Mon, Mar 17, 2025

Zjarri në klubin e natës në RMV, ministri i Shëndetësisë: Të plagosurit janë dërguar nëpër spitale të ndryshme,18 në gjendje kritike

  • PublishedMarch 16, 2025

Zjarri në klubin e natës në RMV, ministri i Shëndetësisë: Të plagosurit janë dërguar nëpër spitale të ndryshme,18 në gjendje kritike

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka thënë se 118 të plagosur janë shtruar nëpër spitale në Maqedoninë e Veriut, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate.

Sipas tij, të gjitha autoritetet shëndetësore janë mobilizuar edhe disa të plagosur që fillimisht janë dërguar në Shtip, tani janë duke u transportuar në spitalin e Shkupit, Shën Naum Ohridski.

“Po kujdesemi për të gjithë, po punojmë me të gjitha kapacitetet për të shpëtuar sa më shumë jetë që është e mundshme. Nuk do të spekuloja sa janë në gjendje kritike, por do të shkoj te Separtamenti i Kirurgjisë për të marrë informacion të hollësishëm”, ka thënë Taravari.

Ai e ka përmendur se ka biseduar me drejtorin e Departamentit për transfuzion të gjakut dhe që aktualisht nuk ka nevojë për gjak, por thekson se 18 pacientë janë në gjendje kritike.

Shpërndarja e pacientëve të shtruar sipas raportimeve nga mediat maqedonase:

• Kirurgjia Pediatrike – 4 pacientë

• Klinika e Kirurgjisë Plastike – 11 pacientë

• Spitali Klinik i Shtipit – 45 pacientë

• Spitali i Përgjithshëm i Koçanit – 30 pacientë

• Spitali “Shën Naumi i Ohrit” – 29 pacientë

• Spitali “8 Shtatori” – 17 pacientë

• KARIL – 16 pacientë

Nga numri i përgjithshëm i pacientëve të shtruar, 18 janë në gjendje kritike:

• Kirurgjia Pediatrike – 3 pacientë

• KARIL – 7 pacientë

• Spitali i Përgjithshëm i Qytetit – 5 pacientë

• Spitali i Vjetër i Qytetit – 3 pacientë

Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.

“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq është duke bërë përpiluar listën për të përcaktuar identitetet e të vdekurve.