Tue, Apr 8, 2025

Partizani, Gega: Të nxjerrim mësime nga derbi, Final Four në rrezik

  • PublishedApril 7, 2025

Partizani, Gega: Të nxjerrim mësime nga derbi, Final Four në rrezik

Tekniku i Partizanit, Skënder Gega tha pas humbjes 3-0 ndaj Tiranës se kjo disfatë duhet të shërbejë si mësim.

“Të them të drejtën ka tjetër impakt humbja në derbi, por në sport pranohet, sidomos kur kundërshtari bën më mirë. Unë nuk pranoj vlerësimin e derbit. Ndoshta vjen nga eksperienca, ndoshta një pjesë e atyre që unë drejtoj, nuk e kuptojnë. Ka qenë një derbi i veçantë, duke u dënuar me 3 goditje standarde.

Në momentin më të mirë që ne morëm masat dhe fushën, u bë ai gabim. Derbi ka impakt tjetër, është sensitive. U munduam, arritëm të shpenzonim të gjitha energjitë që kishim. Nuk arritëm të ishim agresivë dhe të merrnim përsipër.

Frika për “Final 4”? Në Shqipëri mund të humbasësh jo gjithmonë nga… patjetër që nuk është situatë e mirë. Elbasani po bën shumë mirë, sot fitoi kundër kampionëve. Ne duhet të shohim veten tonë, nga nesër të bëjmë më mirë. Kjo humbje ishte jo e mirë, të paktën në këto moment.

Zëvendësimi i Mintongo në minutën e 20-të? Me Mintongon mendova të kisha më shumë ekuilibra, duke ndjekur javën që kaloi. Unë të them të drejtën e kam parë para ndeshje që ishte i tensionuar. Ai nuk po dilte, ishte gjithmonë në vonesë edhe në organizim. E kishim bërë edhe plan që Kote do futej shumë shpejtë në lojë. Me hyrjen e Kotes shpresova dhe mendova se ndryshoi diçka.

Bintsoukën javën që kaloi e kam ndërruar shumë shpejt, mendova se është rehabilituar, por ka mungesë freskësie. Hodhëm gjithë arsenalin, Eleken dhe Zekën. Duke menduar që kishim shpresë, pësuam goditje. Unë nuk jam i zemëruar, u thashë që s’duhet t’i bëjnë gjyqin shokëve.

Presioni ka qenë edhe para ndeshjes. Por një lojtar me eksperiencë dhe ne besojmë se ka kualitet… duhet të shikonim më shumë vertikalizime. Unë mendoj që nuk morëm përsipër në sulm. Kishim dy mesfushorë, por duhej të bënim shumë më tepër, të merrnin zonat boshe dhe të krijonin hapësira.

Janë larguar lojtarë cilësorë dhe kritikohet klubi. Unë mendoj se janë bërë mirë që kanë ikur. Por më vjen çudi se asnjëri nuk ka shfrytëzuar këtë shans të artë për t’i zëvendësuar të larguarit në fushë. Kohë e shkurtër, 3 ndeshje në 7 ditë. Unë jam trajner, nuk shikoj gjërat që kanë ndodhur përpara, por nuk e mendoja që në këtë ndeshje të ndëshkoheshim në këtë mënyrë.

Mund të kesh 100 dilema dhe kur fillon loja thua që nuk ishte ashtu siç mendova. Baza ishte që të luanim 4-2-3-1. Kemi mungesa, nuk është se i kemi të gjithë në dispozicion dhe dolëm 3-5-2. Me Osmanllarin kishim balancë, por mesfusha nuk mbështetej siç duhet, sulmi nuk ishte i freskët. Kur e kam parë Binstoukën kam thënë që mund të na ndihmojë, por kur nuk është i freskët nuk ka çfarë bën”, tha Gega.


AlbaniaWeb.net