Thu, Mar 6, 2025

Qeveria “Rama” njofton sërish se do mbyllë TikTok-un dy muaj para zgjedhjeve

  • PublishedMarch 6, 2025
Qeveria “Rama” njofton sërish se do mbyllë TikTok-un dy muaj para zgjedhjeve

Përmes ministres së Arsimit, , qeveria njoftoi të enjten se kishte vendosur mbylljen e përkohshme të platformës , duke e arsyetuar vendimin si masë e marrë pas vrasjes së një adoleshenti në shkollë disa muaj më herët.

“Kemi analizuar efektet që vijnë nga këto platforma, kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve apo me raste të dhunës fizike. Grupi i punës ka patur në përbërje të gjithë autoritetet përkatëse, duke marrë faktet dhe elementet që kanë patur rëndësi maksimale, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit në Tik Tok, për një periudhë 12 mujore”, tha Manastirliu në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë.

Kryeministri në një deklaratë në rrjetin social X këmbënguli se mbyllja e përkohshme ishte bërë pas një konsultimi me prindër dhe pas ngritjes së kapaciteteve teknike.  “Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike”, tha ai.

Rama pretendoi se ishin në konsultim me kompaninë që zotëron platformën dhe se do negocionin për të rritur masat e sigurisë për fëmijët, përfshi masa në gjuhën shqipe.

Vendimi i qeverisë u sulmua menjëherë nga opozita si akt censure para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Ish-kryeministri njoftoi mbajtjen e një proteste kombëtare më 15 mars kundër mbylljes së platformës, ndërsa ftoi të merrnin pjesë të rinjtë dhe gjimnazistët.  “Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Çapo, njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTokut për 12 muaj. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij”, tha Berisha në një deklaratë për mediat. Ai e krahasoi Ramën me Hoxhën dhe vendimin e cilësoi të ngjashëm me censurën ndaj mediave të huaja gjatë diktaturës.

, drejtues i Lëvizja Bashkë, një parti e re politike që merr pjesë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare, po ashtu e cilësoi vendimin një përpjekje për censurë. “Etja për pushtet dhe para e një autokrati të dalë boje nuk ndalet përpara asgjëje. Prapëseprapë Lëvizja BASHKË do t’ia dalë edhe po i mbyllën të gjitha rrjetet sociale, madje edhe dyert e të gjitha televizioneve, gazetave e portaleve”, shkroi Qori në Facebook.

Vendimi për mbylljen e rrjetit social, gjërësisht i përdorur nga të rinjtë, është konsideruar nga ekspertë të medias dhe të drejtave të njeriut si një masë ekstreme dhe jo proporcionale. Qeveria përdori vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar si argument për nisjen e fushatës për mbylljen e kësaj platforme. Por platforma nuk përmendet në të dhënat publike të hetimit rreth vrasjes së adoleshentit.

Është e paqartë nëse vendimi i qeverisë do të jetë efektiv. Kryeministri pati lajmëruar edhe më herët se do të mbyllte platformën, por kjo nuk u realizua.