mund të veprojmë, të porosisim kot’
Shpendi: ‘Me universitetin?’
Piro: ‘Aty mor, ke universiteti, me administratën tuj, aty’
Shpendi: ‘Po, po’
Piro: ‘Zgjidheni me ato aty, të na kontaktojnë ata pastaj, se ata kanë procedurat e veta, e kupto’
Shpendi: ‘Po’.
Vetëm një ditë më pas Rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, merr vetë në telefon pedagogun Shpend Shahini. Atij i tërheq vëmendjen për sasinë e madhe të kiteve që kanë kërkuar.
Përgjimet
7 Korrik 2022, ora 10.09
Rektori i UBT, Fatbardh Sallaku, komunikon me pedagogun Shpend Shahini
Fatbardhi: ‘Po tani ju keni kërkuar njëqind e nji artikuj mor zotëri’
Shpendi: ‘Po pra, ja ku po e nxjerr dhe kancelari tashti, brenda ktyre u ka thënë. Kto du’
Fatbardhi: ‘Lëre mo kancelarin tani zotëri. Ju keni kërkuar njëqind e nji artikuj, njëqind e nji, kur ju më thoni: ‘Na mungojnë ca kite’
Shpendi: ‘Po pra’
Fatbardhi: ‘Ca me njëqind e nji, o zotëri do të thotë diferencë e madhe më duket apo jo. E para, e dyta o zotëri me 24 qershor ju ka ardhur oferta nga kompania’
Shpendi: ‘Po’
Fatbardhi: ‘Po, sa është data sot?
Po në këtë datë, vetëm disa minuta, pasi ka shkëputur komunikimin telefonik me rektorin Fatbardh Sallaku, pedagogu Shpend Shahini, merr një telefonatë nga administratori i kompanisë ‘Krijon’ shpk, Piro Zoga.
Përgjime
7 Korrik 2022
Piro Zoga komunikon me Shpend Shahinin
Shpendi: ‘Ne faktikisht me 16 ia kemi pas çu si listë asaj për ofertën’
Piro: ‘Janë sqaru gjanat e kena nis ofertën me datë 24 ke juve. Është kjo oferta Dhuratës, se nuk është në emrin tënd prandej’
Shpendi: ‘E Dhuratës’
Piro: ‘Po ka qenë listë e gjatë o burrë 101 artikuj, që i pashë unë tani. Me i numru duhet gjysë dite, se ju keni edhe artikuj specifik aty’.
Gjatë bisedës në vazhdim administratori i ‘Krijon’ shpk, Piro Zoga, i kujton pedagogut Shahini, që shërben si ndërmjetës midis tij dhe rektorit Sallaku, që tashmë duhet të jetë Universiteti që duhet të fillojë me procedurat.Grafikë
Përgjime
7 Korrik 2022
Piro Zoga komunikon me Shpend Shahinin
Piro: ‘Duhet të vazhdoni ju procedurat, jo ne. Ne nuk kemi më punë se s’kemi ca t’ju bëjmë’
Duhet të vendosin ata si do e bëjnë blerjen, të nxjerrin urdhrin e blerjes’
Shpendi: ‘Dhurata, ka qenë dy ditë atje dhe e ka ngushtu si listë, biles kan gjetë dhe kompaninë ku mund ti gjejnë’
Piro: ‘Unë të garantoj që ta bëj porosinë që sot, nëse ma konfirmon universiteti. Çoje me email që ta morën ato gocat që kanë punuar, cila është lista urgjente qe keni juve.
Çmimet janë, lekët janë, bini dakord me administratën si do e bëjmë blerjen dhe dakort?’ Komunikimet midis Piro Zogaj në një anë dhe drejtuesve të UBT, vazhdojnë të ethshme edhe në vazhdim. Siç është edhe kjo bisedë midis tij dhe dekanit, Ilir Kristo.
Përgjimet
11 Korrik 2022, ora 10.28
Piro Zoga komunikon me Ilir Kriston
Piro: ‘Nigjo, për fat ato të kompanisë ne i kontaktum, për ato tre kitet që kanë problem, dhe i kanë gjendje.
Ia kan çu kto gocat e mia kësaj Dhuratës që ta firmosi atë që të premte, po ajo s’është përgjigj dmth’
Iliri: ‘Okej, ja po flas unë e të them’
Piro: ‘Të paktën, nesër në mjes duhet dokumenti nga ju i firmos, i vulos edhe i skanuar, na e dërgoni me email, që t’ia nisim nesër që të vijnë shpejt ato’.
Dhe mesa duket kitet e kërkuara me urgjencë kanë mbërritur. Pasi kjo konfirmohet edhe nga biseda që Piro Zoga ka me pedagogun Shpend Shahini, në muajin gusht.
Por nga ajo që kuptohet është se pavarësisht se kitet për llogari të Universitetit Bujqësor kanë mbërritur në Shqipëri, kompania që i ka eksportuar, në këtë rast ‘Krijon’ shpk, nuk mundet t’i dërgojë në laboratorët e UBT, pasi nuk është zhvilluar ende procedura e tenderimit. Dhe kjo do t’i nxirrte zbuluar që tenderi ishte i paracaktuar, që do të thotë shkelje e barazisë me operatorët e tjerë ekonomikë që do futeshin në garë.
11 Gusht 2022, ora 10.10
Piro Zoga bisedon me Shpend Shahinin
Shpendi: ‘Ato kitet a kan ardhë?’
Piro: ‘Ato kitet, ju i kërkuat me urgjencë dhe unë i solla me urgjencë. Unë i kam lajmëru ato shefat e tu që kan ardh, s’të kan thonë ty ata?’
Shpendi: ‘Më than që do vijnë në fakultet edhe për procedurat’
Piro: ‘Duhet t’i boni ju procedurat, se s’kemi ku i sjellim nëqoftëse nuk bahen me procedurë aty, e kupton.
Fol me admistratorin si do e boni’.
Por pavarësisht se procedurat e tenderit të pajisjeve nuk janë kryer, çka duket qartë edhe në bisedat që drejtues të UBT bëjnë me administratorin e kompanisë që tashmë ka kryer blerjet, ky i fundit del në komunikimet e muajit shtator, se ka rënë dakord, që këto kite t’i dërgojë në laboratorët e Universitetit.
Siç është edhe kjo bisedë midis tij dhe pedagogut Shpend Shahini.
13 Shtator 2022, ora 17.46
Piro Zoga komunikon me Shpend Shahinin
Shpendi: ‘Ka fol gjë Mondi, se i kam thënë unë me than të drejtën’
Piro: ‘Po, po, më tha Mondi sot, edhe i thashë për t’i sjellë për nesër i thashë.
Unë kisha nja dy-tri ditë, qe kisha harru dhe ia çova sot atë listën’.
15 Shtator 2022, ora 14.25
Shpendi: ‘Të gjithë në rregull i kemi ne, vetëm ke harru me fut lamat, për imunozorocencë’,
Piro: ‘Ato dy artikujt mungojnë, se s’ kan ardh akoma, s’ka mbërrit ngarkesa, kur të vijnë do t’i sjellim në laborator’,
Shpendi: ‘Po kur mund të na vijnë Piro?’
Piro: ‘Po si ka pas kompania gati pranej, pranej s’i ka nis’
Shpendi: ‘Po, pranaj ja thashë asaj vajzës, 10 herë i kam thanë’.
Shqetësimi se Piro, në këtë rast administratori i kompanisë ‘Krijon’ shpk nuk i ka sjellë të gjitha pajisjet e kërkuara, është përcjellë nga pedagogu Shpend Shahini edhe te Altin Murto.