FSHF shtron iftar për komunitetin e futbollit, Presidenti Duka uron agjërim të pranuar
Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, Federata e Futbollit organizoi një darkë iftari për futbollistët, drejtuesit e klubeve të “Abissnet Superiore”, lojtarët e talentuar të “Elite Youth Academy” dhe përfaqësues të mediave, të cilët agjërojnë gjatë këtij muaji.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e tij të shkurtër përshëndetëse uroi të gjithë të pranishmit për një agjërim të pranuar. Ai theksoi se, ashtu si Ramazani është një muaj sakrifice, edhe futbolli është një lojë që kërkon përkushtim dhe sakrificë.
“Të dashura futbolliste, futbollistë, drejtues klubesh. Kam kënaqësinë që sonte të kemi bashkë këtë iftar të veçantë si një familje e bashkuar e futbollit që promovon vlerat e respektit dhe solidaritetit në çdo moment. Ky është muaji i sakrificës, por edhe futbolli është një lojë e sakrificës.
Në emër timin dhe të FSHF-së, ju uroj agjërim të pranuar, suksese në çdo sfidë tuajën, në fushë dhe jashtë saj. Faleminderit që jeni sonte këtu”- deklaroi Presidenti Duka.
I ftuar i veçantë në këtë iftar ishte Hoxhë Ahmed Kalaja, i cili thërriti ezanin. Në shenjë mirënjohjeje, Presidenti Duka i dhuroi Hoxhës fanellën e re të Kombëtares shqiptare, duke vlerësuar kontributin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për Kombëtaren dhe futbollin shqiptar.
Ky iftar tradicional është kthyer tashmë në një traditë nga FSHF, duke promovuar vlerat e bashkimit dhe respektit brenda komunitetit të futbollit shqiptar.