Mon, Mar 31, 2025

Merr fund makthi njëvjeçar te Tirana, Gjykata e Lartë anulon shitjen e klubit

  • PublishedMarch 26, 2025

Merr fund makthi njëvjeçar te Tirana, Gjykata e Lartë anulon shitjen e klubit

Aksionet e KF Tiranës nuk do të dalin në ankand, ndërsa Gjykata e Lartë ka pushuar veprimet përmbarimore që nxirrnin në shitje 66% të aksioneve të klubit bardheblu.

Vendimi është marrë nga gjykata më e lartë shqiptare, që me vendimin civil nr. 11217-01656-00-2017, datë 29.01.2025 të saj ka pranuar padinë e debitorit dhe ka pushuar të gjitha veprimet përmbarimore në dëm të Refik Halilit dhe KF Tiranës. Lajmi është konfirmuar nga njoftimi zyrtar i Gjykatës së Lartë dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit, si dhe përmbaruesi.

Zyra e përmbarimit privat me përmbarues Baftjar Nelan ka dorëzuar në QKB një shkresë protokolluar nga Qendra Kombëtare e Biznesit me nr. 4684, datë 6.3.2025, ku është urdhëruar: Heqja e sekuestros të aksioneve në masën 66% që i përkasin shoqërisë “Halili” shpk, pronare e “Klub Futbollit Tirana” sha, pasi është pranuar padia e debitorit me vendimin civil të Gjykatës së Lartë Nr. 11217- 01656-00-2017, datë 29.1.2025. Kjo do të thotë se Tirana është e pastër.

Panorama Sport
Panorama Sport

SITUATA – KF Tirana tani jo vetëm aksionet e lira, por edhe llogaritë janë të liruara, ndërsa nuk ka asnjë sekuestro mbi klubin. Gjykata ka pushuar çështjen, ndërsa tani Tirana është e lirë dhe mund të marrë licencën europiane.

ÇËSHTJA – Një zyrë përmbarimore në prill 2024 kishte bllokuar aksionet e familjes Halili në klub për shkak detyrimesh ndaj palëve të treta dhe i kishte nxjerrë zyrtarisht në shitje ato. Asokohe, kompania në fjalë njoftoi se në shitje ishin 66% e aksioneve, me vlerë fillestare prej rreth 161 milionë lekë. Bllokimi kishte ardhur prej detyrimeve të shumta të ndryshme që kishte në vite pronari i KF Tirana ndaj palëve të treta, të cilat kishin fituar gjyqe radhazi dhe prisnin zbatimin e vendimeve. Përmbarimi kishte hapur një ankand për të shitur 66% të aksioneve të Tiranës me vlerë rreth 1.6 milionë euro për shkak të një detyrimi që shoqëria “Halili” i ka Darlin Prezës, trashëgimtar i një testamenti ligjor.

HISTORIA – Në prill-maj 2024 dështoi shitja e aksioneve të klubit Tirana nga një kompani përmbarimi, e cila kishte bllokuar kuotat në pronësi të Halilit “shpk”. Ashtu siç ishte lajmëruar nga kompania përmbarimore, ankandi i parë u mbyll pa fitues, sepse nuk pati asnjë ofertë. Halili “shpk”, pronari i 66% të aksioneve të KF Tiranës me president Refik Halilin, pas ankandit të parë, iu drejtua Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Shkallës së Parë, Tiranë me një kërkesëpadi, objekti i së cilës është pezullimi i ekzekutimit të vendimit që ka fituar familja “Preza”. Në kërkesëpadinë, paditësi pretendonte për rivlerësim të paktën të aksioneve që përmbaruesi i ka nxjerrë në shitje 1.6 milionë euro. Po kështu, Halili “shpk” kundërshtoi veprimet e përmbaruesit gjyqësor, i cili kishte nisur shitjet e aksioneve të KF Tiranës në ankand.

ÇËSHTJA – Borxhi që do të përmbarohej dhe që solli shitjen e mundshme të aksioneve është një detyrim që ka kompania Halili “shpk” (kompania “alfa”), në pronësi të Refik Halilit ndaj një personi, shtetasit Abedin Treza (Preza). Siç njofton Qendra Kombëtare e Biznesit, në datën 13 shtator 2019, shtetasi Abedin Treza (Preza) ka bllokuar 66 për qind të aksioneve në zotërim të Refik Halilit në KF Tirana. Sipas urdhrit të sekuestros, debitori i detyrohet kreditorit 1.5 milionë euro dhe 25 milionë lekë (të rinj), si dhe interesat për çdo ditë vonesë. Nga 11 marsi 2025 kjo sekuestro nuk është më aktive. Panorama Sport


AlbaniaWeb.net