“Doli me shokët për të festuar lindjen e djalit dhe nuk u kthye më”- Historia rrëqethëse e një prej 59 viktimave nga tragjedia e Koçanit: Sapo ishte bërë baba, por…
Historitë personale të 59 të rinjve që humbën jetën mëngjesin e kësaj të diele si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një lokal nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut janë drithëruese.
Mediat fqinje kanë publikuar historinë rrëqethëse të Tose Bogdanov, një nga 59 personat që humbën jetën nga zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan.
Bogdanov doli mbrëmë me miqtë e tij për të festuar lindjen e djalit të tij. Por gëzimi u kthye në tragjedi për familjen e tij, e për fat të keq i biri do të rritet pa baba.
“Tose kishte një djalë dhe doli për të festuar me miqtë lindjen e fëmijës. Ai donte të festonte me miqtë e tij dhe shkoi në një disko, dhe tani ai është larguar përgjithmonë”, tha një person për Informer.
Të paktën 59 persona humbën jetën sot në orët e para të mëngjesit në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 1.500 pjesëmarrës në një lokale nate.
Mbi 155 persona është raportuar se janë plagosur – mbi 80 prej tyre janë transferuar në klinikat e Shkupit, qytet rreth 100 kilometra larg Koçanit.
Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN.
Ai bëri të ditur se janë lëshuar katër urdhër-arrestime, pa dhënë më shumë hollësi.
Toshkovski tha më herët gjatë ditës se një person është arrestuar, ndërsa agjencia e lajmeve MIA ka raportuar se pronari i klubit është ndaluar.