Mon, Nov 25, 2024

Pr/ligji për legalizimin e kanabisit, Noka: Taksa që Rama u paguan bandave për zgjedhjet e vjedhura. Thirrje deputetëve socialistë, duhet të vendosni si…

  • PublishedJune 17, 2023

Deputeti Flamur Noka ka reaguar për miratimin e projektligjit për legalizimin e kanabisit mjekësor, ku tha se kryeministri  Edi Rama do paguajë bandave për zgjedhjet e vjedhura.

Në një deklaratë për mediat, Noka u ka bërë thirrje deputetëve të Partisë Socialiste, duke thënë “Do mbeteni në histori si socialistë, apo kanabistë?”.

Deklarata e plotë:

Vendimi i Edi Ramës për të legalizuar kanabisin nuk duhet pritur si befasi. Është një projekt politik i nisur që në vitin 2013, kur socialistët erdhën në pushtet.
Kjo nuk do të thotë se alarmi i Partisë Demokratike, opozites dhe gjithë shoqërisë, nuk duhet të ushtojë si asnjëherë më parë.
Legalizimi pas kanabizmit është gozhda e fundit në arkivolin e Republikës. Përmbyllja e eksperimentit famëkeq të kanabizmit, i cili mori shumë e shume jetë njerëzish në luftën për territore të trafikut, që largoi shumë të rinj nga shkollat dhe shumë të tjerë nga Shqipëria, është shenja se Edi Rama nuk ndalet para asgjëje në konsolidimin në Shqipëri të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Për të nuk ka rëndësi e ardhmja e vendit, por fortifikimi i pushtetit personal, bazuar ne drogen krimin dhe trafiqet.
Vendimi, që vjen menjëherë pas zgjedhjeve, fakton atë që Partia Demokratike e thotë çdo ditë me zë të lartë: nuk ka pasur zgjedhje, por farsë. Këtë farsë e ka mundësuar pushteti në bashkëpunim të ngushtë me bandat e drogës. Legalzimi është taksa që Rama u paguan bandave për zgjedhjet e vjedhura.
Ky është hapi i radhës në çimentimin e lidhjes së shtetit me krimin, shtetëzimi i aseteve kriminale dhe kriminalizimi i politikave shtetërore.
Partia Demokratike e dënon me ashpërsi këtë hap të radhës drejt çmendurisë dhe rrënimit të shtetit dhe të së ardhmes.
Shqipëria nuk ka një shtet të tillë që mundëson, as ekspertizën për sipërmarrje të tilla dhe as burokracinë që e kontrollon atë.
Legalizimi i kanabisit nuk është asgjë më shumë se legalizimi i një sektori kriminal në të cilin qeveria ka qenë e angazhuar që në fillim. Baronët e drogës tani do të legjitimohen dhe, nga industria e kanabasit do të kalojnë në faramaceutikë, e më pas në politikë.
Ky projektligj nuk është gjë tjetër veçse përpjekja për ta tomdoshëzuar politikën shqiptare.
Nuk është gjë tjetër veçse përmbushja e premtimit të Edi Ramës për padrinon e tij George Soros.
Legalizimi i kanabisit është një eksperiment i dështuar në vende të tjera, dhe duke ditur kapacitetet tona dhe korrupsionin e zinxhirit shtetëror, Edi Rama inauguron ne Shqiperi Republiken e Kanabisit.
Në fund, një thirrje për deputetët e partisë në pushtet: duhet të vendosni si do mbeteni në histori, si socialistë apo kanabistë! Mbështetja e Ramës në këtë marrëzi nuk është politikë për mbajtjen e pushtetit, por dorëzim i fëmijëve tuaj dhe të shqiptarëve pushtetit të substancave narkotike dhe kriminalizim i ekonomisë shtetërore.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.