“Në këto zgjedhje, vota është çështje e rëndësisë kombëtare”- Lapaj përjashton sërish bashkëpunimin me “partitë e vjetra”: Mezi presin t’u themi ‘do vijmë me ju’
Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka zhvilluar një takim me banorët në Baldukshk, të cilëve u ka thënë se vota e kësaj here për zgjedhjet e 11 majit, është çështje e rëndësisë kombëtare.
Lapaj tha se klasa e vjetër politike duhet të ndëshkohet me votë në mënyrë që t’u jepet mesazhi se “fuqia qëndron te populli dhe ndryshimi vjen mgapopulli.”
“Këtu, kësaj here vota është çështje e rëndësisë kombëtare sepse paramendoni më 12 maj, klasa politike qëndron kjo që është, i bie që të mos ndryshojë asgjë. Nëse ju atyre, pasi u kanë vjedhur, u kanë rrahur, u kanë larguar fëmijët, u kanë lënë pa ilaçe, pasi janë këtu duke kërcënuar administratës, prapë i votoni, çfarë mesazhi u jepni? Vazhdoni na vidhni, se prapë do ju votojmë. Duhet t’i ndëshkoni me votën, për tu dhënë mesazhin, fuqia qëndron te populli dhe ndryshimi vjen nga populli”, tha Lapajt.
Ndër të tjera ai sërish përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me partitë e mëdha në vend, duke thënë se do të ishte besëprerje ndaj ëndrrës së këtij brezi nëse do ta bënin.
“Kjo nuk është çështje e karrierës sime. E kishim bërë kollaj, mezi presim ata të themi ‘hajde se vijmë me ju’. Po nuk e bëjmë se do të ishte besëprerje ndaj ëndrrës së këtij brezi. Ndaj ju, me mend në kokë, flisni me të afërmit tuaj. Është koha të ndërtojmë shtetin norma, të së drejtës”, tha Lapaj.