SPAK paraqet prova të reja kundër Veliajt, shtyhet seanca në Apel

Seanca e vlerësimit të masës së sigurisë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe të akuzuarve të tjerë të kësaj çështjeje në Gjykatën e Posaçme të Apelit u shty pasditen e së martës, për shkak se avokatët mbrojtës kërkuan kohë për t’u njohur me provat e reja.
Sipas koordinatores për të drejtën e informimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit, Enida Demiraj, seanca u shty për të nesërmen, të mërkurën në orën 12:30, pasi avokatët do të njihen me provat e reja të dorëzuara nga prokurorët e SPAK.
Veç provave të dorëzuara nga ana e SPAK, mësohet të jenë dorëzuar prova të reja edhe nga ana e mbrojtësve të Veliajt dhe të proceduarve të tjerë, të cilët i kundërshtojnë si të pabazuara në ligj masat e sigurimit personal të caktuara ndaj tyre në Shkallën e Parë.
Erjon Veliaj, bashkëpunëtori i ngushtë i kryeministrit Edi Rama dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës prej vitit 2015, u arrestua nga SPAK më 10 shkurt me akuzën e krijimit të një skeme korruptive mes kompanive të bashkëshortes dhe një grupi biznesmenësh pranë tij, me vlerë transaksionesh më shumë se 1 milion euro.
Në masën e “arrestit në burg” ndodhet edhe biznesmeni Elman Adule, ndërsa janë lënë në “detyrim paraqitje” bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa dhe pesë biznesmenë, mes të cilëve, Shkëlqim Fusha i kompanisë “Fusha”, Gentian Sula i kompanisë “Agi Kons” dhe Fatmir Bektashi i kompanisë “Kontakt”. Nën hetim është dhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka, njëherazi kryetare e Komisionit të Ligjeve, e cila dyshohet për kryerjen e veprimeve aktive që pengojnë zbulimin e të vërtetës në rastin e çështjes penale në ngarkim të veliajt dhe të proceduarve të tjerë.
Pas arrestimit, Veliaj sulmoi përmes disa statuseve në Facebook, prokurorin e çështjes, Ols Dado dhe gjyqtarin Erion Bani, duke pretenduar për persekutim politik. Veliaj publikoi gjithashtu një transkipt me përmbajte të pavërtetë, që u vlerësua si një përpjekje për të sfiduar drejtësinë dhe për të diskretituar figurën e prokurorit, nëpërmjet të dhënave të trukuara, që u shpërndanë nga media pranë tij.
Po ashtu, gjatë seancës së vlerësimit të masave së sigurimit, qindra mbështetës të Veliajt protestuan kundër ndalimit të tij. Sipas njoftimeve të atëhershme të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe SPAK, protestuesit kishin rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të administratave të këtyre institucioneve, kur ata ishin larguar nga puna.