Do të kontrollojë edhe regjistrin e hyrje-daljeve në bashki, cila është prokurorja që ka në dorë dosjen e Safet Gjicit
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar ditën e djeshme se ka nisur hetim nën akuzën për shpërdorim detyre për kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici, pas video-skandalit ku ai është filmuar duke kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë në ambientet e zyrës.
BalkanWeb mëson se prokurorja e SPAK e cila është ngarkuar me hetimin e Gjicit, është Manjola Kajana, ndërkohë që si bazë për hetimet janë marrë në shqyrtim që nga regjistri i hyrje-daljeve në bashki, e deri te pamjet filmike dhe dokumente.
News24 raporton se vajza e cila është në videon e kryebashkiakun e Kukësit është identifikuar, por se ende nuk ka të dhëna që është marrë në pyetje.
Kujtojmë se Gjici dha dje dorëheqjen nga detyra si qytetar i parë i Kukësit pas publikimit të video-skandalit, ndërkohë që pretendoi se ishte viktimë e një kurthi të mirëmenduar.
Ai ishte rikonfirmuar në detyrë pas zgjedhjeve të 14 majit.
Ndërkohë vetëm pak orë më vonë, qeveria njoftoi shkarkimin e tij nga detyra. Ministrja Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri me dije se Këshilli mori vendimin për shkarkimin e tij.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–