“Përpiqemi të lëmë gjurmë të mira” Manjola Nallbani flet në “Dola te Ola” për jetën profesionale
Në këtë mbrëmje speciale në programin “Dola te Ola” ishte e ftuar këngëtarja e mirënjohur dhe shumë e dashur për publikun Manjola Nallbani.
Gjatë bisedës këngëtarja foli për koncertin recital që zhvilloi vitin e kaluar “Manjola N’Albani”, realizuar në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës. Koncerti u mbajt në Pallatin e Brigadave dhe këngëtarja e kujtoi atë si një mbrëmje shumë të bukur. “Përpiqemi të lëmë gjurmë të mira”, tha ajo.
Nallbani tregoi se që e vogël ka patur shumë dëshirë të këndojë, dhe kujtoi se “Festivali i Këngës” ka patur një ndikim shumë të madh tek ajo. “Mësonim të gjitha këngët përmendësh dhe i këndonim”, kujtoi Nallbani.
Manjola është nga artistet e vërteta që vendi ynë ka. Edhe kur nuk ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore, ka zgjedhur që para publikut të këndojë ‘live’, duke përçuar te publiku emocione të vërteta.
Një nga momentet që Nallbani kujtoi në program ishte kur në “Festivalin e 61 të Këngës”, u sëmurë dhe gjatë të dyja netëve ka kënduar me 40 temperaturë. Këngëtarja tregoi se edhe pse iu ofrua që të këndonte playback për shkak të gjendjes së saj, ajo nuk kishte pranuar.
Manjola Nallbani është vlerësuar me titullin “Mjeshtre e Madhe”, dhe kur në studio u shfaq një fotografi nga ky moment ajo tha se i vjen shumë mirë që ky dekorim i është bërë nga i ndjeri ish-presidenti Bujar Nishani, dhe shtoi se çmimi ka qenë jo vetëm për kontributin e saj si artiste, por për si grua.
Manjola Nallbani dhe Stefi Prifti kënduan për herë të parë duetin e tyre, të cilin ata e kanë nisur prej kohësh por nuk e kanë publikuar ende. “Dashuria ekziston” titullohej kënga, të cilën artistët premtuan që së shpejti do ta sjellin të përfunduar për publikun që aq shumë i do.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–