Sun, Nov 24, 2024

Takimi mes KLGJ dhe OSBE, përfaqësuesit: Gjyqësori ka nevojë për më shumë transparencë dhe informim

  • PublishedJune 16, 2023

Sipas përfaqësuesve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe prezencës së OSBE-së në Shqipëri, sistemi gjyqësor, përmes Reformës në Drejtësi, po synon të rrisë aksesin dhe besimin e qytetarëve, shoqërisë civile, mediave dhe aktorëve institucional në sistemin gjyqësor dhe shërbimet që ai ofron.

Plani strategjik i komunikimit për sistemin gjyqësor si dhe caktimi i 16 gjyqtarëve për mediat, në 13 gjykatat e rretheve gjyqësore dhe 3 gjykatat e apelit, sipas tyre synon rritjen e shkallës së informimit dhe transparencës.

Në takimin e organizuar në Shkodër nga KLGJ dhe OSBE u theksua se një nga përbërësit e Reformës në Drejtësi është nevoja për të sjellë sistemin gjyqësor më afër publikut duke rritur besimin e tij.

“Është shumë e rëndësishme për KLGJ, që në fillimet e krijimit të tij, marrëdhënia e këshillit me median dhe publikun, marrëdhënia e gjykatës me median dhe publikun. Është shumë e rëndësishme, sepse media shikohet si përçuesi kryesor i punës që bën gjykata, me qëllim rritjen e transparencës dhe, në këtë mënyrë, edhe rritjen e besimit të publikut tek drejtësia”, thotë anëtarja e KLGJ-së, Marçela Shehu.

E pyetur se ku ka çaluar deri tani komunikimi mes gjyqësorit dhe shoqërisë civile, medias dhe publikut, zonja Shehu tha: “Çfarë ka çaluar? Mbase një lloj ngurtësimi apo një lloj intimizimi për të patur një marrëdhënie me të vërtetë ashtu siç duhet të jetë”.

Ndërsa shefi i Seksionit për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, Cailean Maclean, tha se OSBE pret zbatimin e planit të komunikimit për sistemin gjyqësor si një hap thelbësor për të përmirësuar dhe rritur komunikimin mes gjykatave dhe publikut.

Përfaqësuesi i OSBE-së tha se, ndërkohë që transparenca mbetet patjetër një element shumë i rëndësishëm, OSBE njeh rëndësinë që duhet të kenë gjykimet e drejta, të paanshme dhe të pavarura.

Prandaj, tha ai, emërimi dhe caktimi i gjyqtarëve për mediat, si persona të specializuar për këtë çështje, krijon një lidhje kyçe që do të ekzistojë në mes të gjykatave dhe publikut. Është me rëndësi tepër të madhe për të siguruar një balancë ndërmjet të drejtës për të patur informacion dhe gjykime të drejta, të pavarura dhe të paanshme. Ndaj, OSBE do të vazhdojë të punojë me sistemin gjyqësor për të rritur besimin e publikut.

Ndërkohë, përfaqësuesja e shoqatës “Të drejtat e njeriut në demokraci”, Lindita Sakoni theksoi se, tranparenca është elementi kyç në rritjen e besimit të publikut tek gjyqësori, gjë që, sipas saj, nuk ndodh shpeshherë.

“Nëse flas në emër të organizatës, sigurisht e kemi patur këtë lloj aksesi që ne të monitorojmë vendimet, që të marrim informacion. Po, nëse flasim si publik, mbase në këtë drejtim do duhet bërë më tepër për ta sjellë gjykatën sa më afër publikut dhe për të rritur sa më shumë besueshmërinë tek ky sistem që, në fakt, herë pas here ka patur lëkundjet e veta”, tha ajo.

Në Shqipëri, mungesa e informimit dhe transparencës si dhe gjykimet e vonuara, mbeten ende shqetësime që vazhdojnë të ndikojnë në shkallën e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, i cili, përmes Reformës në Drejtësi, synon të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i pavarur./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.