Sipas Elton Ilirjanit, kjo është arsyeja se përse Parashqevi Simaku dështoi në SHBA
Elton Ilirjani ishte i ftuar në studion e emisionit “Opinion” ku foli në lidhje me historinë e Parashqevi Simakut. Ikona e muzikës shqiptare shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një ëndërr të madhe për Hollivudin, por atje dështoi. Ilirjani tregon arsyen pse.
“Ajo dështoi sepse ajo nuk zgjodhi që të ishte një “punonjëse seksi” siç janë shumë artistë të tjerë dhe në skandalet që keni parë në SHBA. Parashqevi Simaku është një person shumë i pastër, shumë i dashur, që ka besim të madh te Zoti. Ajo e rrezaton këtë. Kur ka shkuar në Hollivud, jo vetëm që nuk ka pasur mbështetjen e askujt nga shqiptarët, por edhe është goditur. Është goditur që në hapat e saj në Hollivud”, tha ai.
Sipas Ilirjanit, Simaku ka qenë një divë dhe ky status ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta. Ai mohoi thashethemet se Simaku ka përdorur drogë apo se ka qenë e alkoolizuar.
“Ka pasur të mirat ky status, por ka pasur dhe të këqijat që është goditja e madhe që i është dhënë vetë nga bashkatdhetarët e saj në fushën e artit. Parashqevi Simaku ëndërronte të ishte yll në Hollivud dhe i kishte të gjitha kriteret. Problemi që ka hasur ajo ka qenë që është person që vjen nga një familje e varfër me norma dhe rregulla. Është folur shumë për jetën e saj private sikur bënte drogë, sikur është e alkoolizuar. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë”, tha ai.
Por jo të gjitha gjërat që Ilirjani di për Simakun thuhen.
“Unë di shumë gjëra për Parashqevi Simakun. Jo të gjitha thuhen. Nuk thuhen për arsye se ka persona publikë në Shqipëri që janë përpjekur t’i shkatërrojnë karrierën dhe e kanë përndjekur atë dhe në jetën private me familjen e saj”, u shpreh ai./tvklan.al