Wed, Mar 19, 2025

Nga 8 të “mbijetuar”, kjo Shqipëri është më cilësore se e 2021-shit. Anglia mbetet gjigante

  • PublishedMarch 19, 2025

Nga 8 të “mbijetuar”, kjo Shqipëri është më cilësore se e 2021-shit. Anglia mbetet gjigante

Shqipëria dhe Anglia ritakohen, po në “Wembley” pas më shumë se tri vitesh, sërish në një ndeshje kualifikuese të Botërorit. “Tre Luanët”, pavarësisht emrave, mbeten një nga skuadrat më të frikshme të botës, ku mblidhen disa nga lojtarët më të mirë në ligat kryesore europiane.

Moment nga ndeshja e vitit 2021 Angli-Shqipëri 5-0

Ndeshja e fundit, e luajtur më 12 nëntor të vitit 2021, u mbyll me një leksion futbolli dhe një “shuplakë” 5-0 me Tripletën e Kejn dhe golat e Meguajer e Henderson. Këtë herë, Shqipëria do të synojë të mbijetojë dhe të synojë të paktën një barazim, që do të ishte historik për ne. Në një vëzhgim, le t’i hedhim një sy “metamorfozës” që kanë pësuar dy ekipet që nga beteja e fundit mes tyre.

SHQIPËRIA – Ndryshimi nis që nga stoli. Nga një italian fanatik për mbrojtjen dhe aspak dashamirës ndaj emrave të rinj dhe ndryshimeve, kemi kaluar tek energjia dhe filozofia ndryshe e Silvinjo Kampos, kryetrajner, i ardhur me dy ndihmës “luksi” si Pablo Zabaleta dhe Doriva. Në atë ndeshje, Kombëtarja jonë rreshtohej me tre në mbrojtje dhe skemën që vazhdonte 4-1-2. Që nga ajo ndeshje, Shqipëria ka pësuar ndryshime të mëdha në emra, por duhet thënë se baza, “zemra”, “bërthama”, mbetet ende. Që nga ajo ndeshje kanë “mbijetuar” vetëm tetë lojtarë mes formacionit dhe atyre të stolit. Në skuadrën e Veselinoviç dhe Rejës e përbashkëta janë: Strakosha, Ismajli, Kumbulla, Laçi, Mihaj, Barjami, Ramadani dhe Uzuni.

Një pjesë e madhe e emrave të lartpërmendur janë lojtarët kryesorë të ekipit dhe pritet të startojnë në sfidën e nesërme. Duhet thënë se këta lojtarë edhe në karrierë kanë ardhur kryesisht në rritje, duke ruajtur performanca e mira. Aktualisht në nivele më të larta luajnë Ramadani, Ismajli dhe Kumbulla, të ndarë mes Serie A dhe La Ligës. Sakaq, në skuadrën që niset sot për në Londër do të udhëtojnë edhe emra si: Broja, Asani, Asllani, Muçi, Berisha, Hoxha apo Manaj, që gjatë këtyre viteve po japin kontribut të madh në Kombëtare dhe mund të jenë të rrezikshëm edhe në këtë sfidë. Krahasimisht me atë të 2021-shit, kjo Kombëtare duket më e fortë, më me talent dhe më me shumë emra të rrezikshëm, më së shumti në repartin ofensiv. Humbje mund të konsiderohet mungesa e eksperiencës së lojtarëve si Hysaj apo Cikalleshi, njëri i dëmtuar dhe tjetri i tërhequr nga kontributi për kuqezinjtë.

ANGLIA – Edhe Anglia bëri ndryshime në stol, duke mbyllur kështu epokën e Southgejt, që u largua si një humbës i suksesshëm, me dy finale të humbura në Kampionati Europian. Komandën e ka marrë Tomas Tuhel, një nga trajnerët më të mëdhenj të viteve të fundit për klube, fitues i Champions League me Chelsean. Tashmë do të përpiqet të bëjë atë që nuk ia doli paraardhësi, t’i japë një trofe kësaj Anglie, që është ndër më të fortat në histori. Misioni nis pikërisht nga Shqipëria, ku “Tre Luanët” do të synojnë të dëshmojnë forcën e tyre dhe të trembin rivalët. Për koincidencë, që nga ekipi i vitit 2021, edhe tek Anglia janë vetëm tetë “të mbijetuar”.

Bëhet fjalë për portierët Pikford e Ramsdejl, Uoker, Xhejms, Henderson, Bellingam, Foden dhe Kejn. Ky i fundit në ndeshjen e fundit tundte rrjetën tri herë. Këtyre emrave u janë bashkuar edhe plot lojtarë të tjerë të talentuar si Palmer, Rajs, Bouen apo Solanke. Tuhel në këtë grumbullim tregoi se kishte nevojë që mes shumë të rinjve, të ishin të pranishëm edhe lojtarë me eksperiencë si Uoker, Henderson apo Rashford. Mungesa të mëdha për këtë ndeshje janë Saka dhe Arnold, të dëmtuar, teksa nga skuadra e vitit 2021 mund të themi se do t’u ndihet mungesa emrave si Grilish apo Stërling, të papreferuar në këtë grumbullim.545KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL