VIDEO/ Silvinjo vë duart në kokë, kuqezinjtë nisin me humor stërvitjet të ndarë në dy grupe
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur sot stërvitjet për ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës. Stërvitje që kanë nisur të cunguara për shkak të një numri të pjesshëm të futbollistëve që kanë mbërritur në kohë për seancën e parë që u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit.
Silvinjo ndau grupin e lojtarëve mes fushës dhe palestrës, duke i lënë kohë të rikuperonin atyre që kishin zhvilluar ndeshje dje me klubet përkatëse, pasi disa prej tyre mbërritën vetëm në momentet e fundit. Ata zhvilluan kryesisht punë në palestër për rikuperimin.
Ndërkohë, me një pjesë të vogël të skuadrës si dhe me përforcimet nga kampionati shqiptar që ishin afruar pikërisht për të pasur një grup sa më të kompletuar për seancën stërvitore, Silvinjo ka zbritur në fushë për të nisur përgatitjet me ekipin.
Gjithçka nën një atmosferë ku argëtimi dhe humor nuk ka munguar, sidomos me pjesëmarrjen e vetë pjesëtarëve të stafit teknik në disa prej ushtrimeve. Një ushtrim i tillë u mbyll pikërisht me trajnerin Silvinjo që vendoste duart në kokë duke qeshur me atë që kishte parë nga bashkëpunëtorët e tij.
PANORAMASPORT.AL